Shqipníja edhe te ‘Odiseja’ e Nolanit, Kosova me kolona kurbetçinjsh
Edhe cula diare, fyelli i dyfishtë i Labërisë, e ka gratifikuar imazhin e kulturës shqiptare. Tingujt e fyellit lab janë përdorur në njërën nga kolonat zanore të filmit epik të Chrisopher Nolanit ‘Odyssey’. Duke lënë pas hijet e stereotipeve të dikurshme, Shqipnísë sonë i ka buzëqeshur fati i mirë me një imazh të ri e tërheqës. Prej emrit të mirë në media ndërkombëtare e deri te samitet e rëndësishme të NATO-s e Komunitetit Politik Evropian, shteti amë është bërë adresa më e pëlqyer në rajon. Gjysma tjetër e kombit, Kosova, nuk e ka këtë fat. Ajo mbi supe mban ende sanksionet e ShBA-së, është nën izolim ndërkombëtar dhe në shoqëri të shteteve batakçi si Rusia, Bellarusia e Irani, dhe askush nuk i bën ftesa diplomatike. Vetë Kurti, në BBC e La Repubblica, i tha botës mbarë se Kosovën e pret lufta. Kështu, lajm i vetëm për vendin mbeten kolonat e kurbetçive që kthehen për pushime.
Col Mehmeti
17 korrik 2026 – Një copë Shqipní ka bërë vend në filmin që po vie si sprovë para ekraneve të kinemasë botërore.
Filmi treoërësh i Christopher Nolanit që e ekranizon poemën epike të Homerit është shërbyer edhe me diçka nga takëmi i kulturës shqiptare.
Në përpjekje për të rikrijuar jehet muzikale të botës homerike, ustahët e përfshirë në film kanë bërë një zgjidhje mbresëlënëse.
Si replika më e afërt me atë që në botën greke njihej si fyelli dysh, aulos, një vegël frymore nga Labëria është vënë në punë për të krijuar një nga kolonat zanore të filmit ‘Odyssey’.
Labëria e tingujve homerikë
Për kompozitorin suedez, Ludwig Göransson, fyelli lab ndrynte në vete mundësinë për të rikrijuar artisticitetin e tingullt të njerëzve që jetuan në periudhën e Bronzit.
Udhëtimi drejt jugut të Shqipnís ishte për të prekje e diçkaje ‘homerike’.
Stili i përvetshëm i të kënduarit, iso-polifonia, ishte së tejmi grishës për të gjetur frymëzimet e duhura.
Göranssonit dhe bashkëpunëtorëve të tij muzikologë iu desh për ditë më radhë të ndiqnin tempon e jetës baritore në bokërimat e Labërisë.
Duke u zgjuar me të zbardhur, ata udhëtuan tok me barinjtë e tufat e tyre.
Me incizimet e bëra nga tingujt e fyellit të njohur vendçe si cula diare, Göranssoni e plotësoi filmin me tinguj që i ngjajnë erës.
Vegla frymore që përcolli këngët baritore
Po çfarë është cula diare që i përcolli për mijëvjeçarë këngët vendëse të jugut?
Cula diare, që paraqet një fyell të dyfishtë, është vegël frymore që përdoret në popull për të krijuar melodi të vazhdueshme (bordun).
Po u krahasua me përfaqësimet artistike në vazot atikase, cula i ngjan goxha shumë veglës frymore aulos, që ishte njashtu fyell i dyfishtë.
Tingujt e përftuar prej tij përshkruhen si ‘penetrues, ngulmues e drithërues’.
Sipas etnomuzikologëve, tingujt e fyejve dysh dëgjoheshin më larg se ata të zakonshmit gjatë marshimeve ushtarake dhe zhurmërisë së parzmoreve e mburojave.
Në mjaft raste, tingujt e aulos-ave përvijonin poezinë vajtimtare (elegjiake).
Sipas profesorit dhe etnomuzikologut Eno Koço, cula diare (që njihet nga vend në vend si cula dyjare, cyla-diare apo bicula) përshkruan një lloj vegle të përbërë nga një fyell i dyfishtë që ka përhapje kryesisht ndër viset jugperëndimore të hapësirës shqiptare.
I hedhur si mendim edhe nga muzikologë të tjerë, si Ramadan Sokoli, njëri fyell shërben për melodi, kurse tjetri vetëm për ‘bordun’ (tingull që luhet pa ndërprereje gjatë gjithë këngës).
Nga studimet më të thella të profesor Koços, cula diare është shprehje pentatonike e identitetit krahinor lab.
Shqipníja, gjysma jonë, me imazh të mbarë
Përveç kuriozitetit, kjo copë Shqipníje në filmin e Nolanit është vetëm një fusnotë në një rrëfim më të gjërë.
