Nuk e njohin si “Presidente në detyrë”: Opozita ia kthen prapa ftesën Albulena Haxhiut për takim
Albulena Haxhiu u kërkoi “reflektim deri të martën”, por ftesa e saj u refuzua prereazi.
PDK, LDK dhe AAK përjashtuan ftesën e saj, duke mos ia njohur as kualifikimin e vetes së “Presidente në detyrë.”
Haxhiu e arsyetoi thirrjen e saj me tri procese zgjedhore të njëpasnjëshme, të cilat, sipas saj, kanë prodhuar rezultate të përafërta.
“Tre procese të njëpasnjëshme zgjedhore me rezultat të përafërt janë dëshmi e bollshme që pa dialogim politik nuk ka zgjidhje”, deklaroi Haxhiu.
Sipas saj, nyja kryesore është Presidenca, pasi pa një marrëveshje për këtë post Kosova mund të rikthehet sërish në zgjedhje.
“Çështja e Presidentit, në rastin tonë, është hapi i parë nga duhet të nisemi”, tha Haxhiu.
Ajo shkroi se VV do dialog politik me të gjitha subjektet parlamentare, duke thënë se zgjedhjet duhet të jenë alternativa e fundit.
“Zgjedhjet do të duhej të ishin opsioni i fundit nëse jo fare opsion”, deklaroi ajo.
Opozita nuk e pranoi autoritetin e Haxhiut për ta thirrur këtë takim.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij nuk do të zhvillojë negociata me Haxhiun.
“Ne takimet i zhvillojmë me kryetarët e partive”, tha Abdixhiku, ndërsa për Haxhiun tha se është “vetëm deputete.”
“Në këtë rast takimin e vetëm që mund ta bëjmë është me kryetarin e LVV-së, Albin Kurtin”, shtoi ai.
Refuzimi i LDK-së erdhi në një moment kur negociatat e saj me Vetëvendosjen tashmë kishin përfunduar pa marrëveshje.
Alenca-ja ishte edhe më e drejtpërdrejtë në përgjigjen e saj, duke e kundërshtuar vetë premisën mbi të cilën ishte ndërtuar ftesa.
Kryetari Ardian Gjini i shkroi Haxhiut se ajo nuk kishte mandat për të luajtur rolin e ndërmjetësueses politike.
“Ju nuk jeni Presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik”, shkroi Gjini.
Gjini akuzoi Vetëvendosjen se nuk po kërkon kompromis, por një mënyrë për ta menaxhuar politikisht krizën.
“Po kërkoni takim të gjeni fajtor për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje”, shkroi ai.
Sipas tij, pushteti po synon ta zgjasë bllokadën deri në një datë që i përshtatet mbajtjes së zgjedhjeve.
“Aleanca e ka kuptuar këtë lojë dhe nuk ju jep alibi”, deklaroi Gjini.
PDK-ja iu bashkua refuzimit, por e lidhi kundërshtimin e saj me funksionimin e Kuvendit dhe jo vetëm me rolin e Haxhiut.
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, e cilësoi ftesën si “manipulim” të Vetëvendosjes.
Sipas tij, Haxhiu duhej t’i drejtohej kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për zhbllokimin e punimeve parlamentare.
“Prandaj, ky është një manipulim i radhës dhe PDK-ja nuk do të jetë në atë takim”, deklaroi Ismaili.
“Ne do të jemi në Kuvend, ta mbrojmë Kushtetutën”, shtoi ai.