‘Më duhet me shku’: Kurti tregon planin e ri për targat dhe ikë nga konferenca për media - NACIONALE

‘Më duhet me shku’: Kurti tregon planin e ri për targat dhe ikë nga konferenca për media

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pasditen e së premtes ka mbajtur një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë, ku foli rreth një plani të ri për zbatimin e vendimit për targa.

Shefi i ekzekutivit tha se fillimisht do të ketë “masa të qortimit”, pastaj “masa të gjobitjes”, ndërkaq në fund, konfiskim të veturave.

“Për 3 javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor masa do të jetë e qortimit. Nga 21 nëntori për 2 muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, tha ai.

Kurti para gazetarëve ka pretenduar se kjo nuk nënkupton që zbatimi i vendimit është shtyrë, por vetëm është shkallëzuar.

“Ne nuk e kemi shtyrë zbatimin e vendimit, e kemi shkallëzuar atë, dhe mendojmë se kjo është zgjidhja më e mirë tani. Në javën e parë të nëntorit e kemi Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet me kancelarin Scholz. Por gjithashtu do të kemi edhe takime të tjera të rëndësishme, për pozicionin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Jemi të vetëdijshëm që ka një fushatë agresive, kriminale, e cila vjen nga Serbia kundër serbëve të Kosovës, dhe gjitha këto na kanë bërë të mendojmë që zbatimin e vendimit ta përshkallëzojmë”, tha kryeministri.

Kurti ka treguar se vendimin e ri për targat ua ka prezantuar edhe ambasadoreve të vendeve të QUINT-it. Ai ka thënë se ata nuk e kanë ditur më herët për këtë vendim.

“Paten disa pyetje dhe pastaj thane se ju nevojitet që të konsultohen me kryeqendrat e tyre për ta dhënë mendimin lidhur me këtë vendim tonim”, ka thënë ai.

Kurti nuk ka pranuar shumë pyetje nga gazetarët, duke u larguar nga konferenca pa treguar arsyen.

Në momentin kur një gazetare iu drejtua atij me pyetje, ai tha “Më duhet me shku” dhe kërkoi që pyetjet t’i parashtrohen ministrit Xhelal Sveçla.

Lajme të ngjashme