Sondazhi i UBO-s: Votuesi po kthehet në origjinë pas eksperimentit të 14 shkurtit - NACIONALE

Sondazhi i UBO-s: Votuesi po kthehet në origjinë pas eksperimentit të 14 shkurtit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Njohësit e rrethanave politike në vend e kanë komentuar në mënyra të ndryshme sondazhin e UBO-s të prezantuar dje nga gazeta Nacionale, i cili tregon një rënie të theksuar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ata kanë vlerësuar se sondazhi tregon se mos puna e qeverisë ka ndikuar në rënien e besueshmërisë së qytetarëve tek partia në pushtet.

Sipas tyre, rënia e LV-së dhe ngritja e LDK-së është shenjë se elektorati po kthehet tek partitë e mëhershme.

Analisti politik Ilir Ibrahimi ka thënë për gazetën Nacionale se qeverisja i shpenzon partitë politike.

“Qeverisja ndikon në rënien e një partie politike qe qeveris, sidomos në kohëra krizash. Kjo po vërehet te sondazhet e fundit që tregojnë një rënie të LVV. Përveç kësaj, LVV me premtimet dhe diskursin se “ do ti rregulloj të gjitha”, tani kur është qeverisje e sheh se një gjë e tillë nuk është e lehtë. Prandaj mendoj që opozita më e madhe e LVV është vet LVV. Këtë strategji duket se e kanë ndjekur edhe partitë opozitare, dhe kjo mund të jetë arsyeja e një qasje të kujdesshme të tyre ndaj pushtetit. Nuk është se kemi parë ndonjë opozite aktive, përkundrazi”, ka thënë Ibrahimi.

Ai ka thënë se rënia e partisë në pushtet nuk mund të iu atribuohet kritikave të partive opozitare.

“Prandaj edhe rritja në sondazhe nuk mund tu atribuohet partive opozitare për punën e tyre, por mospunës së qeverisë. Votuesi po kthehet në origjinë pas një eksperimenti që ndodhi me 14 shkurt. LDK po kthehet në origjinë, aty ku ka qenë në 3-4 palë zgjedhjet e fundit. PDK në anën tjetër po vazhdon ta mbajë një stabilitet, megjithëse e hendikepuar nga mungesa e liderëve historik”, ka thënë ai.

Edhe politologu Avdi Smajljaj ka treguar se pse elektorati ka filluar të kthehet tek partitë e mëhershme.

Në lidhje me dyfishimin e LDK-së që tregon ky sondazh, ai ka thënë se kjo parti njihet për lëvizje të elektoratit.

“LDK në historinë e saj, duke dalur nga një lëvizje shoqërore, ka përjetuar lëvizje të elektoratit në vazhdimësi, i ka rrjedhur elektorati, por edhe herë pas herë një pjesë e tyre i janë kthyer. Ajo qe ka ndikuar dhe ndikon në kthimin e një pjese të elektoratit të humbur, është mungesa e partive tjera për tu dëshmuar se janë më mirë. Në mungesë të alternativave serioze, elektorati mund të ndjehet më rehat me atë që e njeh më mirë. ‘Better the devil I know’ është një shprehje britanike. Kështu ndodhi me LDD-në, e kështu po ndodh me Guxo, e cila i mori një pjesë të elektoratit LDK-së në zgjedhjet e fundit, por nuk u dëshmuar që është ndryshe”, ka thënë ai.

Smajljaj ka treguar arsyet e ikjes së elektoratit të LDK-së tek LV-së më 14 shkurt të vitit 2021.

“Përkundrazi tani udhëhiqet nga asistent të dikurshëm të LDK-së, të cilët e kanë të pamundur të ndërtojnë autoritetin e tyre. Si rezultat, elektorati që iku në 14 shkurt mund të kthehet në shtëpinë që e ka me afër, në LDK. Nuk mendoj se ndryshimi i lidershipit dhe deklaratat e disa në LDK për krizën ekonomike janë faktorët që kthejnë elektoratin. Ende shoh ndryshime te nivelit kozmetik në LDK, te cilat nuk mund të jenë tërheqëse për elektorat te ri. Kështu që, rritja vjen nga kthimi i disave që ikën për mirë, por nuk gjeten gjë, dhe u kthyen”, ka thënë Smajljaj, duke përmendur gjendjen krejt ndryshe të PDK-së.

“Sa i përket PDK, një pjesë e elektoratit dhe ish aktivisteve të saj tani janë sistemuar mirë në VV, përderisa është në pushtet dhe menaxhon me karotën, përmes së cilës mund t’i mbaj afër derisa e ka karotën e pushtetit në dorë. Andaj, PDK nuk pritet që aktualisht mund t’i kthehen një pjesë e elektoratit që i ka humbur më 14 shkurt”, është shprehur Smajljaj.

