Kosova shet më shumë jashtë në 2026, por fatura e importeve e thellon deficitin në nivele rekord
Kosova ka shënuar rritje eksportesh në gjashtëmujor, por fatura e importeve vazhdon ta zgjerojë hendekun tregtar.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se eksportet arritën 521,2 milionë euro gjatë janarit-qershorit 2026.
Importet u ngjitën në 3,614 miliardë euro, duke prodhuar deficit tregtar prej 3,093 miliardë eurosh.
Kosovë · Tregtia e mallrave
Eksportet u rritën, por hendeku tregtar u zgjerua
Janar–Qershor, në milionë euro. Klikoni një kategori ose një kolonë për hollësi.
Grafiku po ngarkohet.
| Periudha | Eksporte | Importe | Deficit | Mbulueshmëria |
|---|---|---|---|---|
| Janar–Qershor 2025 | €437,270 mln | €3.352,530 mln | €2.915,260 mln | 13,0% |
| Janar–Qershor 2026 | €521,168 mln | €3.613,682 mln | €3.092,515 mln | 14,4% |
| Ndryshimi vjetor | +19,19% | +7,79% | +6,08% | +1,4 pikë |
Krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, eksportet u rritën me 19,2 për qind, ndërsa importet me 7,8 për qind.
Por, deficiti u zgjerua me 6,1 për qind, apo me rreth 177,3 milionë euro, me gjithë dinamikën më të lartë të eksporteve.
Shkaku qëndron te baza: për çdo euro mallra të eksportuara, Kosova importoi 6,93 euro mallra.
Shtesa absolute e importeve arriti në 261,2 milionë euro, duke tejkaluar tri herë rritjen prej 83,9 milionë eurosh të eksporteve.
Mbulueshmëria e importeve nga eksportet shënoi përmirësim nga 13,0 në 14,4 për qind, por vijon të mbetet në nivele të ulëta.
Gjatë gjashtëmujorit të parë 2026, eksportet e mallrave mbuluan 14,4 për qind të importeve, përkundrejt 13,0 për qind në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Janari shënoi të vetmin muaj ku deficiti pësoi rënie prej 11,6 për qind, kryesisht falë tkurrjes së importeve me 10,1 për qind.
Nga shkurti deri në qershor, deficiti u thellua çdo muaj në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Goditjet më të ndjeshme u regjistruan në prill dhe qershor, kur deficiti pësoi rritje përkatësisht me 17,1 dhe 16,1 për qind.
Përgjatë qershorit, eksportet prekën shifrën 102 milionë euro, por importet kapën 680,3 milionë euro, duke shkaktuar një deficit rekord mujor prej 578,3 milionësh.
Për vetëm gjashtë muaj, hendeku tregtar arriti në 50,6 për qind të të gjithë deficitit të vitit 2025.
Metalet bazë përbënin rreth 26 për qind të eksporteve të përgjithshme gjashtëmujore. Pesha e tyre specifike pësoi ngritje nga 21,9 për qind në janar, në 27,4 për qind përgjatë qershorit.
Plastika dhe goma, produktet ushqimore, pijet dhe duhani gjeneruan secila nga rreth 11,5 për qind të eksporteve të kësaj periudhe.
Tregu i CEFTA-s mbeti destinacioni kryesor, duke absorbuar rreth 46 për qind të eksporteve, ndërsa BE-ja përthithi rreth 32 për qind.
Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Zvicra dhe Gjermania bashkërisht përbënin rreth 52 për qind të vlerës totale të eksportit.
Tabloja e importeve na paraqitet ndryshe: BE-ja mbuloi rreth 44,5 për qind të furnizimeve, ndërkohë që vendet jashtë BE-së dhe CEFTA-s përbënin 42,2 për qind.
Të dyja gjeneruan së bashku mbi 92 për qind të deficitit, bazuar në shifrat e rrumbullakosura mujore.
Produktet minerale prijnë te importet me rreth 15 për qind, të ndjekura nga makineritë, ushqimet, automjetet dhe metalet bazë.
Varësia tregtare mbetet e përqendruar të Gjermania, Kina dhe Turqia. të cilat furnizuan së bashku afërsisht 1,41 miliardë euro mallra.
Ecuria pozitive e eksporteve brenda CEFTA-s mbetet pozitiove, megjithatë mbetet vështirë e bollshme për të shndërruar modelin e tregtisë së jashtme, ashtu siç është nënvizuar edhe në raporte të institucioneve ndërkombëtare.