Një vit e gjysmë me Kurtin: Qysh po ia merr LDK-ja e Abdixhikut votuesit? - NACIONALE

Një vit e gjysmë me Kurtin: Qysh po ia merr LDK-ja e Abdixhikut votuesit?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Rrafsh gjashtë muaj më parë, shkrova një artikull në lidhje me njëvjetorin e Qeverisë Kurti II. Tema bazë e atij artikulli ishte “Ndryshimi” që (s’) kishte ndodhur me Kosovën pas ardhjes së kryeministrit Albin Kurti në pushtet. Dje prej tij u festua edhe një-vjetori-e-gjysmë në krye të Qeverisë. Tash, duhet shtruar pyetjen: a ka ndërruar diçka dhe pse po i humbë votuesit te LDK-ja?

Përgjithësisht, gjithçka duket njëjtë me qeverisjen në Kosovë. Kryeministri me ministrat aktualë, njësoj si kryeministrat me ministrat e mëhershëm, fshehin mungesën e ideve madhore dhe punës me një gjuhë rraskapitëse burokratike që s’thotë asgjë. Nuk ka projekte kapitale. Nuk ka investime të jashtme direkte. Ka shumë nepotizëm. Ndoshta, pak më pak korrupsion nëpër tenderë. E ka edhe shumë kriza, disa prej të cilave të importuara prej jashtë: krizë në shëndetësi, krizë energjetike, krizë në arsim dhe mbi të gjitha krizë dërmuese ekonomike.

Kryeministri i Kosovës festoi një-vjet-e-gjysmë në qeveri duke numëruar ato që i konsideronte arritje, por të cilat ishin krejtësisht të vogla dhe kryesisht të lidhura me institucionet tjera. Ndryshimi me ‘N’ të madhe përmendet rrallë e hiç tashmë, ndërsa në mënyrë arrogante e shumë të mjegullt Kurti përmbylli fjalën e tij në Facebook duke thënë:

“Me punë dhe dije, dinjitet dhe guxim, jemi angazhuar për të arritur rezultatet që na duhen të gjithëve.”

LDK-ja – jashtë demagogjisë

Qytetarët, dalëngadalë kanë nisur si duket ta mësojnë në lëkurën e tyre kuptimin e fjalës demagogji.

Pak ditë më parë u publikua edhe një sondazh në gazetën Nacionale ku paraqitej një rënie e konsiderueshme në popullaritet e partisë së kryeministrit. Vetëvendosje kishte rënë në 37,3 për qind. Kjo mbështetje e humbur, gati e gjitha, duket se kishte përfunduar te Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) që nga 12,7 për qind sa i kishte pasur më 2021 kishte shkuar në 22,3 për qind.

Mu për këtë arsye, vendosa që të pyesja zëdhënësen politike dhe anëtaren e kryesisë së LDK-së se çka mendonte për performancën e Qeverisë përgjatë këtij një-viti-e-gjysmë për të kuptuar më shumë se si po ia merrnin votuesit Kurtit.

“Në një vit e gjysmë të kësaj qeverie, kemi parë krejt të kundërtën e asaj për të cilën është votuar. Kemi qenë dëshmitarë të shumicës arrogante; të amatorizmit të skajshëm në diplomaci, të shkarkimeve të kundërligjshme aty; si dhe emërime e punësime militantësh në shumë borde, ndërmarrje publike e organizma shtetërorë.” - më tha fillimisht ajo.

Por, a ka tjetërçka përpos keq-qeverisjes?

