E konfirmon LDK-ja: Po, do të ketë darkë - mbështesim përfshirjen e ShBA në dialog dhe angazhimin e BE-së - NACIONALE

E konfirmon LDK-ja: Po, do të ketë darkë - mbështesim përfshirjen e ShBA në dialog dhe angazhimin e BE-së

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka pranuar se do të ketë një darkë me përfaqësuesin e BE-së për dialogun dhe atë të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor gjatë kësaj jave në kuadër të vizitës së tyre në Kosovë.

Ky konfirmim ka ardhur për gazetën Nacionale, pak orë pasi ky medium me burime ka raportuar për një gjë të tillë.

“Po, do të ketë një darkë. Por, do të ketë edhe takime tjera,” - i tha shkurtimisht Nacionales zëdhënësja politike dhe anëtarja e kryesisë së këtij subjekti politik, znj. Sibel Halimi.

“Mirëpresim angazhimin e BE-së dhe përfshirjen e ShBA-ve në dialog,” – shtoi më tej ajo.

Lajçak nga BE dhe Escobar nga administrata amerikane do të vizitojnë Prishtinën gjatë këtyre ditëve, dhe përveç krerëve institucionalë do të takojnë edhe opozitën.

Një vizitë e tillë e kësaj dysheje në Kosovë - e cila nuk është e para - po shihet edhe si rritje e rolit të ShBA-ve në dialogun Kosovë-Serbi, diçka që ishte kërkuar shpesh nga liderët politikë të vendit tonë.

Lajçak dhe Escobar kishin qenë edhe në Bruksel, gjatë rundeve të takimit Kurti-Vuçiq të ndërmjetësuar madje edhe nga vetë shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Darka e dyshes me opozitën mësohet se do të mbahet në rezidencën e ambasadorit amerikan Jeff Hovenier.

Po ashtu, një gjë e tillë do të ndryshonte dinamikën e dialogut, me rolin e BE-së që është kritikuar në vazhdimësi - edhe për shkak se mban pozicion neutral në lidhje me Pavarësinë e Republikës së Kosovës.

LDK nuk ofroi detaje të tjera për takimin, por çështja në fokus e diskutimeve gjatë darkës – e edhe takimeve tjera – do të jetë ajo e “dialogut me Serbinë”.

Kjo parti politike ka qenë kritike ndaj qasjes së Qeverisë në dialog, dhe në veçanti ndaj mungesës së transparencës.

Kurti dhe Vuçiq më 18 gusht zhvilluan takimin e tretë formal (pa numëruar takimet joformale). Deri më tash, kryeministri i vendit nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me diskutimet e bëra megjithëse ka premtuar se do të flas të mërkurën.

Lajme të ngjashme