Kurti e refuzon "kërkesën personale të sekretarit Blinken" derisa 31 tetori po afron: Çka duhet të dimë deri tash? - NACIONALE

Kurti e refuzon "kërkesën personale të sekretarit Blinken" derisa 31 tetori po afron: Çka duhet të dimë deri tash?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe sot tha se nuk do të ketë shtyrje të vendimit për ndërrimit të targave për qytetarët serbë. A rrezikojmë tensione dhe si erdhëm deri në këtë pikë?

“Është kërkesë PERSONALE e Sekretarit Blinken” – tha Emisari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për shtyrjen e vendimit për targa.

Escobar paraprakisht e kishte përmendur kërkesën e ShBA-së që ndërrimi i targave të shtyhej për hiç më pak se 10 muaj. E, megjithatë, kërkesa del se nuk ishte arbitrare.

Në fakt, Escobar po e përsëriste kërkesën amerikane të muajit shtator, pra para dy muajve, kur ishte kërkuar shtyrja e afatit për dymbëdhjetë muaj (një vit). Qeveria Kurti e kishte vënë si afat të fundit vetëm 31 tetorin, të hënën e javës tjetër. Kërkesa e ShBA-së, pra, del të ketë qenë po ajo, dhe ajo që ka ndryshuar nuk është as koha e paraparë për skadimin e atij afati: shtatori i vitit 2023.

Çka tha Kurti?

Kryeministri i Kosovës e përmendi kompromisin e bërë për shtyrje në ditën kur kishte tensione të mëdha në veri të vendit.

“Ne tashmë kemi bërë një shtyrje më 31 korrik. E kemi shtyrë për një muaj dhe në vend se të jetë më 1 tetor, është data 1 nëntor, pra data e fundit është 31 tetori, kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët kanë automjete me targa të stërvjetëruara të kohës së Millosheviqit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale” – u shpreh kryeministri.

Edhe emisari Escobar e kishte përmendur rezistencën e Qeverisë për t'i përmbushur kërkesën amerikane, por, megjithatë, e kishte lënë të hapur rrugën që një gjë e tillë të ndryshonte në mënyrë që të shmangeshin tensionet.

31 korriku

Ishin vendimi për dokumentet dhe vendimi për targat ata që kishin prodhuar tensione në veri të vendit më 31 korrik. Strukturat ilegale kriminale serbe e kishin penguar zbatimin e këtij vendimi, ndërkohë ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, kishte bërë kërkesë për një shtyrje 30-ditore nga Qeveria e Kosovës.

Qeveria ishte zmbrapsur dhe e kishte përmbushur kërkesën fillestare amerikane.

Ndërkohë, në ditët e fundit të muajit gusht, Bashkimi Evropian kishte njoftuar për arritjen e një marrëveshjeje gojore në lidhje me çështjen e dokumenteve. Çështja e tensioneve ishte shmangur të paktën për datën 31 gusht.

Ajo marrëveshje, siç kishte raportuar Nacionale, i legalizonte dokumente të udhëtimit të lëshuara nga struktura paralele serbe.

Por, megjithëse tensionet për dokumentet e udhëtimit u shmangën, problemi i dytë janë targat.

Analisti Dardan Gashi shprehej se nuk e kuptonte rezistencën e Qeverisë për çështjen e targave, ndërkohë që kishin lëshuar pe sa i përket çështjes së dokumenteve të udhëtimit. Sipas tij, në thelb, këto të dyja ishin e njëjta gjë.

Në anën tjetër, politologu Shkodran Ramadani për Nacionalen u shpreh si vijon: "Qeveria e Kosovës duket se do të marrë disa masa simbolike për ta ruajtur fytyrën e vet. Pas gjithë këtyre kompromiseve e dështimeve për të siguruar njohje nga Serbia dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, targat do të përdoren si instrument për të kamufluar dështimet."

31 tetori

Jemi vetëm pesë ditë larg (nëse nuk e njehim ditën e sotme) nga 31 tetori. Qëndrimi i Kurtit, i përsëritur tashmë disa herë, se nuk do të ketë shtyrje të re mund të jetë veçanërisht problematik, nëse marrrim parasysh që ishte “kërkesë personale” e Sekretarit Blinken.

Pikërisht këto ditë janë shtuar zërat për një përshpejtim të arritjes së një marrëveshjeje bazë mes Kosovës dhe Serbisë.

Të pyetur për një Draft-Statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që ishte përgatitur nga një organizatë e afërt me partinë gjermane në pushtet (FES), Qeveria gjermane i kishte thënë Nacionales një përgjigje mjaft indikative për kohën ‘e nxehtë’ të zhvillimeve sa i përket dialogut.

“Është në bindjen tonë të fuqishme që çështjet politike sa i përket rrugës së normalizimit të plotë duhen bërë në një formë më të vendosur dhe më të shpejtë në mënyrë që të mos ketë përshkallëzim në terren”, thuhet në përgjigje.

Por a do të ketë përshkallëzim në terren më 31 tetor? Në praktikë, problemet nuk duket se mund të jenë të menjëhershme, pasi është zgjidhur – për aq sa është zgjidhur – çështja e dokumenteve të udhëtimit. Kjo nënkupton se në pikat kufitare, që e lidhin Kosovën me Serbinë, mund të mos ketë probleme të menjëhershme.

Mirëpo problemi është se ka pasur raste të djegies së veturave të qytetarëve tanë serbë që i kanë konvertuar targat, ndërkohë nuk dihet nëse janë zënë zjarrvënësit në ndonjë rast. Një gjë e tillë mund të prodhojë reagime sporadike nga forcat kosovare të rendit, por edhe rrezik potencial për qytetarët e paktë serbë që kanë bërë një veprim të tillë.

31 tetori mund të mos jetë si 31 korriku për shkak të natyrës tjetër të mospajtimit, por, megjithatë, veprimet e stukturave ilegale kriminale serbe mund të jenë të paparashikueshme.

Lajme të ngjashme