Raportohet se shumë ushtarë ukrainas janë të zemëruar me shkarkimin e ministrit Fedorov
“Operacioni im është caktuar për nesër” – thotë një ushtar i shpërfytyruar, ende duke e marrë veten nga lëndimet e tmerrshme.
“Shpresoj që, kur të zgjohem nga anestezia, Fedorovi të jetë kthyer në Ministrinë e Mbrojtjes. Në të kundërtën, gjithçka për të cilën unë po luftoja do të ketë shkuar dëm” – shtoi ai në një video të publikuar në rrjetin “Telegram”, raporton televizioni BBC.
Në mesin e ushtarëve të regjur nga betejat dhe veteranëve të plagosur, ekziston një ndjenjë e përgjithshme e zemërimit për zhvillimin politik të kësaj jave.
Vendimi i presidentit Volodymyr Zelensku për të mos ia vazhduar mandatin ministrit të Mbrojtjes në moshë të re, Mykhailo Fedorov, në riformatimin e fundit të kabinetit, ka shkaktuar hutim dhe zemërim.
“Është një goditje flagrante në fytyrën e të gjithë ushtarëve” – tha një ushtare që BBC-ja po e quan Maryna për t’ia mbrojtur identitetin.
“Është vërtet vështirë që kjo të përshkruhet me fjalë pa u shfryrë me zemërim” shtoi ajo.
Pavarësisht nga protestat e zhurmshme që kanë shpërthyer në mbarë Ukrainën, Maryna dyshon se zemërimi i popullit do të ndryshojë ndonjë gjë.
“Këtu tashmë është duke u shpalosur një diktaturë”, thotë ajo, “me tiranët e saj të vegjël që mendojnë se e kanë kapur Zotin për mjekre”.
Kur po thuhet se udhëheqësit ushtarakë i kanë paralajmëruar vartësit që të mos përfshihen në debatin politik, ushtarët ngurrojnë që të flasin haptazi ose e bëjnë këtë vetëm me kushtin e anonimitetit të rreptë. BBC-ja u ka dhënë emra të rremë atyre që kanë dhënë përgjigje.
Fedorovi është njohur si njeri që e ka futur inovacionin në ushtri, duke dhënë ndihmë për fuqizimin e rolit të dronëve dhe teknologjive të tjera moderne deri në një pikë ku Ukraina, në muajt e fundit, ka qenë në gjendje që ta kthejë ritmin e luftës kundër armikut të saj.
Shqetësimi në mesin e shumë vëzhguesve është që largimi i Fedorovit do ta sjellë ndërprerjen e programit të tij ambicioz për reforma dhe inovacion, edhe pse Zelensky ka thënë se asgjë nuk do të ndryshojë.
Kur vjeshta e dimri po afrohen dhe Rusia me gjasë do të nisë edhe një sulm tjetër ndaj rrjetit energjetik të vendit, që është goditur edhe në të kaluarën, disa kanë frikë se vendi tani është më i brishtë.