A po bëhemi të gjithë memecë? - NACIONALE

A po bëhemi të gjithë memecë?

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Nesër pritet të zgjatohet fjalia “Unë bëj pranimin minimal të realitetit, për ndryshimin maksimal të tij!” Nesër pritet të flas Albin Kurti për dialogun, pesë ditë pasi takoi Vuçiqin në Bruksel.

Vetëvendosje nuk ekziston më si subjekt politik, por si subjekt parapolitik ose për t’i ikur ngjyrimit kriminal të këtij cilësori, ekziston si një smartfon personal. Aktivistët e kësaj partie – prej presidentes e kryekuvendarit e deri te Sadri Ramabaja e profili i rremë Çerçiz Topulli– nuk kanë të drejtë të thonë diçka domethënëse.

Fatkeqësisht, vetëm kryeministri i Kosovës ka të drejtën të prodhojë ligjërim për Vetëvendosjen, e tash që është në pushtet, edhe për shtetin. Aktivistët tjerë, më e shumta që mund të bëjnë është të riformulojnë atë që Kurti e thotë (metaforikisht, të vendosin pikëçuditëse në një fjali që Kurti e mbyll me pikë) e më e shpeshta, të kapin armët (tastierat) për të ofenduar këdo që arrin të çajë rrethimin ligjërimor.

Për aq kohë sa Vetëvendosja ishte në opozitë, ky problem ishte i koncentruar vetëm brenda kësaj partie politike. Informacioni shtetëror ishte i lirë, mendimi ishte i lirë dhe sfera publike ishte më shpurdhuese. Kurti ka meritat e tij në nxjerrjen e ‘gjumit’ politik në të cilën kishte rënë shoqëria gjatë viteve 2000. Por, kjo nxjerrje gjumi u bë me piskamë, dhe me një piskamë që thoshte diçka të rreme.

Për shkaqe të kuptueshme, e kemi të vështirë ta marrim si rrenë piskamën e një njeriu. Apo, edhe ofshamën e një tjetër njeriu. Por, në rastin e Vetëvendosjes, të rreme ishin krejt piskamat, krejt ofshamat e bile edhe krejt heshtjet e saj. Ndryshimi i qëndrimeve të Kurtit përbën një problem tepër serioz për demokracinë, por po ashtu përbën edhe një vatër infeksioni për sferën publike. Është prodhuar një sëmundje endemike që rrezikon ta çojë në memecëri politike krejt shoqërinë.

Kurti sot nuk është vetëm lider i Vetëvendosjes, por edhe i shtetit. Pamundësia e tij që të pranojë gabimet e bëra, të pranojë ndryshimet e qëndrimeve të shprehura me fanatizëm, dhe sidomos pamundësia për ta zgjeruar ligjërimin e tij politik në mënyrë të logjikshme do të çojnë pikërisht drejt pamundësisë shoqërore për t’u shprehur. Më e shumta, do të kemi edhe mes nesh riformulime fjalish, interpretim pikash e pikëçuditësesh, interpretim të renditjes së fjalëve brenda fjalive etj. dhe më e shpeshta do të kemi ofendime banale.

Shumë shoqëri nuk kalojnë në fanatizëm për shkak të zhvillimeve të domethënshme të ideve. Në fakt, është bash stagnimi në zhvillim të ideve të reja ai që çon në rritje piskamash. Politika e Kosovës aktualisht është bash në këtë rrethanë: Në njërën anë Kurti shkeli qëndrimet një nga një dhe duket që nuk ka kurrfarë vizioni madhor për ecje përpara ndërsa në tjetrën opozita nuk arrin të distancohet nga praktikat e dëmshme korruptive qeverisëse dhe të ofrojë alternativë serioze politike.

Këto kohë po përflitet hapja e një partie të re politike. Nevoja për një subjekt të ri politik ka qenë e madhe qysh në mesin e viteve 2000, duke qenë se partitë ekzistuese atëbotë s’arrinin ta përthekonin realitetin që iu ndryshonte para syve. Kjo nevojë u përmbys nga Kurti dhe Vetëvendosje që ‘okupuan’ hapësirën përnjëmend kritike e opozitare. ‘Okupim’ që çoi në keqpërdorim të çdo kauze dhe që e bëri Vetëvendosjen një “catch all party”, që mori përfaqësimin e çdo grupi dhe të çdo shtrese shoqërore.

Siç e kam thënë edhe më përpara, nuk ka asnjë bindje politike – sado të majtë, sado të djathtë – që Albin Kurti nuk e përfaqëson në një mënyrë a tjetrën. Kjo përbën efektivisht një depolitizim të shoqërisë, por që në rastin tonë specifik, e shpërfaq edhe memecërinë për të cilën po flas. Pra, shpërfaq pamundësinë shoqërore që të shpreh diçka matanë nevoja fiziologjike, matanë funksioneve më bazike. ‘Pacientët zero” të kësaj memecërie i kemi aktualisht aktivistët e Vetëvendosjes, që qoftë përmes heshtjesh apo ofendimesh, shprehin thjesht do nevoja tepër bazike vetjake. Ky depolitizim që iu ka ndodhur atyre – po e përsëris: prej presidentes e teposhtë – rrezikon të na infektojë të gjithëve.

Takimi i 18 gushtit në Bruksel dëshmoi edhe një herë qasjen jotransparente të Albin Kurtit në dialog. Një jotransparencë që sulmon demokracinë pasi tashmë është bërë pjesë kyçe e propagandës së pushtetit. Por, dëshmoi njëkohshëm edhe dështimin e secilës përpjekje që kjo çështje e rëndësishme të paktën të gjente vend meritor në debatin publik.

Albin Kurti nuk përbën fundin e historisë së pluralizmit politik të Kosovës. Prandaj, opozitarizmi nuk është detyrë vetëm e partive opozitare (që po dështojnë ta bëjnë, edhe ashtu) por e secilit qytetar që s’është infektuar me memecërinë e lartpërmendur.

Lajme të ngjashme