Pas presionit ndërkombëtar, tërhiqet pak Qeveria: Kurti jep disa afate shtesë për targa - NACIONALE

Pas presionit ndërkombëtar, tërhiqet pak Qeveria: Kurti jep disa afate shtesë për targa

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në mbledhjen e qeverisë rreth vendimit për targa.

Pas presioneve ndërkombëtare, ai ka ofruar një plan të ri, që e ka quajtur “shkallëzim”. Kurti në mbledhjen e qeverisë ka ofruar disa data të reja për mënyrën se si do të zbatohet vendimi për targat.

“Targat PR, KM, PZ, UR, PE, DA janë targa ilegale. Qeveria e Kosovë spërmes vendimit ka obliguar pronarët e mjeteve që të njëtjti t’i kthejnë në RKS”, tha fillimisht Kurti.

“Kemi zhvilluar diskutime të brendshme se kemi ardhur në përfundim të sjellim një vendim që bën shkallëzim të sanksioneve me rastin e zbatimit të vendimit”, deklaroi më tutje kryeministri, transmeton Nacionale.

Por, cili është plani?

Kurti tha se fillimisht për serbët do të ketë qortim, pastaj gjobitje, e më vonë konfiskim të veturave.

“Për 3 javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor masa do të jetë e qortimit. Nga 21 nëntori për 2 muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes, dhe më pastaj nga 21 janari do të kemi targa provuese dy muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill nuk mund të ketë sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, deklaroi kryeministri i vendit.

“Me këtë rast, me këtë shkallëzim tregojmë edhe një herë seriozitetin tonë që pa dyshim të zbatojmë vendimin që kemi marrë, port ë japim shansë të gjithë atyre që janë të interesuar të integrohen. Kjo është mënyra që ta zbatojnë ligjin, dhe përgjigjen tonë për ndjeshmërinë e shtuar ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë në vendin tonë dhe jo vetëm”, përfundoi Albin Kurti.

Takimi me ambasadorët e QUINT-it

Para se ta mbledhë qeverinë, Kurti i priti në takim për të disatën herë ambasadorët e vendeve të QUINT-it. Nga aty u paralajmërua, se Kurti do të fliste në mbledhjen e qeverisë, aty edhe ku e dha lajmin për këtë përshkallëzim.

Kërkesa e Shteteve të Bashkuara

Amerikanët ishin shumë këmbëngulës në lidhje me kërkesën për shtyrjen e këtij vendimi. Madje i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, javën e kaluar, kur po qëndronte në Prishtinë, tha se kjo është një kërkesë personale e sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken.

Biseda jonë për këtë është ende në një fazë të ndjeshme. Shpresoj shumë që do ta zgjatin afatin, shpresoj se do ta pranojnë kërkesën e vendeve të Quint-it dhe kërkesën personale të sekretarit të Shtetit për ta shtyrë atë, për ta bërë zbatimin më pak kaotik dhe për t’i krijuar kushtet për zbatimin e duhur”- tha Escobar-i.

Telefonata që “s’e pamë”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka biseduar të enjten me Derek Chollet-in, këshilltar special në Departamentin amerikan të Shtetit. Sidoqoftë, deklarimin në lidhje me këtë telefonatë shefi i ekzekutivit e pati goxha ndryshe nga zyrtari amerikan.

Ky i fundit, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në “Twitter”, ka bërë të ditur se njëra prej çështjeve që u diskutua në bisedën mes tyre, ishte shtyrja e zbatimit të vendimit për targat.

Veç kësaj, Kurti e Chollet-i kanë diskutuar edhe për shmangien e tensioneve.

Fola me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sot për ta diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të rregullave të reja të targave, pa konfiskime apo gjoba. Gjithashtu, diskutuam për partneritetin tonë dhe synimet e përbashkëta për avancimin e integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”- ka thënë Chollet-i.

Kryeministri kosovar duket se i ka fshehur pjesët kryesore që i diskutoi me këshilltarin amerikan.

Asnjërën prej dy hollësive të lartpërmendura nuk e përmendi Kurti, i cili në postimin e tij, të publikuar para se të reagonte Chollet-i, tha se kanë folur për “mbështetjen e vazhdueshme të ShBA-së për Kosovën".

Sot fola me Këshilltarin Special Amerikan, Derek Chollet dhe e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën për integrimin euroatlantik. Siç tregohet në @TheWJP Raporti i vitit 2022, Kosova duke u renditur si e para në WB6 dhe e dyta më e përmirësuara në nivel global, ne përsëri dëshmojmë se sundimi i ligjit shkon krah për krah me paqen, sigurinë dhe demokracinë”- shkroi Kurti.

Lajme të ngjashme