Qeveria Kurti premtoi "fushatë sensibilizimi" te serbët e Kosovës deri më 1 shtator, Serbia e 'realizoi' - NACIONALE

Qeveria Kurti premtoi "fushatë sensibilizimi" te serbët e Kosovës deri më 1 shtator, Serbia e 'realizoi'

1 vit më parë

nga NACIONALE

Pas tensioneve në veri të vendit, Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të shtynte zbatimin e reciprocitetit për letërnjoftime dhe targa për 1 shtator. Deri më këtë datë, u premtua “një fushatë vetëdijësimi” me informacione të sakta për serbët për të luftuar dezinformatat që vinin nga pala tjetër. Kërkesë kjo e bërë edhe nga ambasadori amerikan. Por, a ndodhi kjo fushatë?

Shtyrja e zbatimit të vendimeve për reciprocitet ishte bërë pas kërkesës së ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, bërë kryeminsitrit të Kosovës, Albin Kurtit.

“Një nga arsyet që jam këtu për takim... është që të përcjell një kërkesë të qartë të Qeverisë së ShBA-ve për shtyrjen e zbatimit të dy vendimeve për 30 ditë. Mendoj se shtyrja për 30 ditë është e rëndësishme pasi shihet se ka keqkuptime dhe dezinformata rreth këtyre vendimeve...” – kishte thënë ambasadori Hovenier pas takimit me Kurtin në orët e fundit të datës 31 korrik.

Kërkesa amerikane ishte përfillur, të paktën me fjalë, nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, më 2 gusht në një intervistë në trasmetuesin publik kishte deklaruar se më 1 shtator vendimi do të respektohej nga serbët e Kosovës – për dallim nga mosrespektimi më 1 gusht – për shkak se Qeveria do të lansonte një fushatë sensibilizimi.

Prej 2 gushtit kur ishte dhënë ai zotim kanë kaluar rrafsh njëzet ditë, ndërsa kanë mbetur vetëm edhe nëntë deri në fillimin e zbatimit të reciprocitetit që është paraparë të nis më 1 shtator.

Për të mësuar më shumë në lidhje me këtë çështje, Nacionale pyeti analistin serb nga Kosova, z. Ognjen Gogiq.

Ai mohoi se është bërë diçka në këtë drejtim.

“Nuk ka kurrfarë fushate informimi e sensibilizimi. Ministri i Brendshëm, Sveçla, ka dhënë disa intervista për mediat shqiptare, dhe më pas mediat serbe e kanë mbuluar atë gjë, duke bërë storie me atë që ai ka thënë – por nuk mund të themi se po bëjnë diçka për këtë gjë (fushatën e informimit). E vetmja ‘fushatë’ që mund ta mendojmë është... kur kryeministri Kurti inçizoi ato video-spotet në serbisht... Ata ofruan informacione për targat, por nuk jam i sigurt që ato përbëjnë fushatë informimi... Shkurtimisht, nuk ka fushatë informimi.” – u shpreh z. Gogiq.

Më tej, ai tregoi edhe për të tjera probleme të ndërlidhura me vendimin për dokumentet e qarkullimit për serbët e Kosovës.

“Por, kur vjen te letërnjoftimet, (çështja) është më e komplikuar. Nuk është se e bënë përsëri, se e shpjeguan përmes intervistave – varet shumë se si e mbuluan mediet serbe (nga mediet shqiptare). Ka shumë çështje që duhet t’i adresojnë. Ka serbë të Kosovës që lënë Kosovën e nuk kanë letërnjoftime të Kosovës – dhe nuk është se i refuzuan ato, por ka pengesa procedurale si njerëzit që janë martuar dhe më pas nuk njihen martesat... e kështu me radhë. Ka edhe të rinj që duhet ta dëshmojnë se janë të lindur në Kosovë, e kështu me radhë (për t’u pajisur me dokumente të Kosovës). Ka shumë raste në Graçanicë, e Gjilan dhe rajone tjera – njerëz që janë martuar... nuk është çështje thjesht e informimit, por më shumë e takimit të tyre dhe e adresimit të këtyre problemeve. Kjo është diçka që Kurti ka dështuar ta bëjë, edhe pse ka premtuar se do të angazhohet në dialog të brendshëm. Nuk ka të bëjë thjesht me fushatë informimi, por me dialogun që kurrë nuk ndodhi.”

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kishte premtuar se dialogun e brendshëm me serbët e vendit do ta bënte para dialogut me përfaqësuesit politikë të Serbisë në Bruksel. Fatkeqësisht, ai nuk e kishte realizuar këtë premtim, me takimin e tretë formal mes tij e presidentit serb Vuçiq që ndodhi të enjten e 18 gushtit.

Edhe Qeveria e Kosovës kishte shprehur bindjen me anë të kryeministrit se qytetarët serbë të Kosovës ishin të keqinformuar nga mediet dhe përfaqësuesit politikë të Beogradit në lidhje me çështjen në fjalë.

Për fat të keq, pas përfundimit të të paktën dy rundeve të negociatave në Bruksel, kryeministri Kurti nuk ka folur fare (pritet të flas të mërkurën, më 24 gusht) duke i dhënë hapësirë të madhe keqinformimi përfaqësuesve serbë, me Vuçiqin dhe Petkoviqin (drejtor i Zyres për Kosovë) që ngritën pretendime të paqëndrueshme.

Lajme të ngjashme