A e mashtroi Serbia Kosovën për targat? Zvarritja e marrëveshjes zgjat jetën e targave serbe - NACIONALE

A e mashtroi Serbia Kosovën për targat? Zvarritja e marrëveshjes zgjat jetën e targave serbe

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dështimi i marrëveshjes përfundimtare për targat në mes të Kosovës dhe Serbisë më së shumti po i leverdis kësaj të fundit.

Mungesa e një marrëveshjeje të tillë po ia mundëson Serbisë që të lëshojë edhe me tutje tabela me akronime të qyteteve të Kosovës (KM, PR, PZ) për serbët e Kosovës.

Ndonëse zyrtarët qeveritarë ishin zotuar se pas datës 21 prill të vitit 2022 më nuk do të ketë në qarkullim tabela me akronime të tilla, dështimi i marrëveshjes përfundimtare po ia zgjat jetën përdorimit të këtyre tabelave.

Vazhdimi i lëshimit të këtyre tabelave nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë po konsiderohet si shkelje e sovranitetit të Kosovës .

Madje, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se në këtë mënyrë Qeveria e Kosovës ka rënë në grackë të Serbisë.

Sipas tij, për të vazhduar jetëgjatësinë e këtyre tabelave, Serbia mund ta zvarrisë qëllimisht arritjen e kësaj marrëveshjeje.

“A na kanë thënë se targat KM do të jenë vetëm gjashtë muaj? A ka kaluar afati? A jem futur në cikël të pafundësisë? Pra, Serbia ka arritur që të lëshojë targa të Serbisë për qytete të Kosovës pa afat. Sepse çështja tash është në ajër, dhe palët janë marrë vesh që marrëveshja paraprake të vazhdojë pa afat. Shikoni çfarë dëmi kanë bërë. Në këtë studio te ju kanë thënë se kjo çështje nuk është problematike, sepse vetëm për 6 muaj po i lëshojnë targat KM. Tani nuk është vetëm gjashtë muaj, janë futur në cikël të pafundësisë deri në marrëveshjen tjetër të pajtueshme edhe me palën tjetër, e pala tjetër nuk pajtohet fare. Kjo është përgatitje”, ka thënë Abdixhiku në “DebatPlus”.

Edhe Violeta Haxholli, hulumtuese e KDI-së, e cila monitoron procesin e dialogut, ka thënë për gazetën Nacionale se largimi i tabelave KM, PR, PZ është çështje e ndjeshme.

Ajo ka thënë se Qeveria duhet të ketë kujdes.

“Sa i përket targave me emërtim të qyteteve, kjo çështje është më delikate pasi ato përdoren kryesisht në pjesën veriore. Prandaj çdo veprim i Qeverisë në këtë pjesë të vendit duhet të jetë mirë i menduar, gjithmonë duke pasur parasysh që praktika të tilla janë përdorur atje me vite dhe nuk do të jetë i lehtë eliminimi i tyre brenda një periudhe të shpejtë”, ka thënë Haxholli.

Ajo ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të gjejnë një dakordim për këtë çështje, ngase përdorimi i stikerave nuk është treguar efikas.

“Pasi edhe pas 6 muajsh negociata për targat nuk u arrit një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë nuk ka opsion tjetër veçse të vazhdojnë praktikat e deritanishme deri në gjetjen e një zgjidhjeje tjetër. Negociatat për këtë çështje duhet të vazhdojnë pasi modaliteti aktual, pra përdorimi i stikerave nuk është treguar efikas meqë siç është raportuar nga qytetarët pasi pas një kohe stikerat bien nga targat. Deri në arritjen e një marrëveshjeje finale për njohje reciproke, palët do të detyrohen të gjejnë modalitete gjatë lëvizjes në dy shtetet”, ka thënë Haxholli.

Përdorimi i targave KM e PR, shkelje e sovranitetit

Njohësit e rrethanave politike dhe opozita kanë vlerësuar se vazhdimi i përdorimit te tabelave serbe në territorin e Kosovës është shkelje e sovraniteti.

Politologu Avdi Smajlaj ka thënë për gazetën Nacionale se shkleljen e zbut marrëveshja që është bërë në mes të dy shteteve.

“Përderisa është me lejen e shtetit, është pak e diskutueshme. Sikur të ndodhte pa lejen e shtetit, atëherë do të ishte shkelje e pastër e sovranitetit. Me aq sa di, kjo është pjesë e marrëveshjes. Megjithatë, specifikat që ka relacioni Kosovë-Serbi, e kaluara, ambiciet e Serbisë, kontestimi i shtetësisë, dhe simbolet e targave të vjetra, janë njëfarë shkelje e sovranitetit”, ka thënë ai, duke shtuar se kufizimi i lëvizjes për automjetet me këto targa mund të bëhet vetëm me një marrëveshje të re në mes të dy shteteve.

