Protesta e 1 tetorit, Gucati: Pres njerëz nga të gjitha vendet ku ka shqiptar që të na bashkohen
Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se pret pjesëmarrje të madhe të qytetarëve nga Kosova, diaspora dhe trevat shqiptare në Marshin për Liri që do të mbahet në përkrahje të çlirimtarëve më 1 tetor.
Ai ka bërë thirrje që marshi të zhvillohet në mënyrë të qetë e paqësore.
“Një vendim i padrejtë u është shprehur ish krerëve të UÇK-së, tash protesta kemi pasur që nga data 16 shtator e deri më sot kështu që ne nuk do të ndalemi deri më 1 tetor protesta, nga marshi i 1 tetorit pres që t’i bashkëngjitëm por gjithmonë duke u angazhuar që protesta të jetë e qetë, të jemi të kujdesshëm të mos fyejmë policinë tonë, unë pres njerëz nga të gjitha vendet ku ka shqiptarë që të bashkohen në këtë protestë paqësore”, tha Gucati për Front Online.
Ai ka paralajmëruar se protesta do të ketë edhe në vende të tjera.
“Tani do të organizohet një protestë edhe në Shqipëri e Maqedoni në tërë Evropën besoj se do të kemi protesta, me 10 tetor mbahet një në Bruksel para selisë së NATO-s”, ka thënë ai.