E kemi kërkuar një kryeministër seksi, qe tash - NACIONALE

E kemi kërkuar një kryeministër seksi, qe tash

1 vit më parë

nga Berat Buzhala

“Don’t look up” është titulli e një filmi satirik, që tregon qysh njerëzimit po i vinte rreziku nga një kometë, mirëpo njerëzimi assesi t’ua jepte shkencëtarëve vëmendjen e duhur. E vetmja mënyrë për ta tejkaluar situatën ku ndodhet Kosova është është që të themi “Don’t look up (shq. mos shikoni përpjetë)” deri në momentin e impaktit, kur të na godas një ‘kometë'.

Berat Buzhala

Vërejtja më serioze e qytetarëve të Kosovës për Avdullah Hotin ka qënë “është shumë i urtë dhe monoton”. Ndonjë tjetër e vazhdonte duke thënë “shumë i butë”.
Dikush, pak më i zgjuar, e përdorte atë fjalën që të çon në një ligë më të lartë të analistit, thoshte “nuk është karizmatik”.

Një shoqëri ishte vënë në kërkim të një lideri ‘seksi’, me karizëm, qe na bjen tamam, që i plotëson pritjet tona. Një vend i vogël dhe deridiku i varfër, një vend ekzistenca e të cilit varet kryekëput nga ushtritë e huaja, që nuk është i njohur prej gati gjysmës së shteteve të botës, që është në kërkim të një paqeje dhe një marrëveshjeje të qëndrueshme me Serbinë, e cila mund të arrihet veç me një presion të madh ndërkombëtar, po e kërkonte një lider të fortë, që e ka guximin ta çojë në ‘rrotë të s’amës’ gjithë dynjanë, e posaçërisht ata që na kanë ndihmuar të çlirohemi. Kjo duket më shumë si sindrom se sa si kërkesë. Kërkesa për t’u ngritur mbi atë që të ka çliruar. Dëshira për ta kompenzuar një hendikep. Nevoja për ta bindur veten që ajo çfarë kemi dhe çfarë duam të kemi është në mënyrë eksplicite veçse meritë e jona. Dhe kjo nevojë erdhi nga poshtë. U shkatërrua çdo gjë këto 20 vjet. Një dëshirë për të zhbërë historinë dhe për ta përmirësuar atë.

Si zakonisht kur ka vlime të këtilla shoqërore gjendet edhe një prijës. Unë nuk mendoj që Albini e ka sjellë situatën këtu. Unë mendoj që situata e ka sjellë Albinin këtu. Ka mundësi që nuk është e prerë si me thikë, por megjithatë kërkohen shumë rrethana të krijohen në të njëjtën kohë, në mënyrë që eksperimenti të ketë sukses. Bie fjala, Nigel Farage, një lider nacionalist anglez, kishte kohë që po kërkonte një referendum për t’u ndarë nga Bashkimi Evropian. Askush në atë ishull nuk e merrte seriozisht, deri kur u pjekën rrethanat. Atë aventurë britanikët janë duke e paguar shtrenjtë. Inflacioni është më i larti në kontinent, monedha është devalvuar, kurse brenda partisë që i kishte fituar zgjedhjet, konzervatorëve, ka shpërthyer një kryengritje civile. Në dy muajt e fundit i kanë pasur tre kryeministra. Të gjithë atje e dinë se ku është në fakt problemi, por është një temë tabu tashmë. Do të ishte qesharake, posaçërisht për një shoqëri aq të konsoliduar dhe me aq traditë, që të trokisnin në derën e BE-së për një martesë të dytë. Britanikët po e vazhdojnë rrugën e tyre kështu.



Nejse, ky ishte vetëm një ilustrim, sa për të treguar, se ‘frajerllëku’ dhe egoja kushtojnë, veçanërisht kur aplikohen në arenën ndërkombëtare. Disa tema janë mjaft seksi për t’u debatuar, por e mira e të mirave do të ishte që të nisnin e sosnin në kafeteri, a në ndonjë fakultet. Mirëpo, fatkeqësisht, del dikush që ato dëshiron t’i testojë në mënyrë praktike. A e mbani mend avanturën greke, kur erdhën në pushtet, gati me revolucion, disa djem të rinj të një partie anarkike, Syriza? Brenda disa muajsh ata e kuptuan se eksperimenti në laborator dhe eksperimenti në ambient të hapur dallojnë. Të gjithë keni lexuar për punën e palodhshme të bërë nga shkëncëtarët për të zbuluar vaksinat kundër COVID’it. Eh, përpara se ato të aplikoheshin në trupin e njeriut, në masë, kalonin nëpër tri katër faza. Ndodhte që kishin sukses në fazën e parë, por jo në të dytën, e ndodhte që kishte sukses edhe në të parën e në të dytën, por jo në të tretën. Ose, kishte më shumë sukses te një racë, e më pak te një tjetër. Ndoshta jo për shkak të racës sa për shkak të klimës, ose faktorëve të tjerë. Pra, çka dëshiroj të them është kjo: Disa eksperimente dhe disa dëshira është më mirë të mos i testosh.

Ne me 14 shkurt patëm vendosur që t’i testojmë, duke ia dhënë mandatin e plotë një lëvizjeje politike dhe një njeriu që e kishte kurrizin shumë të drejtë dhe që u premtonte të gjithëve që e kishin kurrizin më të shtrëmber se ai që kur ta drejtojnë atë do t’u dhëmb vetëm në fillim. Pastaj do të jetojnë me dinjitet.

