Arrestohen disa policë të Venezuelës, dyshohen për plaçkitje pas tërmeteve - NACIONALE

Arrestohen disa policë të Venezuelës, dyshohen për plaçkitje pas tërmeteve

1 orë më parë

nga NACIONALE

Katër policë venezuelas janë arrestuar dhe po ballafaqohen me shkarkim nga detyra pas akuzave për vjedhje të parave të gatshme nga rrënojat e një ndërtese që u shemb gjatë dy tërmeteve shkatërruese të javës së kaluar.

Banorët lokalë dhe ekipet kombëtare e ndërkombëtare të shpëtimit po vazhdojnë të kërkojnë të mbijetuar të mundshëm pas pasojave të tërmeteve që ndodhën brenda një kohe të shkurtër dhe që kanë lënë të vdekur gati 2.000 njerëz e mbi 10 mijë të tjerë kanë pësuar lëndime. Dhjetëra mijëra njerëz janë të zhdukur, shkruan gazeta “The Guardian”.

Në video të publikuara në rrjete sociale shihen njerëz të zemëruar që po mundoheshin t’i ndalonin anëtarët e Trupës për Hetime Shkencore, Penale dhe Kriminale për të arritur te një kasafortë plot me dollarë nga një ndërtesë e shkatërruar në shtetin La Guaira, që është goditur rëndë.

Në një deklaratë, shërbimi hetues tha se katër oficerë policorë ishin arrestuar dhe ishin liruar nga detyra dhe se kishin filluar masat disiplinore për “shkarkimin e menjëhershëm” të tyre.

Edhe pse një djalë 3-vjeçar u nxor i gjallë nga rrënojat e një ndërtese në La Guaira të martën, shpresa për të gjetur më shumë të mbijetuar po venitet. Ndërkohë, zemërimi i publikut për ritmin e ngadalshëm të veprimeve qeveritare për shpëtim dhe për sjelljen e disa pjesëtarëve të ushtrisë e policisë po rritet.

Të mërkurën, qindra vullnetarë ende po shkonin në La Guaira për ta ofruar mbështetjen e tyre.

Lajme të ngjashme