Hiqen barrikadat, a do të kalojë reciprociteti si çështje në Bruksel?
Janë larguar tashmë të gjitha barrikadat në veri të vendit.
Këtë e ka konfirmuar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.
Sveçla ka bërë të ditur se barrikadat janë hequr plotësisht, teksa tha se pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak janë të hapura për qytetarët.
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës - Barrikadat e vendosura nga strukturat ilegale serbe mbrëmë, 15 minuta pas lëshimit të sistemit të alarmit dhe të shpërndara në 9 lokacione të ndryshme në veriun e vendit, tashmë janë larguar plotësisht nga vetë ata. Liria e lëvizjes është e plotë dhe pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë të hapura për qytetarët. Grupe të maskuara e me armë të gjata të cilat udhëhiqen nga Beogradi dhe të ardhur nga Serbia, kanë filluar sulmet ndaj qytetarëve të vendit duke i rrahur brutalisht dhe të njëjtit kanë gjuajtur sot edhe ndaj zyrtarëve policorë me qëllim të vrasjes së tyre”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.
Shtyrja e zbatimit
Kështu hapen dyert që fillimi i zbatimit të reciprocitetit të shtyhet për 30 ditë, saktësisht deri më 1 shtator, siç e konfirmoi mbrëmë ekzekutivi.
Të njëjtën e potencoi edhe gjatë konferencës së sotme për medie kreu i saj, duke shtuar se në momentin që hiqet barrikada e fundit, atëherë zbatimi do të zhvendoset 30 ditë para.

BE ndërkaq, reagoi sot, duke kërkuar nga autoritetet kosovare dhe ato serbe që të qetësojnë situatën dhe të zbarkojnë në kryeqendrën evropiane, pasi sipas tyre, vetëm me dialog mund ta shmangin përshkallëzimin.
Në një përgjigje për Nacionalen, zyra e Bashkimit Evropian deklaroi se çdo veprim i pakoordinuar rrezikon sigurinë.
“Mënyra e vetme për të zgjidhur mosmarrëveshjet është përmes dialogut dhe negociatave. BE-ja po e përcjell me shqetësim situatën në veri të Kosovës. Të gjithë të përfshirët duhet të qëndrojnë të qetë dhe çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që rrezikon stabilitetin dhe sigurinë në terren dhe pengon lirinë e lëvizjes së të gjithë qytetarëve duhet të ndalet menjëherë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Në anën tjetër, raportohet që Kosova dhe Serbia do të ftohen në Bruksel për të vazhduar dialogun, ku njëra prej pikave që mund të diskutohen është edhe çështja e reciprocitetit.
Reciprociteti jo në Bruksel
Megjithatë, ka zëra kundër rreth idesë që kjo çështje të kalojë në Bruksel.
Analisti Imer Mushkolaj përmes një publikimi shtoi se do të ishte gabim të diskutohet në Bruksel për situatën në veri.
Sipas tij, nuk ka çka të dialogohet me Vuçiqin, ndërsa Kosova veçse bëri kompromis duke shtyrë vendimin për reciprocitet.
“Gabim të diskutohet në Bruksel për situatën në veri. Thjesht, nuk ka çfarë dialogohet me Vuçiqin luftënxitës. Shtyrja e vendimit për reciprocitet është kompromisi që ka bërë Kosova”, shkroi Mushkolaj.
Kujtojmë gjithashtu faktin se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, më herët por edhe sot, ka pranuar se është i gatshëm për dialog konkret, të përqendruar në njohjen reciproke, ama gjithmonë duke shtuar faktin se për vendimin për targat janë të imponuar nga Serbia.
Gjithsesi, mbetet të shihet nëse kjo çështje do të diskutohet në Bruksel, edhe pse reciprociteti nuk është diçka për t’u diskutuar. Është zgjedhje.
Këtë e pranoi edhe ambasadori amerikan Hovenier pas takimit të mbrëmshëm. SHBA nuk është kundër reciprocitetit. Por për shkak të situatës, ka kërkuar një muaj kohë për më tepër informim.


