‘Formula e shkallëzimit’: Kurti në zbatim të 'formulës magjike' për ta qetësuar Amerikën - u la në lloç herën e parë - NACIONALE

‘Formula e shkallëzimit’: Kurti në zbatim të 'formulës magjike' për ta qetësuar Amerikën - u la në lloç herën e parë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Çdo lider në Kosovë do ta kishte ëndërr që fjalët e tij të nxirrnin nga dy kuptime njëherësh: një kuptim për votuesit e tyre (si parimorë, të pathyeshëm etj.) dhe një kuptim për Amerikën (si njeri i kompromisit, paqes, stabilitetit). Albin Kurti po provon të bëjë këtë ëndërr realitet me anë të një formule që të paktën deri tash i ka dështuar.

“Kur të na thotë Amerika kërceni, ne nuk pyesim ‘pse’ por ‘sa’!” – kishte thënë Albin Kurti pas ardhjes në pushtet. Por, duket se kjo është thjesht një fjalë goje pa ndonjë kuptim pasi ai ende – megjithëse dëshiron – nuk di të lëshojë pe si duhet.

Së fundi, kryeministri ynë provoi të gjente një ‘formulë’ për të rehatuar zotimin e tij kundër targave ilegale serbe prej 1 nëntorit dhe kërkesës amerikane për një shtyrje dhjetëmujore të vendimit. Por, nuk ia doli!

Në një anë, ai shkeli zotimin e dhënë dhjetëra herë në paraqitje publike se nuk do të kishte shtyrje të afatit për hyrjen në fuqi të vendimit për targat. Në tjetrën, përkundër që shkeli atë zotim nuk ia doli të mos zemëronte e zhgënjente partnerin më të madh të Kosovës, Shtetet e Bashkuara.

Por, kjo nuk është hera e parë që Kurti provon të gjejë ‘formulë’ për të pajtuar qëndrime politike krejtësisht të papajtueshme dhe nga e cila e ka pësuar në të kaluarën ai vetë, e me të edhe Kosova.

Formula e 27 shkurti 2020

Kurti ishte emëruar kryeministër për herë të parë më 3 shkurt të vitit 2020. Ai kishte premtuar në atë kohë se do të vendoste masën e Reciprocitetit të plotë tregtar, ekonomik e politik ndaj Serbisë.

Por, në duar atij Ramush Haradinaj i kishte lënë një ‘mjet’ tjetër kundër Serbisë: taksën 100%. Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdimisht kishin bërë trysni që tarifa doganore në fjalë të hiqej ndërkohë që Reciprociteti të mos vendosej.

Kurti kishte hezituar që ta hiqte taksën e vënë nga Haradinaj, duke u shprehur “taksa do të hiqet porsa të vendoset reciprociteti”. Kjo nuk kishte ndodhur.

Vetëm 24 ditë pas votimit si kryeministër, Kurti do ta thirrte një Konferencë të jashtëzakonshme për medie e në të cilën do të komunikohej vendimi i tij i shumëpritur.

Por, ai kishte gjetur një ‘formulë’ në të cilën në një anë mundohej ta shpëtonte fytyrën e në tjetrën mundohej t’i kënaqte ShBA-të.

“Gjatë javës së ardhshme do të marrim vendim që nga data 15 mars 2020 të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosna e Hercegovina.” - kishte thënë Kurti. Më 1 prill, do të hiqej tarifa për të gjitha produktet e importuara nga këto dy shtete.

Ishte formula e shkallëzimit.

Pjesa kritike e opinionit publik në Kosovë e kishte interpretuar vendimin e Kurtit si “zmbrapsje” të tij, ndërsa pjesa mbështetëse kishte qëndruar përgjithësisht e heshtur në moskuptim. Por, ShBA-të do të reagonin dhe atë në mënyrë mjaft të ashpër duke kërkuar heqje të menjëhershme të taksës.

