Pas tensioneve në veri, çfarë do të ndodhë me reciprocitetin ndaj Serbisë? - NACIONALE

Pas tensioneve në veri, çfarë do të ndodhë me reciprocitetin ndaj Serbisë?

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Tashmë asnjë rrugë e bllokuar nuk ka mbetur në veri të vendit, të gjitha janë të qarkullueshme. Krejt kjo pasi Qeveria e Kosovës e shtyu për 1 shtator zbatimin e vendimit për reciprocitet me Serbinë për targa dhe dokumente të identifikimit. Por çka pritet të ndodhë më 1 shtator?

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit të reciprocitet bëri që të krijohen tensione në veri të vendit. Për më tepër, sipas të dhënave zyrtare, nga këto tensione u lënduan 11 qytetarë.

Mbi 1 mijë leje për hyrje-dalje u lëshuan derisa u hapën të gjitha rrugët që ishin bllokuar me mjete të rënda transportuese nga serbët lokalë.

Sipas Policisë së Kosovës, edhe dy pikat kufitare që ishin mbyllur për qarkullim janë hapur të hënën.

Bazuar në informacionet zyrtare të pranuara nga Departamentet policore si dhe nga Drejtoria Rajonale Mitrovicë Veri, të gjitha barrikadat të cilat ishin të vendosura në rrugët në drejtim të dy pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë larguar. Pas largimit të barrikadave dhe lirimit të rrugëve për qarkullim, tani të dy pikë kalimet kufitare janë hapur për qarkullim dhe lëvizje të lirë të të gjithë qytetarëve dhe mallrave”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Çka më 1 shtator?

Pas kësaj, zotimi i qeverisë që të shtyhet koha e zbatimit të reciprocitet ka ngritur dyshime se si mund të jetë situata më 1 shtator. A mund të përsëritet e njëjta gjë apo do të harrohet reciprociteti? Këto janë dy pyetjet që po komentohen në rrjetet sociale.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Avdi Smajljaj, e ka quajtur fituese aktuale Serbinë në çështjen e reciprocitetit me letërnjoftime teksa dyshon që më 1 shtator situata mund të jetë edhe më e ashpër.

Ai e ka cilësuar vendimin për vendosjen e reciprocitetit me letërnjoftime si “të ngutshëm”.

Smajljaj pretendon se edhe më 1 shtator – për kur është shtyrë nisja e implementimit – rrethanat nuk tregojnë se zbatimi do të jetë më i arsyeshëm sesa që është aktualisht, më 1 gusht.

Nëse nuk ka ndryshim të rrethanave, reagimi i qytetarëve serbë në atë pjesë të Kosovës mund të jetë edhe më i ashpër, të inkurajuar nga tërheqja e vendimit të institucioneve.” – ka thënë Smajljaj.

I të njejtit mendim është edhe profesori dhe opinionisti nga Mitrovica, Nexhmedin Spahiu.

Spahiu për Nacionale-n të hënën tha se më 1 shtator mund të ketë përsëritje të dhunës, por ai ngre dyshime se Qeveria mund të tërhiqet krejt nga vendosja e reciprocitetit.

Nëse policia e Kosovës dhe institucionet nuk veprojnë, sigurisht që ka me u përsërit ose s’ka me u përsërit hiç, ka me u harru krejt. Ajo që duhet është se policia dhe Prokuroria duhet me i dënu njerëzit që e kanë ndezë alarmin. Duhet t’i bëhet pyetje Albin Kurti se a ka me i arrestu ata që i kanë prish rendin dhe qetësinë publike dhe që kanë torturu një qytet me 150 mijë banorë. 150 mijë banorë janë torturu për gjashtë orë të tëra.”, ka thënë ai.

Reciprociteti, temë diskutimi në Bruksel

Pas ngjarjeve në veri të Kosovës, Bashkimi Evropian reagoi menjëherë duke u dërguar ftesa krerëve të Kosovës dhe Serbisë.

Në një përgjigje për Nacionale-n, BE-ja konfirmoi se ka i ftuar liderët për të diskutuar në Bruksel.

Pas pranimit nga Kosova të kërkesës së HRVP Borrell dhe SHBA-së për shtyrjen e masave të planifikuara në lidhje me targat dhe kartat e identitetit, me kusht që të hiqen të gjitha barrierat, BE-ja ftoi të dyja palët të takohen në Bruksel për të diskutuar rrugën përpara”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Në anën tjetër, ka plot zëra që janë kundër që reciprociteti të diskutohet në Bruksel.

Ndërkohë, në Kosovë partitë politike opozitare e kundërshtuan vendimin e Qeverisë Kurti për reciprocitet. Sipas tyre, vendimi ishte i ngutshëm dhe i paplanifikuar dhe nuk ishte i koordinuar me ndërkombëtarët.

Kujtojmë se shtyrja e vendimit për reciprocitet erdhi pas takimit të ambasdorit amerikan, Jeff Hovenier, me krerët e shtetit në orët e vona të së dielës, pak para futjes në fuqi të vendimit.

Lajme të ngjashme