Garda e vjetër e LDK-së duhet të pensionohet - kjo është këshilla ime për Lumirin
Fillimi i punës si kryetar i LDK-së ka qënë i komplikuar për Lumir Abdixhikun. Reputacioni i paraardhësit të tij, që ka qënë edhe mentori i tij politik, ishte toksik. Po e përseris, jo personi, por reputacioni, jo për fajin e tij, por për shkak se jeta është e tillë.
Berat Buzhala
Kur ka qenë Lidhja Demokratike në pikën e saj më të ulët në vlerësimin e publikut? Nuk duhesh të jesh i mençur sa Besnik Bislimi për ta ditur këtë përgjigje. Me 14 shkurt të vitit të kaluar. Për pak nuk ra atje ku qëndron AAK-ja që nga themelimi i saj, në 10 për qind. Rezultat i tmerrshëm, që do të duhej ta bënte të mendonte çdo njeri. Rezultati i 14 shkurtit i LDK-së ishte më afër numrit magjik prej 5 për qind, testi i Nismës, se sa rezultati i fundit i para këtyre zgjedhjeve që e kishte pasë partia më e vjetër në Kosovë.
Nëse dikush do të kishte qëndruar në komë prej zgjedhjeve të vitit 2019 deri me 14 shkurt 2021, kur do t’i kishte parë këto rezultate, do të kishte menduar që ose Isa Mustafa ose Avdullah Hoti e kanë vra dikë personalisht, prandaj elektorati i ka ndëshkuar kaq rëndë. Realiteti është krejt ndryshe. Lidhja Demokratike e Kosovës u vu në grackë gjatë vitit 2021, duke ia lënë, siç thotë populli “kambët e arushës në dorë”. Asnjë krim për të cilin do të duhej të turpërohej LDK nuk e ka bërë. Për aq sa kishte pasur mundësi e kishte menaxhuar mirë pandeminë, kurse kishte arritur që ta ruante miqësinë e lënduar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shkuar në Shtëpinë e Bardhë për ta nënshkruar një marrëveshje. Kurthi i Kurtit kishte qënë aq i pabesë, sa marrëveshja në Shtëpi të Bardhë, me të cilën ishte realizuar njohja nga Izraeli, ishte shitur në publik si akt i tradhtisë. Kur po shkojmë drejt dyvjetorit të pushtetit të LVV-së Kosovën ende nuk e ka njohur asnjë shtet si shtet të pavarur.
Por, hej, edhe ajo çfarë kishte bërë Kurti quhet politikë. Amorale po, ama politika në vetëvete është amorale.
Nejse, çfarë dëshiroj të them në këtë shkrim është kjo: LDK edhe në pikën e saj më të ulët, përgjatë gjithë historisë së saj, ka qenë më fisnike dhe më korrekte se sa krejt partitë tjera. Thjesht ky subjekt është përballur me vështirësi dhe papërgjegjësi nga kundërshtarët politik.
Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të nisur një rrugë të re, Lidhja Demokratike e Kosovës e kishte pranuar me seriozitet rezultatin e zgjedhjeve të fundit, prandaj i organizoi zgjedhjet dhe prandaj e zgjodhi në krye të saj një udhëheqës si Lumir Abdixhiku. Lumiri ishte zgjidhje e mirë edhe taktike edhe përmbajtësore. Taktike, sepse murit me kokë nuk mund t’i biesh. Gracka ku e kishte futur Kurti dhe Osmani LDK-në ishte e komplikuar. Ishte gati e pamundur të fitohej kjo betejë ndaj tyre, duke e vazhduar avazin e vjetër. Nuk ka lidhje këtu nëse kishte faj Mustafa, Hoti a Veliu. Këta të tretë ishin gjetur në kundërkohë me zhvillimet. Pra, LDK e kishte të domosdoshme t’i përgjigjej sabotazhit të LVV’së në mënyrë adekuate. LVV do të dëshironte shumë që LDK të vazhdonte të udhëhiqej nga garda e vjetër. Kjo do t’u garantonte atyre propagandë të suksesshme edhe për disa vite. Është vështirë e pashpjegueshme, por shpesh herë konteksti është fatkeq. LDK ishte gjetur në një kontekst fatkeq dhe kishte vendosur që të futej në zjarrin e ndezur nga Kurti dhe Osmani.
Mirëpo tash kanë ndryshuar rrethanat, sado që pushteti po dëshiron që t’i mbajë të pandryshuara. LVV përmes mjeteve propagandistike, duke e parë që numrat po i zvogëlohen, po mundohet disi që siglën e LDK-së, brendin e saj, selinë e saj, ta quajë të infektuar dhe të tejkaluar, e sëkëndejmi edhe çdokënd që e udhëheq atë. Janë duke e parë që reforma që ata e kanë instiguar (shkaktuar) tek rivali direkt ka filluar të japë efekt dhe atë në kohë rekorde. Të humbësh kaq shumë pikë për një vit e gjysmë dhe të jesh krejtësisht i vetëdijshëm se ku po shkojnë ato vota duhet të jetë gjë e pakëndëshme. Kjo bëhet edhe më e pakëndëshme kur e kupton që plani për luftën civile në LDK ishte kurdisur në LVV. Tash po e kuptojnë që ai plan nuk po plaket aq mirë, sado që fillimi ishte premtues. Votat ia morën, asetin kryesor elektorat po, ia lanë veç selinë dhe emrin e keq. Kjo dukej ideale për të mos e kthyer as kokën drejt kësaj partie për kushedi sa kohë.
