Zëdhënësi i DASH-it: Blinken s’ngurron për dialogun, edhe me telefon po qe nevoja - NACIONALE

Zëdhënësi i DASH-it: Blinken s’ngurron për dialogun, edhe me telefon po qe nevoja

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka marrë një energji të re. Intesifikimi vërehet edhe në dëshirën e amerikanëve për t’u përfshirë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Krahas mesazheve të Departamentit Amerikan të Shtetit, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është parë shumë aktiv, i cili do të qëndrojë përsëri këtë javë në Kosovë e Serbi.

Por, takim mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit serb Aleksandër Vuçiq mund të ketë edhe në Washington.

Amerikanët

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price, theksoi se sekretari i Shtetit, Antony Blinken, nuk do të ngurrojë që të angazhohet drejtpërdrejt në biseda me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Ne jemi të angazhuar në këtë. Kemi qenë thellësisht të angazhuar si vëzhgues në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës dhe Serbisë. Siç thashë javën e kaluar, të kuptuarit tonë është se bisedimet janë duke vazhduar. Ne po shikojmë. Po e bëjmë këtë në bashkëpunim me BE-në dhe po i inkurajojmë të dyja palët që ta shfrytëzojnë dialogun në mënyrë efektive”, tha Price, kur u pyet nëse mund të pritet organizimi i ndonjë takimi fizik ose ndonjë telefonate nga sekretari Blinken para 1 shtatorit.

Madje, zëdhënësi i Blinkenit nuk e përjashtoi mundësinë e takimeve fizike mes Blinkenit dhe Kurtit e Vuçiqit.

“Nëse ndihemi se angazhimi i sekretarit përmes telefonit ose me takime fizike është përbërës i domosdoshëm për të arritur diçka si ajo përtej vijës së finish-it, sekretari Blinken nuk ngurron që ta kapë telefonin dhe t’i zhvillojë ato biseda”, deklaroi ai.

Ai tutje theksoi se SHBA e përkrah shumë dialogun mes dy vendeve, duke inkurajuar palët të normalizojnë marrëdhëniet.

“Është një dialog që ne e përkrahim shumë dhe mendojmë se është detyrë e të dyja palëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi plotësisht për t’i avancuar diskutimet e tyre për normalizimin e marrëdhënieve, të përqendruara edhe në njohjen reciproke”, shtoi ai, transmeton Nacionale.

Price e përmendi edhe vizitën e zëvendësndihmëssekretarit Gabriel Escobar në Prishtinë dhe Beograd, e cila, sipas tij, do të bëhet për ta përkrahur dialogun dhe për ta dëshmuar interesimin e lartë të Shteteve të Bashkuara për këtë çështje.

Ardhja e Escobar e Lajçak

Përfaqësuesi i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të vizitojnë Kosovën gjatë kësaj jave.

Nacionale ka mësuar se opozitës së vendit tonë do t’i shtrohet një drekë/darkë, e cila pritet të ketë rëndësinë e saj brenda zhvillimeve të politikës së brendshme.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka pranuar se do të ketë një darkë me përfaqësuesin e BE-së për dialogun dhe atë të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor gjatë kësaj jave në kuadër të vizitës së tyre në Kosovë.

“Po, do të ketë një darkë. Por, do të ketë edhe takime tjera”, i tha shkurtimisht Nacionales zëdhënësja politike dhe anëtarja e kryesisë së këtij subjekti politik, znj. Sibel Halimi.

“Mirëpresim angazhimin e BE-së dhe përfshirjen e SHBA-ve në dialog”, shtoi më tej ajo.

Lajçak nga BE dhe Escobar nga administrata amerikane do të vizitojnë Prishtinën gjatë këtyre ditëve, dhe përveç krerëve institucionalë do të takojnë edhe opozitën.

Një vizitë e tillë e kësaj dysheje në Kosovë - e cila nuk është e para - po shihet edhe si rritje e rolit të SHBA-ve në dialogun Kosovë-Serbi, diçka që ishte kërkuar shpesh nga liderët politikë të vendit tonë.

Lajçak dhe Escobar kishin qenë edhe në Bruksel, gjatë rundeve të takimit Kurti-Vuçiq të ndërmjetësuar madje edhe nga vetë shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Darka e dyshes me opozitën mësohet se do të mbahet në rezidencën e ambasadorit amerikan Jeff Hovenier.

Lajme të ngjashme