Qeveria vendos për shtyrje të zbatimit të vendimit për reciprocitetin për targat dhe letërnjoftimet e përkohshme - NACIONALE

Qeveria vendos për shtyrje të zbatimit të vendimit për reciprocitetin për targat dhe letërnjoftimet e përkohshme

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që ta shtyejë për 30 ditë fillimin e zbatimit të vendimit për targat dhe letërnjoftimet e përkohshme.

Këtë e ka konfirmuar vet ekzekutivi vetëm para pak çastesh.

Përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", Qeveria ka thënë se dënoon bllokimin e rrugëve dhe të shtënat në veri të Kosovës.

Ky vendim i qeverisë erdhi pas kërkesës ekskluzive të ambasadorit amerikan.

Ky i fundit, pas takimit me Osmanin e Kurtin, në një prononcim për media tha se nuk janë kundër vendimit, por për shkak se ka paqartësi të shumta.

Qeveria e Republikës ndërkaq, ka falënderuar ambasadarin Hovenier për angazhimin dhe kontributin e tij.

Më poshtë edhe postimi i plotë.

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon bllokimin e rrugëve dhe të shtënat në veri të Kosovës
Prishtinë, 31 korrik 2022
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar.
Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.
Falenderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin.

PËRDITËSIM

Në anën tjetër, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në rrjetin social "Facebook" ka thënë se vendimi po zbatohet, me përjashtim të pikave në Jarinje e Bërnjak, ku pikëkalimet janë të bllokuara.

Ndërkaq ai paralajmëroi se i njëjti zbatim do të vazhdojë deri në momentin kur do të hiqen bllokadat tërësisht.

"Tashmë ka filluar shpërndarja e dokumentit për hyrje-dalje në pikat kufitare të Republikës së Kosovës, me përjashtim në pikat Jarinje dhe Bërnjak të cilat vazhdojnë të jenë të mbyllura përshkak të barrikadave që janë vendosur nga strukturat ilegale serbe.Të gjithë personat që posedojnë dokumente të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, do të pajisen me dokumentin hyrje-dalje e cila ka afat vlefshmërie 90 ditë brenda territorit të Republikës së Kosovës.Ky vendim do të vazhdojë të implementohet derisa të largohen të gjitha barrikadat dhe të sigurohet liria e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave. Në momentin e largimit të të gjitha barrikadave dhe pengesave, ky vendim do të pezullohet deri më 1 shtator 2022", shkroi Sveçla.

Lajme të ngjashme