Pas këtij vendimi të Kurtit, ShBA-ja dhe emisari special Richard Grenell kishte shtuar presionin ndaj partnerit të koalicionit qeverisës të Kurtit, LDK-së. Kjo kishte kulmuar me rrëzimin e Qeverisë Kurti më 25 mars 2020.

Formula e 28 tetorit

Kurti përsëri provoi që të gjente shpëtim me anë të një ‘formule’ me elemente datat më 28 tetor.

Për tri javë, nga 1 nëntori e deri më 21 nëntor masa do të jetë ajo e qortimit. Nga 21 nëntori e deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes. Dhe nga 21 janari do të kemi targa provuese për dy muaj tjerë. Dhe nga 21 prilli nuk do të lejohen targa ilegale në Kosovë.

“Ne nuk e kemi shtyrë zbatimin e vendimit, e kemi shkallëzuar atë,” – u shpreh kryeministri pas komunikimit të vendimit të tij të sërishëm për ‘shkallëzim’ të vendimit.

Kështu tha Kurti, dhe reagimi i ShBA-ve ishte i menjëhershëm dhe më i ashpër se asnjëherë.

“Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera dhe shqetësuara që qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesën për ta bërë një gjë të tillë (shtyrë vendimin) nga partnerët e saj ndërkombëtarë.” – thuhej mes tjerash në reagim.

Qëndrimin e ShBA-ve u bë e ditur se e ndan edhe Bashkimi Evropian (BE).

A është përdorur ‘formula e shkallëzimit’ tjetërkund?

Kryeministri Kurti njihet si një ndër politikanët që ka ndërruar qëndrimet e tij politike vazhdimisht. Për ta arsyetuar një veprim të tillë, zëvendësi i tij Besnik Bislimi kishte bërë një deklaratë mjaft të çuditshme:

““Me nxjerrë përfundimin se një qëndrim i vitit 2018 duhet të vlejë për vitin 2022, osht absurd. Kjo është sikur me i thanë dikujt që ka thanë në vitin 2018 “i kom 25 vjet”, pse nuk po thotë i kom 25 vjet edhe në vitin 2022.”kishte thënë ai.

Por, përtej ‘absurditetit’ të zëvendësit të tij në Qeveri, Kurtit do t’i hynte në punë ndonjë ‘formulë’ e caktuar për t’i arsyetuar ndryshimet me raste radikale të qëndrimeve të tij.

Kjo ishte fjalia e tij për të arsyetuar ndryshimin e qëndrimit për Marrëveshjet e Energjisë.

“Po bëj pranimin minimal të realitetit, për ndryshimin maksimal të tij,” – kishte thënë Kurti, duke thënë shenjë se ky ishte epigrafi i një formule të re që papritmas do t’i bënte të gjitha qëndrimet e shkelura të pashkelura nga ana e tij.

Dhe, nëse e vini re me kujdes ehde fjalia e mësipërme e thënë nga Kurti përfshin po ashtu dimensionin kohor. “Pranimi i realitetit” është i vendosur në fillim, dhe “ndryshimi maksimal i tij” është i vendosur në fund. Për ilustrim: “pranimi i realitetit” mund të jetë i vendosur më 21 qershor 2022 kur u arrit marrëveshja për energjinë, ndërsa “ndryshimi maksimal” mund të jetë arritur më 17 a 18 tetor kur u arrit një marrëveshje (për të cilën përveç që u arrit, nuk dimë asgjë tjetër) për të mos i tërhequr licencën operatorit serb që e kishte poshtëruar Kosovën duke mos përmbushur kushtet sipas asaj marrëveshjeje.

Nëse ‘formula e pagëzimit’ (1462) nga Pal Engjëlli ishte dokumenti i parë i shkruar në gjuhën shqipe, ‘formula e shkallëzimit’ mund të jetë formula e parë në çfarëdo gjuhe të botës që pajton qëndrime krejtësisht të papajtueshme, ‘Po’-në dhe ‘Jo’-në.

Lajme të ngjashme