Ambasadori amerikan u kërkoi Kurtit e Osmanit ta shtyjnë për 30 ditë vendimin për zbatimin e Reciprocitetit
Nga nesër pritej që të hynte në fuqi vendimi për targat dhe dokumentet serbe. Por para se të fillojë zbatimi i tij, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier po kërkon që vendimi të shtyhet për 30 ditë.
Në një konferencë për media para gazetarëve, pas përfundimit të takimit me presidenten Osmani e kryeministrin Kurti, Hovenier theksoi se SHBA nuk dëshiron që ky vendim të rishikohet, por vetëm të shtyhet për shkak të keqkuptimeve.
“Jam këtu që në emër të Qeverisë amerikane të kërkoj shtyrjen e zbatimit të këtyre dy marrëveshjeve për 30 ditë. Ne mendojmë se një shtyrje e tillë do të ishte e rëndësishme, sepse duket se ka dezinformim dhe keqkuptime për këto vendime. Ne shpresojmë se do të punojmë me këtë Qeveri dhe kolegët nga Bashkimi Evropian që të sigurojmë se këto marrëveshje kuptohen më mirë dhe në këtë mënyrë të ulim tensionet. Dua të përmend se jemi të shqetësuar që disa individë kanë vendosur të tregojnë pakënaqësitë për këto vendime duke krijuar barrikada apo duke kufizuar lirinë e lëvizjes. Ne nuk inkurajojmë diçka të tillë. Rruga e duhur është përmes dialogut civil”, ka thënë ambasadori amerikan.
Ky takim, vjen pas tensioneve të krijuara në veri të Kosovës për shkak të kundërshtimit që të zbatohet reciprociteti për targat e dokumentet serbe.
Çfarë ndodhi në veri?
Përveç bllokimit të dy pikave kufitare, policia e Kosovës ka konfirmuar se ka qytetarë të lënduar si pasojë e maltretimit, dhe se është gjuajtur me armë në drejtim të zyrtarëve policorë.
Policia e Kosovës ndodhet me veri, derisa forca të shtuara janë parë edhe të Ura e Ibrit.
Në veri ka nisur bllokimi i rrugëve me kamionë, pasi një orë u dëgjua alarmi i qytetit.
Po ashtu, qytetarë të shumtë kanë raportuar se po shohin edhe persona me maska në pjesën veriore të vendit.
Ndërkaq, një familje u sulmua nga pesë persona dhe në lidhje me rastin, detaje për Nacionalen ka dhënë edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
‘Një familje t’u shku te kufiri e paskan ndalu, e kanë maltretu, e kanë pësu lendime. Ende nuk e dimë se çfarë lëndime kanë pësu sepse duhet me shku të njëjtit te mjeku m’u konfirmu. Por definitivisht nuk ka të plagosur, as polic e as qytetar, po flas deri në këtë moment që po flasim’, tha Mehmeti për Nacionalen.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti ndodhen në takim me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier, për shkak të kësaj situate.
"Presidentja Osmani momentalisht është në takim me ambasadorin Hovenier, kryeministrin Kurti dhe dy zëvendës-kryeministra", tha Kupina për Nacionalen.