“Veç keqqeverisjes, kishim mosqeverisje në çdo sektor, bllokim projektesh që shpie pashmangshëm në suficit rekord, hiç më pak se 91% e mjeteve që teprojnë. Si pasojë e këtij mosangazhimi të qeverisë; dhe nga mungesa e investimeve të huaja - duke mos parë perspektivë e zhvillim ekonomik, kemi pasur ikje masive të rinisë nga vendi, me theks të veçantë largim të mjekëve dhe sfafit shëndetësor.Të gjithë qytetarët e përjetuan netto krizën e çmimeve në xhepat e tyre, ngase qeveria që e ka humbur kontaktin me bazën, nuk mori asnjë masë për të zbutur inflacionin. Si pasojë, sivjet pagat e qytetarëve të Kosovës vlejnë për një të pestën më pak se një vit më parë; e gjërat bazike ushqimore janë shtrenjtuar dyfish e më shumë. “

Humbja e kontaktit me bazën, popullin, ose thënë ndryshe ndjeshmëria për kategoritë më të lëndueshme shoqërore mund të vërehet në një varg gjërash të ndryshme te Qeveria Kurti II. Në anën tjetër, LDK-ja duket mjaft aktive në teren, dhe së fundi shpalosën edhe një “Konventë Programore”.

Ishte pikërisht një çështje që po lëndon veçanërisht qytetarët më të varfër, energjia, ajo që shtyu kryetarin e LDK-së ta quante kriminale e skandaloze.

Kjo parti nuk është se vetëm ka kritikuar Qeverinë, por edhe ka ofruar alternativa të shumta, siç ishte rasti me planin 10-pikësh për të nxjerrë Kosovën nga kolapsi energjetik në këtë dimër.

“TERRI në mes të gushtit, nuk erdhi nga një krizë globale, por nga papërgjegjësia lokale, nga qeveritarët e padijshëm që nuk bëjnë remontet e blloqeve të KEK-ut në kohë. Të gjitha këto kriza bashkë, pushteti do t'i mbulojë me kërcënime për luftë, në përpjekje për t'i mbuluar dështimet e veta.” – më tha për çështjen znj. Halimi.

“Lufta” e Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përmendur tashmë dhjetëra herë mundësinë e një lufte të re në Kosovë. Ai ka pretenduar se po e bën një gjë të tillë që ta dëmtojë imazhin e Serbinë dhe pozicionin negociues të saj. Por, shumë analistë kanë thënë që ai po dëmton edhe mundësitë e Kosovës që të thithë investime të jashtme direkte përmes kësaj retorike.

Së fundi, një deputet i tij me emrin Artan Abrashi, shkoi aq larg për të përforcuar këtë retorikë sa përdori edhe lajm të rremë gjoja se Serbia ka nisur mobilizime ushtarake menjëherë pasi këtë gjë e bëri Rusia.

Por, çka mendon LDK-ja për luftën?

"Teksa i pari i qeverisë flet për luftë klasike, në fakt është duke ndodhur një luftë tjetër, ajo e qytetarëve për mbijetesë. Qytetarët tanë po luftojnë çdo ditë me çmimet e rritura prej inflaconit; me krizën energjetike dhe së fundmi, edhe me atë në arsim." – na tha zëdhënësja politike e kësaj partie, Sibel Halimi.

“Kurti flet për luftë. Ky është lajmi i mediave ndërkombëtare për Kosovën sot. Jo për investime, jo për integrime, por për luftë në Kosovë. Kaq për mesazhin tonë nëpër botë. Dhe kështu, me mjeshtërinë e sherrit të një axhamie, ai arriti t’i bëjë konkurrencë të fortë lajmeve të mira që vera kulturore e Prishtinës dhe Kosovës ka prodhuar në po të njëjtat media tash e sa kohë.” – kishte thënë ndërkohë kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

Megjithatë, nëse kalimi i përkrahësve të VV-së në LDK thjesht një kthim në origjinë apo ka të bëjë me performancën e dy partive – njëra në pushtet, e tjetra në opozitë – do të mund të kuptohet më mirë në dyvjetorin e Qeverisë Kurti II.

*Artikulli është shkruar më 23 shtator, por është botuar vetëm sot më 25 shtator

Lajme të ngjashme