Po bëhen dy vjet prej kur eksperimenti ka filluar, kurse deri në këtë moment shpresat po mbahen gjallë me gënjeshtra, kurse në ballë të gënjeshtrës revolucionare qëndron i pathyer lideri seksi, ylli i rokut. Ai për ta justifikuar planin e tij, ose më mirë të themi, mungesën e planit të tij, sa herë që zihet ngushtë e shton dozën e rrenës. Kur një gënjeshtre të lëshuar një javë më parë, ia zë bishtin inflacioni, ai e lanson të dytën, duke folur për një raport, gjithashtu të manipuluar, për rritjen e nivelit të drejtësisë në vendin tonë. Kur edhe ai raport dekonstruktohet nga mediat, ai thotë se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë më i madhi në histori. Sa e bukur ishte kjo më histori. Aty përfshiheshin disa mijëra vjet. Është edhe më i madh se sa ishte buxheti në kohën e pellazgëve – gjithmonë nëse i presupozojmë si të sakta tezat e Jusuf Buxhovit dhe Marin Memës për lidhshmerinë direkte pellazgo-iliro-arbëroro-shqiptare. Nëse rastësisht dikush provon që të polemizojë me qeverinë duke thënë se çdoherë buxheti ishte më i larti në histori, sepse çdoherë ai ishte më i lartë se viti paraprak – dhe përqindja e rritjes nuk ishte më e larta dhe se në fakt buxheti ishte më i ulëti në histori, ata i mbyllin veshët. Pse është më i ulët? Sepse nëse e kemi parasysh inflacionin prej 20 për qind, bile në sferën e investimeve qeveritare, ai është shumë më i lartë, atëherë ky buxhet nuk e ka vlerën e një buxheti prej 2 miliard eurosh të para 3-4 vitesh.

Lideri ynë, mëgjithatë, duhet ta pranojmë, ka tjera synime. Ambicia e tij dhe karizma e tij shkon përtej shifrave bajate të ekonomisë. Ai është më i madh se sa kaq. Këto tema janë për Hekuranin e Bislën, kurse për Albinin duhet të flas bota. Aty përket ai. Prandaj, gradualisht është duke e çuar topin në atë terren. I zgjuar dhe i papërkulur, siç kishte thënë Hashim Thaçi shumë vite më parë, Albini ynë, lideri ynë seksi, ai që ‘ta çon’, ka filluar ‘të luajë koqe’ me Amerikën. Amerika i flet këtij për targa dhe marrëveshje finale, ky i tregon Amerikës për zhvillim ekonomik dhe rend e ligj. Amerika i kërkon këtij që t’i pezullojë disa vendime, ky e merr Xhelalin për kërpeshi dhe del me të në konferencë për shtyp për t’i treguar tri fazat e implementimit të vendimit të qeverisë për targat e veturave të serbëve të Kosovës. Xhelali i bindur si kurrë më parë, për të tretën herë që nga fillimi i këtij viti, me seriozitetin e njëjtë, flet pas Albinit dhe tregon qysh ministria që ai e udhëheqë do t’i implementojë me rigorozitetin dhe seriozitetin e kërkuar nga situata, të gjithë vendimet e qeverisë.

Për gjithë miqtë e Kosovës, për të gjithë ata hisedarë që ndihmuan në lirinë dhe pavarësinë tonë, dy tre muaj në vijim janë kritikë, por jo edhe për kryefrajerin e Kosovës. Ai ka tjera plane. Ai del nëpër ara, takohet me traktoristë të ndryshëm, tregon, siç thonë gjeneratat e reja, “dad jokes”. Ai e ka fituar komplet mandatin për të qënë karaxhoz. Mbi 50 për qind e qytetarëve e kanë mandatuar një njeri që nuk kishte plan. Plani i tij i vetëm ka qënë që në këto 20 vitet e fundit çdo gjë ishte shkatërruar, ishte rrënuar dhe kishte mbaruar.

“Don’t look up” është titulli e një filmi satirik, që tregon qysh njerëzimit po i vinte rreziku nga një kometë, mirëpo njerëzimi assesi t’ua jepte shkencëtarëve vëmendjen e duhur. Ata talleshin nëpër studio televizive, përqesheshin në rrugë, merreshin për të marrë. Në Shtëpi të Bardhë, kur më në fund për ta u rezervua një pritje, autoritetet ishin më të interesuara për të përfituar politikisht prej kësaj ngjarje, se sa për ta preventuar atë. Çdo gjë në këtë film portretohet si show. Nuk dëshirojnë të shikojnë përpjetë, deri kur bëhet vonë.

Në vendin tonë situata politike është e atij niveli. Kur jemi tek Shtëpia e Bardhë, kurrë Kosova atje nuk ka pasur aleat më të mirë dhe më të dëshmuar. Por Albin Frajerit as kjo nuk i duket e mjaftueshme. Kur aleati ynë kryesor është duke luftuar në disa fronte, ai në bashkëbisedim me ta, më shumë se sa për t’u koordinuar, e ka një dëshirë për t’i këshilluar.

Por nuk është ky problemi i vetëm aktualisht. Javën e ardhshme në Amerikë do të mbahen zgjedhjet, që njihen si mid-term elections (shq. Zgjedhjet e mesmandatit), ku amerikanët e zgjedhin 1/3 e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesëve. Për momentin të dy këto dhoma dhe Shtëpia e Bardhë janë nën kontrollin e Demokratëve. Të gjitha sondazhet tregojnë që republikanët po kthehen fuqishëm. Dhe jo ata republikanët tradicionalë, por MAGA republikanët. Pra, trumpistët. A ka nevojë që të tregoj më gjatë se çfarë raporti ka Kurti me këtë klasë të re politike?

E vetmja mënyrë për ta tejkaluar këtë situatë është që të themi “Don’t look up (mos shikoni përpjetë)” deri në momentin e impaktit.

Ky është cmimi që po e paguajmë dhe do ta paguajmë për eksperimentin e 14 shkurtit të vitit 2021.

Lajme të ngjashme