Po të ishte LDK-ja person, do të ishte shumë i mërzitshëm (+18)
Berat Buzhala
“Nuk kam as Facebook, as Twitter, as Instagram. Linkedin kam, është rrjet interesant, mundesh me bo shumë connection”, do të mund të thoshte LDK po të ishte person. Në mbledhje të prindërve do të kërkonte më shumë takime dhe komunikim në mes të prindërve. Kjo është një seri shkrimesh për partitë tona politike. E para dhe më e mërzitshmja, LDK-ja.
Po të ishte Lidhja Demokratike e Kosovës person, në mëngjes askush nuk do të dëshironte të pinte kafe me të. Jo pse ai person është i keq, po sepse do të ishte person i mërzitshëm, që nuk ka tregim dhe që në vikend del me këmishë.
Do të ishte prej atyre personave që kur të ulet në tavolinë me ty, ta shkakton një heshtje të bezdisshme. Të gjithëve na ka ndodhur apo jo? Që më me dëshirë vazhdojmë të qëndrojmë të vetmuar, në shoqëri të telefonit, të kamarierit argëtues, vrojtimit të ambientit, se sa të shoqërohemi prej një tipi që të detyron ta mbushësh ajrin me muhabete sterile.
“Çka flas unë me të? Ky as nuk këqyr futboll, as nuk ka dëshirë me folë për hallk, as nuk është kumorxhi, as nuk pin raki, plus që është tepër familjar”. Prej të gjitha rrjeteve sociale ka vetëm Linkedin.
“Nuk kam as Facebook, as Twitter, as Instagram. Linkedin kam, është rrjet interesant, mundesh me bo shumë connection”, do të mund të thoshte.
Po, mundesh, ama sot është ditë e hënë, ora 10 në mëngjes, e unë kam nevojë për diçka shumë më atraktive, më tokësore. Unë kam nevojë të bisedoj për çdo gjë, përveç për connections dhe për planprograme shkollore që po aplikohen në Finlandë a Singapor.
Ky është momenti kur e kërkon ndihmën nga telefoni. Shpreson që disi prej një bisede telefonike do të mund të evakuohesh. Në ndërkohë LDK-ja që gjendet në tavolinë me ty, në trajtën e një personi, e hap edhe temën e fëmijëve.
“Djali e ka shkru edhe një përmbledhje me poezi”. Ky është momenti kur fillojnë e rriten të rrahurat e zemrës, nga frika që tash ai do ta nxjerrë telefonin dhe do të të lusë që ta lexosh njërën prej atyre poezive, atë më të mirën.
“Mos të lutem, mos.”
Pra, edhe më tutje personi afër teje nuk ka bërë asgjë keq, ai është njeri i mirë, që nuk e ofendon askënd, që nuk vjedh, por që i mungon krejtësisht ingridenti social. Kur të ka thënë që nuk ka rrjete sociale përvec Linkedin’it, të ka treguar që është jashtë realitetit lokal, kur të ka thënë që nuk del natën dhe nuk pin, të ka treguar që nuk është njeri që i pëlqen të flasë për tjerët, as para e as pas shpinës, kurse për vese tjera, si bixhozi, droga, avanturat, më mirë as mos e fillo. Ose ndoshta më mirë filloje, sepse ka mundësi që çohet prej tavolinës.
“Kurrë nuk e kam pi më shumë se një birrë”. Ndërsa ti, vetëm pak orë më parë, e ke pi një shishe raki.
Këta janë njerëz të rëndësishëm për shoqërinë, ndoshta më të rëndësishmit, që punojnë tetë orë, flejnë tetë orë dhe rrinë me familje tetë orë të tjera. Mirëpo janë tepër të merzitshëm. Këta janë ata që e shikojnë vetëm finalen e Ligës së Kampioneve dhe finalen e Kupës së Botës. Tek tuk edhe ndonjë ndeshje të Kosovës. Njerëz që nuk kanë vese.
Me fjalë të tjera, nëse do të duhej të ilustrohej LDK-ja në formë grafike, atëherë do të dukej e veshur me setër e pantoll, këmishë të bardhë ose të kaltër të lehtë, telefon Samsung, veturën Citroën, kurse në vikend kurrë nuk është i qasshëm.
Çdo nanë do të gëzohej që ta kishte një dhëndër të tillë, kurse çdo njeri do ta urrente ta kishte një shok të tillë. Jo pse ai është shok i keq, por se ai me tregimet e tij të lumtura, monotone, vetjake, të bën të ndihesh keq. Kur ai të tregon se sa shumë kohë kalon me familje, ti fillon e ndihesh keq për vete. Sigurisht që ai person më gëzim shkon në çdo mbledhje të prindërve në shkollë, madje është edhe superaktiv në ato mbledhje, duke propozuar mbledhje më të shpeshta dhe trupa të tjerë në kuadër të shkollës.
“Kemi nevojë me e kriju edhe një grup në Viber, edhe komunikojmë me shpesh”.
Në anën tjetër ti e ke një dëshirë t’i thuash “a ta krijojmë grupin në Pornhub, se edhe aty ka chat, plus ka edhe grupe”, mirëpo sigurisht që kjo do të ishte e tepërt, marrë parasysh klimën në shkollë, ku personi më aktiv dhe më i interesuar për çdo gjë, duke filluar nga planprogrami e deri te aktivitetet e lira për fëmijë është Ledekeja.
Tek e fundit, thonë se edhe qeni fillon ta imitojë pronarin e vet. Interneti është përplot me video, kur qeni fillon të çalojë, nëse pronari çalon, ose edhe sjellje të tjera të ngjashme. Patjetër që edhe partia fillon ta imitojë kryetarin. E kjo bëhet edhe më serioze nëse kryetar pas kryetari, për disa dekada me radhë, janë pak a shumë të njëjtë. E gjitha partia fillon të bëhet e njëjtë.
Ka qënë një moment kur në LVV të gjithë gjestikulonin sikur Albini, në AAK edhe ata që ishin nga Podujeva flisnin sikur të ishin nga Gllogjani, kurse në PDK të gjithë interesoheshin për përqindje të tenderave sikur ata që ishin në maje të subjektit.
“Monkey see monkey do”, thotë një fjalë, kurse në LDK, sikurse në çdo subjekt tjetër, ata që janë nën kryetarin e shikojnë kryetarin dhe bëjnë sikur kryetari. Bie fjala, a e keni pa Alban Zogajn, që është nënkryetar i Prishtinës? Nëse Isa Mustafa, Avdullah Hoti dhe Lumir Abdixhiku do të ishin brum, kur do t’i përzieje, kur do ta fusje atë brum në furrë për ta pjekur, do të dilte Albani. Do të mund ta ilustroja pak më mirë këtë shembull, por po frikësohem se është shumë vulgar.
Për fatin e keq të Lidhjes Demokratike të Kosovës tash nuk po jetojmë më në vitet e 90-ta, ose edhe më herët, tash jemi në një shekull tjetër. Përveç parti e mirë, LDK nëse nuk bëhet edhe parti atraktive, do të përfundojë duke qenë parti e mërzitshme dhe anakronike.