“Lule Gjeli”, kampioni i peshave të rënda të linçimit online pro VV-së: A do të kapet nga Prokuroria? - NACIONALE

“Lule Gjeli”, kampioni i peshave të rënda të linçimit online pro VV-së: A do të kapet nga Prokuroria?

1 orë më parë

nga NACIONALE

Për afro gjashtë vite, profili “Lule Gjeli” ka publikuar përmbajtje fyese ndaj kundërshtarëve politikë të Vetëvendosjes, përfshirë sulme të rënda seksuale dhe morale ndaj grave në politikë.

Rastet më të fundit prekën presidenten Vjosa Osmani dhe deputeten e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili. Policia e Kosovës e ka pasur rastin të denoncuar për një numër të madh publikimesh kriminale.

Prokuroria Speciale ka hapur hetim dhe po e trajton rastin. Sipas burimeve të Nacionale, pas profilit dyshohet se qëndron Gent Prokshi, shqiptar nga Kosova që jeton në SHBA.

Prokshi dyshohet se ka afërsi me figura drejtuese të Vetëvendosjes. “Lule Gjeli” është ndër profilet më aktive në sulmet online ndaj kundërshtarëve politikë të partisë në pushtet.

Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi është ofruar të dëshmojë për personin që ai thotë se qëndron pas profilit. Ai tha se e ka takuar në Delaware më 2021.

Abazi e përshkroi “Lule Gjelin” si pjesë të një “lufte hibride” dhe akuzoi se profili ka sulmuar edhe zyrtarë amerikanë, përfshirë ish-zyrtarin Gabriel Escobar.

“Lule Gjeli është në shërbim të Kurtit dhe Dejona Mihalit në kuadër të LVV-së”, shkroi Abazi, duke kërkuar hetim edhe për personat që mund të kenë urdhëruar aktivitetin.

Ai pretendoi se profili kishte ndikuar në “prishjen e marrëdhënieve me SHBA-në” përmes sulmeve dhe dezinformimit ndaj kundërshtarëve politikë.

Publikimi i identitetit të dyshuar shkaktoi reagime politike. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se edhe ai ishte sulmuar nga ky profil.

Rama kërkoi sqarime nga BIRN Kosova, KALLXO.com dhe Jeta Xharra për raportet e mundshme me autorin e profilit.

Ai parashtroi pyetje për identitetin e autorit, kohëzgjatjen e bashkëpunimit, pagesat dhe burimet eventuale të financimit.

“Unë pres reagim dhe sqarim publik më së largu deri të hënën”, deklaroi Rama, duke paralajmëruar rishikim të bashkëpunimeve institucionale me BIRN Kosovën.

Nga “Kallxo”-i thanë se e dinë identitetin e “Lule Gjeli”-t por se nuk ia tregojnë publikut.

Për publikimin e një opinioni, thanë se ia kanë botuar me pseudonim dhe se kanë pasur secilën të drejtë ta bëjnë këtë.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, kërkoi që hetimi të mos ndalet vetëm te administratori i profilit.

“Hetimi nuk duhet të ndalet te administratorët e profileve”, shkroi Çitaku, duke kërkuar zbardhjen e organizatorëve, financuesve dhe urdhëruesve.

Edhe AAK kërkoi identifikimin e personave apo grupeve që mund të kenë qenë pjesë e një skeme të organizuar.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, tha se do t’i drejtohej Prokurorisë Speciale me informacionet që posedon.

Lajme të ngjashme