Ditari: Albini si gjysmënjeri e gjysmëperëndi, deklarata e Putinit dhe sondazhi
Radha për episodin numër 29 të Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.
Kësaj radhe, temë parësore ishte gara e brendshme e Lëvizjes Vetëvendosje, ku Albin Kurti po synon një tjetër mandat në krye të partisë.
Interesant është se ai nuk ka asnjë kundërkandidat, andaj në të tilla gara lehtë mund të pandehni për emrin e fituesit.
Ndër tjerash, u komentua edhe deklarata e Putinit për përdorimin e armëve nukleare dhe sondazhi i fundit i UBO-s, i publikuar ekskluzivisht nga Nacionale.
Këtu, autori Buzhala kritikoi dukshëm këto zgjedhje, duke thënë se nuk mund të konsiderohen të tilla, ndërsa publikoi edhe një parafrazim të asaj se çka titullohet zgjedhje sipas fjalorit të gjuhës shqipe.
"Nuk quhet zgjedhje kur është një kandidat. Ajo është imponim".
Më pas, pohoi atë që të gjithë jemi dëshmitarë, se kemi kaluar javën e tretë të grevës në arsim dhe se nuk ka marrëveshje mes qeverisë e sindikatave.
“Po mbyllet edhe java e tretë, prej kur qindra mijëra nxënës në krejt Kosovën, po vazhdojnë të qëndrojnë të ngujuar në shtëpitë e tyre, një përpjekje sabotuese e qeverisë në komunat ku udhëheqin, që ata i kontrollojnë, për m’i nda mësimdhënësit, edhe ajo ka dështu, përkundër thirrjeve të panumërta të ministres Nagavci, Mimoza Kusarit, Albin Kurtit që mësuesit me u kthy në shkolla e nxënësit në banka".

Tutje, gazetari vlerësoi qëndrueshmërinë e sindikatës, duke thënë se është më e konsoliduar.
"Prapë sindikata u tregu më vendimmarrëse, më e konsoliduar edhe vazhdojnë me qëndru në istikame. Është e pabesueshme nonshalanca e qeverisë, me trajtu këtë temë si sekondare", vazhdoi ai.
Veç kësaj, Buzhala, teksa komentoi kërkesën e Kurtit ndaj aktivistëve për më tepër lexim e angazhim, tha se si është e mundur që njeriu që po i mban të mbyllura shkollat, flet kaq shumë për libra.
"Si është e mundur që në njërën anë me fol për shkollë edhe për libra, e në anën tjetër me pasë kaq pak dhembshuri e kaq pak sensitivitet për faktin që këta qindra mijëra njerëz janë në shtëpitë e tyre. Kjo nuk ka ndodh, nuk besoj që do të ndodhë as në të ardhmen. Ky shtator, le të themi i zi për vendin tonë, do të hyjë në histori, pasi as presidentja, as kryeministri nuk e kanë tregu vullnetin minimal që m'u taku nëse jo çdo ditë, çdo 2-3 ditë me sindikatët. SBAShK-u po thotë që është i gatshëm me u ulë me diskutu..."
Kurse, në fund fare, Buzhala me ironi pyeti shikuesit nëse me të vërtetë mendojnë që Jasharaj është dikush që e gjuan qeverinë.
"Paramendoni, Jasharajn po e etiketojnë si dikush që po tenton me gjujtë qeverinë. Përnime, a mendoni që Jasharaj është dikush që e gjuan qeverinë", përfundoi ideatori i Ditarit.
Më poshtë edhe pjesa e zgjeruar këtu, ndërsa kujtojmë faktin se më lartë gjeni episodin e plotë.