Fillimi i punës si kryetar i LDK-së ka qënë i komplikuar për Lumir Abdixhikun. Reputacioni i paraardhësit të tij, që ka qënë edhe mentori i tij politik, ishte toksik. Po e përseris, jo personi, por reputacioni, jo për fajin e tij, por për shkak se jeta është e tillë. Prej një pjesë të njerëzve, madje edhe prej votuesëve potencial të LDK-së, ishte më e logjikshme që Lumiri të kritikonte njerëzit e partisë së tij, se sa vetë Albin Kurtin. Më shumë se gjysma e votuesve të LDK-së kishin ikur në VV, kurse edhe këta që kishin mbetur nuk kishin mbetur nga dëshira, por nga lojaliteti.
Krejt ata që e kanë kritikuar Lumirin që është i butë me LVV-në e kanë pasur gabim. E thashë pak më lart, nuk ia vlen t’i biesh murit me kokë, kurse koha është aset i vlefshëm në politikë. Sa më shumë që LVV qëndron në pushtet, aq më shumë bie pluhuri në tokë, që e bën më të pastër vizionin, duke i ekspozuar në mënyrë më të qartë përgjegjësit politikë. Kur ka stuhi të madhe nuancat nuk dallohen. Me 14 shkurt krejt dukeshin të ngjashëm, përvec LVV-së.
Nuk e kishte të lehtë garda e vjetër e LDK-së. Ata kishin rënë në gjak pa e vra askënd. Bota u ishte përmbysur, ndonëse e kishin bërë gjënë e duhur. Më problematike se sa ta kenë të gjithë mirë përveç teje, është që ta kenë të gjithë keq përveç teje. Nuk gjen adresë për t’u ankuar. Garda e vjetër e kësaj partie është e pezmatuar në Lumirin aq sa është e pezmatuar te Albini e Vjosa. U duket që Lumiri është përfitues i parë i tragjedisë së tyre. Mund të jetë kështu, po e përsëris për të kushedi-satën herë, por, siç e thash më sipër, kjo është politika. Zoran Gjingjiq, lideri i vrarë serb, kishte thënë që “kushdo që kërkon moral në politikë, le të shkonë në kisha a në xhami,”
Është legjitime prej Mustafës, Hotit, Veliut etj., etj., që të kenë inati me Lumirin, por gjithashtu është legjitime edhe për Lumirin që të mbajë një distancë politike me ta. Përafrimi i Lumirit me gardën e vjetër, në këtë fazë, do të ishte gabim, pa marrë parasysh çka mendon. Sa më shumë që do të qeverisë Vetëvendosja, kjo gjë do të ndryshojë. Njerëzve aq shumë u ishte errësuar shikimi, sa ata kanë pritur që Albin Kurti edhe do t’i shërojë nga çdo problem jetësor. Një gjë e tillë nuk po u ndodh, përkundrazi, problemet sa vijnë e po rriten. Kur kjo ta mbërrijë një pikë kritike, një përqindje e madhe do të mund edhe të thonë “nuk e paska pasë keq Isa Mustafa” a Avdullah Hoti, a madje edhe Agim Veliu. Tash është shumë herët. Mbamendja është e freskët.
Prandaj, edhe garda e vjetër e LDK’së, e edhe Lumiri, në këtë fazë, do të duhej ta trajtojnë njëri-tjetrin me respekt. Garda e vjetër duhet ta dijë që nuk është Lumiri fajtor pse ata e kishin këtë fat, por fajtor janë të gjithë bashkë, nëse mund t’i quajmë fajtorë. Lumiri, në anën tjetër, distancimin prej tyre duhet ta bëjë në mënyrë të kujdesshme.
“Ndryshimi në LDK ka ndodhur. LDK nuk i përgjigjet Albin Kurtit por votuesit të saj. Votuesi e ka ndryshuar LDK-në. Për kryeministrat e LDK-së dhe kryetarët e LDK-së, ata që ishin para meje, janë historianët që do t’i vlerësojnë”. Pak a shumë Lumiri duhet të sillet brenda këtij tregimi.
Këto dy grupe, sado që grupi i vjetër me peshë minimale, duhet ta dinë që “rrethanat” ishin të tilla. Isa Mustafa duhet ta dijë që nuk ishte veç Albin Kurti që bëri koalicion me të, por edhe ai kishte bërë koalicion me Albinin. Gjithashtu ai duhet ta dijë që tash është koha e një gjenerate të re në LDK.
Lidhja Demokratike e Kosovës po e bën një punë të jashtëzakonshme. Reformat e nisura duhet të shkojnë deri në fund. Bashkë me Forumin e Gruas, me Forumin Rinor, duhet të reformohet çdo degë dhe çdo nëndegë e kësaj partie, deri në fshatin e fundit.