“Afatizimi i marrëveshjes për targat parimisht do të duhej bërë, por pa një marrëveshje të re, thuajse do të pamundësonte lëvizjen e automjeteve”, ka shtuar Smajljaj.

Më tej, ai ka thënë se disa tema të dialogut teknik do të mund të zgjidhen vetëm përmes marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.

“Mendoj se Qeveria e Kosovës do të duhej të definojë më qartë qëndrimin e vet ndaj dialogut, dhe në këtë drejtim do të duhej të përdorë dialogun për zgjidhje përfundimtare të çështjeve të cilat praktikisht kanë mbetur ende të pazgjidhura. Kjo do të lehtësonte pastaj edhe zgjidhjet për çështje teknike siç janë simbolet e targave. Mosarritja e një marrëveshjeje për targat edhe është ndër indikatorët se pa një marrëveshje me një njohje reciproke, edhe marrëveshjet më të vogla do të jenë vështirë të arritura e të aplikueshme”, është shprehur ai.

Edhe partitë opozitare kanë kritikuar qeverinë për marrëveshjen e përkohshme të vitit të kaluar, e cila lejonte vazhdimin e përdorimi të tabelave që lëshoheshin nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Sipas opozitës, me këtë marrëveshje Qeveria kishte legalizuar përdorimin e këtyre tabelave dhe ka njohur legjitimitetin e institucioneve të Serbisë në territorin e Kosovës.

Duke u përgjigjur në kritikat e opozitës, zyrtarët qeveritarë patën deklaruar se këto tabela do të mund të përdoreshin nga qytetarët serbë vetëm deri më 21 prill të vitit 2022.

Por, me dështimin e marrëveshjes përfundimtare, ka vazhduar edhe afati për përdorimin e tyre.

Takimi i radhës më 13 maj

Pas dështimit të raundit të fundit, të 21 prillit, për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare për targat, kryenegociatorët e të dyja vendeve kanë bërë me dije se do të vazhdojë të mbetet në fuqi marrëveshja e përkohshme, e cila parasheh vendosjen e letrave ngjitëse mbi simbolet shtetërore.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sot ka konfirmuar se për këtë çështje të dy kryenegociatorët do të takohen më 13 maj.

“I lumtur t’ju njoftoj se pas konsultimeve të mia me dy kryenegociatorët dje dhe sot, ne ramë dakord të vazhdojmë diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për çështjen e targave në Bruksel më 13 maj”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Ndonëse kanë fajësuar njëri-tjetrin për dështimin e marrëveshjes përfundimtare, kryenegociatorët janë shprehur të gatshëm për të vazhduar bisedimet.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit, pati akuzuar Serbinë se nuk ka pasur gatishmëri për një marrëveshje.

“Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe”, kishte thënë Bislimi.

Ndërsa, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka fajësuar Kosovën se nuk ka qenë e gatshme për asnjë propozim gjatë gjashtë muajve sa kanë funksionuar grupet punuese për targat.

“Marrëveshja e nënshkruar më 30 shtator është ende në fuqi. Duhet të jeni të qetë. Askush nuk duhet të shqetësohet. Marrëveshja për regjimin e letrave ngjitëse është ende në fuqi. Derisa të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme në një nivel të lartë, regjimi i letrave ngjitëse do të vazhdojë”, kishte thënë Petkoviq pas takimit.

Madje, Petkoviq nuk kishte pranuar që të ketë një afat prej 30 ditësh për të gjetur një zgjidhje.

Para gazetarëve, ai kishte thënë nëse nuk ia kanë dalë të pajtohen për gjashtë muaj, nuk do të mund ta bëjnë as për 30 ditë.

Më 30 shtator të vitit të kaluar në Bruksel është arritur një marrëveshje e përkohshme lidhur me targat, me kusht që një marrëveshje përfundimtare të arrihej brenda gjashtë muajsh.

Sipas marrëveshjes së përkohshme, Kosova dhe Serbia janë pajtuar që automjetet e dy vendeve, gjatë qarkullimit në territoret e njëra-tjetrës, t’i mbulojnë me letra të bardha ngjitëse simbolet shtetërore në targa.

Vendosja e masës së reciprocitetit në targa nga qeveria e Kosovës vitin e kaluar, kishte shkaktuar tensione në pjesën veriore të vendit. Vendimi i qeverisë tani detyronte automjetet me targa të Serbisë që hynin në Kosovë të vendosin targa të përkohshme, ashtu siç bënin automjetet e Kosovës që hynin në Serbi. Kjo kishte nxitur serbët që t’i bllokonin rrugët me mjete të ndryshme. Për t’i evituar tensionet kishte ndërhyrë BE-ja, duke i thirrur palët në Bruksel.

Më 21 prill të vitit 2021, palët u pajtuan për marrëveshjen e përkohshme, afati i së cilës ka skaduar më 21 prill të këtij viti.

Lajme të ngjashme