Kurti: Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nuk i eviton zgjedhjet e reja
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka vlerësuar se ka marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, por duhet siguruar edhe numrat e nevojshëm.
Para hyrjes në seancë, ai ka thënë se konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e Qeverisë nuk i eviton zgjedhjet e reja.
“Marrëveshje politike kemi, këtë e kemi kërkuar, por natyrisht që marrëveshja politike duhet të na i sigurojë edhe numrat për të evituar zgjedhjet, sepse e dini konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë nuk i eviton zgjedhjet e reja nëse nuk e zgjedhim edhe Presidentin, dhe për ta zgjedhur neve na duhet që të kemi 2/3, kuorumi që të jetë i pranishëm në Kuvend, tash Kuvendi kur të bëhet i konstituuar i legjislaturës së 13-të”, ka thënë ai, duke shtuar se i janë përgjigjur ftesës së Deharit.
“Por marrëveshja politike duket që s’ka qenë e mjaftueshme, prandaj, ne e kemi të domosdoshme që t’i kemi aty të gjithë deputetët e marrëveshjes për kandidatin tonë të përbashkët, profesor Bekim Sejdiun ose edhe të kemi deputetë shtesë. Pra, kjo është shumë e rëndësishme, por meqenëse kemi marrëveshje politike dhe kryesuesi i seancës, deputeti më i moshuar, Avni Dehari, ne i përgjigjemi pozitivisht”, ka thënë ai.