Tensionet në veri: Prokuroria Speciale ende në pritje të raportit nga Policia - NACIONALE

Tensionet në veri: Prokuroria Speciale ende në pritje të raportit nga Policia

1 vit më parë

nga Besian Beha

Rrugët u bllokuan. Edhe Policia u sulmua me armë zjarri disa herë në pjesën veriore të Kosovës. E për gjithë këtë situatë, Prokuroria Speciale ende nuk ka nisur veprimet, pasi është në pritje të raportit nga Policia e Kosovës.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në një prononcim për gazetën Nacionale është shprehur se janë në pritje të raportit të Policisë së Kosovës.

“Jemi tu bashkëpunu me Policinë, jemi në pritje të raportit të Policisë, do ta vlerësojmë dhe do të veprojmë varësisht nga të gjeturat”, është shprehur Isufaj.

Kryeprokurori i Speciales ka theksuar më tutje se raporti nuk ka arritur ende, por që prokurori kujdestar e ka rekomanduar Policinë ta bëjnë një gjë të tillë.

“Veç nëse ka ardhur sot, por nuk e besoj. Ne jemi në kontakt, na ka paralajmëruar Policia se do ta sjell raportin dhe prokurori kujdestar i ka rekomanduar me sjell raportin”, ka theksuar më tutje Isufaj për Nacionalen.

Kryeprokurori ka bërë të ditur se pas pranimit të raportit, pastaj do të vazhdojnë me procedurat e zakonshme për kryerjen e hetimeve.

Versioni i Drejtorit të Policisë

E në një konferencë për media, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, nuk ka pranuar të jap shumë detaje.

Mehmeti në pyetjen e gazetarit të Nacionales, e ka konfirmuar se janë në procedurën e hetimeve.

No description available.

Drejtori i Policisë ka thënë se është ende herët të jepen detaje për hetimet.

“Aktualisht jemi në procedurë të verifikimit dhe publikimit është vetëm një ditë prej kur janë hjekë barikadat, dhe është herët njëherë me folë sa persona janë lënduar sa njerëz janë duke u hetu, në momentin qe do t'i kemi të dhënat do t'i publikojmë”, ka thënë Mehmeti në konferencë për media.

Dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak ishin bllokuar për më shumë se 20 orë, për shkak të bllokimit të rrugëve të cilat ishin bërë me makineri të rënda nga persona për të cilët policia tha se janë grupe të organizuara kriminale.

Si duhet të veprojë Policia?

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka sqaruar për gazetën Nacionale se në tensionet në veri, janë konsumuar 7 vepra penale. Duke nisur nga prishja e rendit e deri te sulmi kundër rendit kushtetues.

Sipas tij, institucionet e shtetit duhet t’i hetojnë këta persona.

“Nëse organet e ndjekjes nuk i procesojnë këto vepra dhe nuk dalin para drejtësisë personat e këtyre veprave, atëherë shteti i së drejtës të cilin po e proklamon kryeministri ka dështuar dhe kjo nuk bën të ndodhë”, ka thënë Shala për Nacionalen.

Shala ka dy pyetje për këto hetime.

“Por duhet të ngriten edhe dy pyetje: se kush është duke zhvilluar hetimet cila prokurori, si dhe në natën e aksionit a ka ndërmarrë veprime prokurori kujdestar në veri kundër personit/ave që kanë keqpërdorur alarmat si dhe kundër kryetarit të kësaj komune”, ka thënë Shala për Nacionalen.

Sipas tij, konkluzat duhet të jepen pasi të shihet përgjegjësia penale e këtyre personave.

Çfarë ndodhi në veri?

Në 11 raste, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla deklaroi se mërgimtarët kosovarë janë sulmuar nga strukturat paralele, pas bllokadave të rrugëve.

Gjithë kjo në kundërshtim të reciprocitetit të targave dhe dokumenteve të identifikimit.

Vendosja e masës së reciprocitet, solli të dielën tensione dhe dhunë në rrugët e veriut të Kosovës, pasi Qeveria e Kosovës mori vendimin për zbatimin e reciprocitetin ndaj Serbisë, për targat dhe dokumentet e identifikimi. Reciprociteti u shtye për 30 shtator pas kërkesës së ambasadorit të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili takoi në mënyrë urgjente krerët e shteti.

Pas paralajmërimit të masë së reciprociteti serbët vendosën barrikada në rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Në këto dy pika pati edhe tensione mes policisë së Kosovës dhe serbëeve që bllokuan rrugë. Bile sipas policisë, pati edhe të shtëna me armë.

Pas kësaj këto dy pika u mbyllën, dhe u kërkua nga mërgimtarët që të përdorën rrugë tjera alternative.

Në anën tjetër, pasi qeveria vendosi ta shtyjë zbatimin e vendimit, dje gjatë ditës u hoqën barrikadat, dhe vendimi u pezullua zyrtarisht. Deri në atë kohë, mbi 1 mijë dokumente u lëshuan për serbët që kishin pasaporta e letërnjoftime të Serbisë.

Lajme të ngjashme