Ndalimi në kufi: Si e paralajmëroi Vuçiqi hakmarrjen ndaj kosovarëve pas arrestimit të serbit në Kosovë?
Policia e Kosovës të shtunën konfirmoi arrestimin e një serbi në Bërnjak, me akuzat për një sërë veprash penale të kryera gjatë vitit 2021. Personi i arrestuar është identifikuar si një mashkull kosovar me inicialet S.S., me vendbanim në Zveçan të Kosovës. E emrin e tij të plotë e zbuloi Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq, i cili kërcënoi se do t’i arrestoj shqiptarët që shkelin rendin kushtetues të Serbisë. Pa kaluar një javë Serbia ndaloi shumë qytetarë të Kosovës në pikën kufitare, duke arrestuar zëvendës-drejtorin e Policisë së Kosovës Dejan Jankoviç, i cili u lirua mbrëmjen e së enjtes pas presionit të madh ndërkombëtar.
Qysh u nxeh Vuçiq veç tri ditë para ndalimit të qytetarëve nga Kosova?
Pas arrestimit të Sreçko Sofronijeviq, i dyshuar për disa vepra penale, ndër to edhe sulm ndaj personit zyrtar, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shpërthyer në terma të rëndë ndaj shtetit të Kosovës dhe njësive speciale policore të vendit duke i quajtur “terroristë” teksa ka shtuar se kush e shkel “rendin kushtetues të Serbisë” do të përndiqet dhe arrestohet në të njëjtën mënyrë.
“Meqë i referohen rendit kushtetues dhe sovranitetit të Serbisë, ne nuk mund ta shkelim atë në asnjë mënyrë. Të gjithë shqiptarët do të mbajnë përgjegjësi për të arrestuar se i dolën përballë dikujt, prapë i pushkatoni dhe i futni në burg, pa reagimin tonë. Ata nuk do ta shikojnë më atë film”, tha Vuçiq.
E s’shkoi më shumë se tri ditë, kur disa autobusë u ndalën në pikën kufitare me Serbinë, e që kulmuan me arerstimin e zëvendës-drejtorit Dejan Jankoviç.
Vuçiq në nervozë e sipër, ditën e paralajmërimit të arrestimeve iu kap keq edhe ndërkombëtarëve, të cilën i quajti mbulesë të vendimeve kriminale të Kurti.
“Sreçko është hero serb dhe u arrestua nga bandidët e Prishtinës. Arrestimi i tij u bë nga banditë në mbështetje të BE-së dhe ShBA-së. Krejt ata që ulen më poshtë, prej EULEX-it te ambasadori amerikan, vetëm se shërbejnë për të mbuluar vendimet kriminale të Kurtit”, kishte thënë ai.
Serbi i arrestuar në Kosovë është dërguar në paraburgim, pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në vitin 2021 në drejtim të policisë së Kosovës, ku u plagos njëri nga zyrtarët policorë.
Presioni ndërkombëtar
Që nga arrestimi i Jankoviç nga Departamenti i Shtetit amerikan, Bashkimi Evropian e deri te ambasadorët veç e veç e dënuan sjelljen e Serbisë, duke i bërë thirrje të ndërmarrin menjëhrë veprime për deeskalim.
DASH u bëri thirrje autoriteteve serbe të veprojnë me transparencë dhe në përputhje të plotë me ligjin në lidhje me qytetarët kosovarë të ndaluar në Serbi.
Në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë Departamenti Amerikan i Shtetit e bëri të qartë se veprimet e tilla shihen si “përshkallëzuese”.
“Ndalimet arbitrare apo padrejtësisht të gjata, posaçërisht nëse cak i tyre janë oficerët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin", tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Në anën tjetër zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ia bëri të ditur Presidentit serb se me këtë ndalim po e shkel marëveshjen për lirinë e lëvizjes.
“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar Stano.
Ndërkohë për arrestimin e zëvendës-drejtorit kanë reaguar edhe të gjithë krerët e institucioneve në Kosovë.