Reformat e partive opozitare, inkurajuese

Reformat që kanë ndërmarr PDK-ja dhe LDK-ja pas zgjedhjeve të 14 shkurtit janë parë si inkurajuese nga njohësit e rrethanave politike në vend. Ata kanë ftuar partitë që t`i vazhdojnë ato.

Ilir Ibrahimi ka thënë se gjatë kësaj kohe të dy parti opozitare kanë treguar alternativat e tyre për sfidat ditore.

“Roli i liderëve të ri opozitarë do të mund të shihet duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm. Qytetari pas dy vitesh do të mund të bëj një vlerësim më real të qeverisjes, dhe liderët e ri të partive opozitare do të mund të ofrojnë alternativat e tyre. Deri tani është inkurajues zhvillimi në të dy partitë opozitare, të cilat kanë ndërmarrë reforma, rifreskuar radhët e veta, dhe kanë ofruar alternativat e tyre për sfidat ditore”, ka thënë Ibrahimi.

Sipas tij, liderët e partive opozitare nuk duhet të ndalen në këtë drejtim.

“Tani këta liderë duhet të prezantohen në opinion me platformën se pse një qeveri e udhëhequr nga ta, do të mund të ishte më e dobishme për qytetarin”, është shprehur ai.

Ndërsa, Avdi Smajljaj ka bërë me dije se për të tërhequr elektorati PDK-së e LDK-së duhet t`i vazhdojnë reformat e thella.

“Njësoj sikurse LDK-së, edhe PDK kanë bërë ndryshime kozmetike. Kozmetika mund të jetë ndihmuese në një kontekst të madh, ku njerëzit nuk njihen mes vete. Te ne vështirë se kozmetika mund të bëjë punë. Sidomos kur së bashku me LDK dhe partitë tjera në opozitë kanë ende imazhin e vendeve që së paku nuk kanë qeverisur mirë”, ka thënë ai.

Sipas tij, partitë opozitare duhet të ofrojnë kuadro të përgjegjshme rreth vetes.

“Ne kemi shumë parti politike, por vërtetë parti që ofrojnë zgjidhje e kanë politika për të zhvilluar vendin, e kanë kuadro të përgjegjshme ndaj qytetarëve, nuk kemi. Kjo tregon për një varfëri dhe krizë të thellë politike. Nuk mbahet e nuk zhvillohet vendi me histori, e slogane”, është shprehur ai.

Kurse, analisti Gazmir Raci ka thënë se duhet pritur zgjedhjet për të parë se sa iu beson elektorati këtyre partive. “Fitorja e madhe e LV-së e ka vetëdijesuar PDK-në dhe LDK-në me u reformuar thellësisht dhe me iu rikthy elektoratit, sepse të dyja kanë pasur probleme me bazën, kanë ikur nga baza, është mirë që po reformohen fal atij ndryshimi që ndodhi në shkurt të viti 2020. Tash sa ke me u pa kjo në elektorat duhet ta shohim në zgjedhje, por ka tendenca që këto dy parti opozitare me u reformu që është mirë”, ka thënë ai për gazetën Nacionale.

Rezultati i sondazhit

Sondazhi i UBO-s për muajin shtator tregon se Lëvizja Vetëvendosje ka rënie të ndejshme krahasuar me zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021.

Nga 50 për qind sa i kishte pasur në shkurtin e 2021-s, Vetëvendosje gradualisht do të humbiste mbështetje për çdo muaj. Në prillin e vitit 2022, ata do të kishin 41,9 për qind të mbështetjes qytetare sipas UBO Consulting.

Kjo mbështetje do të binte për dy muaj, deri në qershor, në 39,6 për qind. Por, edhe më shqetësues është muaji shtator e në të cilin u humbën edhe 2,3 për qind tjera, duke bërë që subjekti në pushtet të ketë vetëm 37,3 për qind të votave.

LDK-ja ka arritur të rikuperojë përgjatë kohës sa Lumir Abdixhiku është në krye. Kjo parti politike i kishte 19,4 për qind në muajin prill 2022, për të shkruar në 20,3 në qershor dhe më pas 22,3 në muajin shtator.

Në anën tjetër, PDK-ja ka pasur po ashtu një rënie dhe një ngritje të çuditshme. Në vetëm dy muaj, kjo parti është rritur për 0,3 për qind (nga prilli në qershor) për të rënë sërish për 0,2 për qind (nga qershori në shtator).

Kurse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po ashtu ka shënuar rritje në shtator, por kjo parti kishte pasur rënie nga prilli në qershor.

Lajme të ngjashme