Shkurt e shqip: Si do të zbatohet vendimi për qortim, gjobë e konfiskim?
Vendimi i Qeverisë për targat ilegale, i cili pritej të hynte në fuqi nga 1 nëntori, ka pësuar ndryshim.
Këtë ndryshim kryeministri Kurti e quajti “shkallëzim”: qortim tri javë, masë e gjobitjes dy muaj, targa provuese dy muaj, nga prilli konfiskim.
Le t’i marrim me radhë. Proceduralisht, ligjërisht, si do të zbatohet vendimi në terren?
Gazeta Nacionale sjell hollësi.
Qortimi ishte masa që e zgjoi interesin më të madh publik nga të gjitha masat e tjera.
Çka është Qortimi?
Qortimi është masë e paraparë në Ligjin për Kundërvajtje.
Neni 28 i këtij ligji quhet “Kushtet për shqiptimin e sanksioneve kundërvajtëse”
Pikërisht në këtë nen, pika e dytë e tij e përmban masën e qortimit, ku thuhet: Qortimi shqiptohet në vend të gjobës, kur bëhet fjalë për kundërvajtje më të lehtë.
Krahas gjobës, e cila është sanksion kryesor, qortimi e zëvendëson atë, është sanksion më i lehtë dhe shqiptohet për kundërvajtje më të lehta.
Zakonisht, qortimi shqiptohet si masë e përbashkët, me ndonjë masë më të rëndë, por mund të shqiptohet edhe si e vetme, atëherë kur parashihet me ligj.
Pra, në rastin e atyre që lëvizin me targa ilegale, Policia e Kosovës pritet t’i sanksionojë me qortim për të cilin nuk do të paguajnë, por thjesht do të paralajmërohen e evidentohen si “të qortuar”.
Pas tri javëve qortim, vendimi “i shkallëzuar” qeveritar e parasheh gjobitjen.
Çka është gjoba?
Operacionalisht, në rastin e vendimeve për targa, këtë sanksion pritet ta shqiptojë Policia e Kosovës, përkatësisht njësitet përgjegjëse, ato për komunikacion. Pra, deri në këtë fazë nuk pritet ndonjë intervenim i njësive speciale.
Gjoba është sanksioni apo ndëshkimi kryesor kundërvajtës.
Gjoba mund të shqiptohet me shumë të përcaktuar të parave, të caktuar me ligj. Shuma të cilën e parasheh ligji për kundërvajtje, nuk mund të jetë më e vogël se 30 euro dhe jo më e lartë se dy mijë euro.
Pas qortimit e gjobitjes, faza tjetër e vendimit e parasheh masën e “targa provuese”.
Çka janë targat provuese?
Targat provuese parashihen me Ligjin për Automjete, saktësisht në nenin 39, i cili quhet “Kushtet për pjesëmarrje në trafik rrugor”.
Aty, në pikën 1 thuhet: “Në mënyrë që të marrin pjesë në trafik rrugor, mjetet duhet të jenë të regjistruara dhe të posedojnë certifikatë të regjistrimit të mjetit valide ose leje valide për ngasje provuese, të jetë i shënuar me targë të regjistrimit ose traga provuese të vendosura për identifikim të mjetit.”
Veprimi kundër këtij neni parashihet të sanksionohet me 150 euro gjobë.
Konfiskimi
Në fakt, 1 nëntori është pritur të jetë data kur secila veturë me targa ilegale në Kosovë do të konfiskohej.
U proklamua sikur të jetë masë shumë e rëndë e sa herë u fol për të, njësitet speciale, tensionet e bllokimi i rrugëve ishin fjalët e përmendura.
Në fakt, konfiskimi parashihet te Ligji për Kundërvajtje, në nenin 38 të tij.
“Konfiskimi i pasurisë dhe i dobisë pasurore dhe marrja e sendit”, quhet neni.
Aty thuhet se “sendet që janë përdorur ose kanë qenë të destinuara për kryerjen e kundërvajtjes, ose që kanë lindur me kundërvajtjen e bërë, mund të merren, nëse janë pronë e kryesit të kundërvajtjes”.
Në këtë fazë, sipas njohësit të çështjeve të sigurisë, Drizan Shala, mund të futet “në lojë” njësia speciale.
“Këta policë duhet mbështetur nga NjRSh-ja, NjSO-ja, në përimetrin e sigurisë, te pikat e kontrollit. Pra problemi do të qëndrojë se sa do të jenë lojalë këta policë, të cilët në të kaluarën janë dëshmuar që u kanë shërbyer grupeve kriminale , strukturave paralele të sigurisë. Problemi nuk do të jetë forma e zbatimit, por do mbetet forma e qëndrueshmërisë së zbatimit, nëse merren për bazë pengesat politike që do ta determinojnë procesin”- tha Shala.
Pra, vendimin e shumëpërfolur, hë për hë, duhet ta zbatojnë policët e rendit, stacionet policore të nivelit komunal.
E njësia speciale futet “në lojë”, vetëm atëherë kur është e nevojshme që të mbrohen policët e rendit.
Kush tjetër futet “në lojë”?
Aleksandër Vuçiq & Lista Serbe.
Në një takim të mbajtur para disa ditësh, ndërmjet presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, dhe kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, u paralajmërua “rezistenca”.
Rezistenca, praktikisht, pritet të bëhet me bllokim të rrugëve, ashtu siç paralajmëroi Rakiqi nga ky takim.
“Nëse Prishtina fillon me dhunë, me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e automjeteve, ne do t’i bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore”- tha Rakiqi në një konferencë për medie në Beograd.
Rakiqi tha se presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i është thënë se nëse “Forcat e Sigurisë së Kosovës, njësitë speciale të policisë apo dikush tjetër fillon ta konfiskojë pronën tonë - dhe prona tona janë pikërisht targat, që janë arsyeja e takimit-, ne do t’i përdorim të gjitha mjetet në mënyrë demokratike dhe paqësore për të rezistuar dhe do të jetë rezistenca e popullit”.
Pamundësia e zbatimit të vendimit nga patrullat policore atje, në një “rezistencë” të paralajmëruar, i fusin “në lojë” njësitë speciale të Policisë së Kosovës.
E nëse “rezistenca” e përfshin bllokimin e rrugëve, siç e kemi parë tashmë disa herë, në skenë pritet të paraqitet KFOR-i.
Një gjë të tillë kjo forcë e paralajmëroi vetë, duke thënë se është plotësisht e gatshme që të ndërhyjë, nëse rrezikohet stabiliteti.
“Trupat e KFOR-it po e monitorojnë nga afër situatën në terren dhe janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë, nëse rrezikohen stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizje.”
“Njësitë janë duke kryer aktivitete stërvitore për ta ruajtur nivelin e tyre të lartë të gatishmërisë dhe për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, sipas mandatit të KFOR-it nga OKB-ja.”- është përgjigja e KFOR-it në lidhje me situatën e sigurisë dhe rolin e tij për ta ruajtur paqen.
Proceduralisht, deri këtu, del të jetë situatë e parashikueshme. Pikëpyetjet e mëdha, si duket, kanë të bëjnë me atë se çfarë do të ndodhte pas kësaj situate.