Shtetit amë tash e disa vjet i ka buzëqeshur fati më shumë se kurrë.
Imazhi i Shqipnís po përjeton mbase ditët më gazplota në histori duke u bërë i njohur gjithandej botës.
Stereotipet e errëta që asocionin çdo përmendje të Shqipnís duken sikur nuk kanë ekzistuar asnjëherë.
Atyre po u zënë vendin përfaqësime të reja shumëfaqëshe ku Shqipníja ngre krye mes një ekzotizmi të qetë, kulture të pasur e vendthesh parajsore që ua bëjnë me sy miliona turistëve.
Rritja e paimagjinueshme e vizitorëve të jashtëm nuk është rastësore.
Në dy vitet e fundit, mbi 11 milionë
mysafirë shkelën në brigjet e Jonit nëpër çipa si Ksamili, Dhërmiu e Himara.
Nuk ishin vetëm ujërat e Adriatikut dhe Jonit tërheqja e të huajve, por edhe arratisjet vizitore drejt brendatokës në qytete ku muzeohen copëza historie e kulture shqiptare, si Berati e Gjirokastra.
Ky imazh për një vend me plazhe të bukura, çmime të përballueshme e larushi ekosistemesh mori jeh edhe më fort nga pasqyrime të hajrit në National Geographic, El Pais, Matador Network, GEO Magazine e media të tjera.
Të ‘rrëmbehesh’ nga Shqipníja
Nga 2008-a e këndej, shqiptarëve iu doli ‘zâni i zi’ me trilogjinë e filmave ‘Taken’, me aktorin Liam Neeson; publikut filmdashës iu shërbyen stereotipe ku shqiptarët ishin veçse mafiozë, kriminelë e narkodilerë.
Me një strategji të mençur marketingu pozitiv, shteti shqiptar iu kundërvu me parullen e turizmit “Be taken by Albania”.
Videoja, e mjeshtruar me profesionalizëm e kreativitet, shpaloste një Shqipní shkëlqimtare me më bukurat e gjeografisë dhe kulturës së saj.
Edhe më i mbarë ishte organizimi i vjetmë kur përfaqësues të kompanive të mëdha të produksionit, si HBO, Warner Brothers, Amazon, Disney, Paramount, NBC-Universal, vizituan tokën shqiptare me ftesën që t’i zbulonin hiret e saj turistike.
Një hartë e re për botën
Gjithandej Mesdheut ka vende që prapëseprapë nuk shkojnë përtej turizmit rekreativ.
Javën e kaluar, koncerti i kallabllaktë i Kanye Westit ngashnjeu mbi 60 mijë adhurues moshash të reja, një koncert fare i rrallë për gjithë rrethepërqarkun.
Shqipníja shquhet në secilën hartë të ngjarjeve kulturore edhe me festivale, si Kala Festival, Vala Fest, Keinemusik – këto janë vetëm disa nga më të shquarit në mesin e mbi 40 syresh sa u organizuan vjet.
Nga 2022-a e deri vjet, copëza nga kultura dhe tradicioni shqiptar gjetën udhën deri në UNESCO si vlera unike trashëgimore.
Të tilla ishin xhubleta, transhumanca (shtegtimi stinor i gjësë së gjallë), kërcimi tropojan dhe arti i luajtjes dhe këndimit me lahutë.
Tirana, vend samitesh, vend ku të mëdhenjtë vijnë
Sharmi i Shqipnís është vetëm njëra nga faqet e këtij imazhi të ri.
Dorëpërdore me të ka ecur stabilizimi gjithnjë e më i madh i vendit sa të fitonte besueshmëri politike kudo në Perëndim.
Shembull i rrokshëm i këtij imazhi të ri ishte edhe samiti i rëndësishëm i Komunitetit Politik Evropian (EPC) që u mbajt vjet në Tiranë.
Me praninë e 47 krerëve të shteteve e përfaqësuesve të institucioneve evropiane, Shqipníja e la pas gjithë rajonin kur i bëri vend një samiti të tillë të EPC-së.
Me një rëndësi larg më të madhe duket edhe caktimi për vitin e ardhshëm që në Tiranë të mbahet samiti i radhës i NATO-s.
Ca vite larg BE-së
Megjithatë, sihariqi më i madh për Shqipnín vazhdon të mbetet rrugëtimi i saj drejt BE-së.
Anëtarësimi është zënë në gojë përsëritshëm nga figura kyçe në Bruksel.
Vjet, përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Kaja Kallas, pati dhënë mesazhet më shpresëplota.
Duke folur për procesin e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor, ajo dha kumtin se “Shqipëria dhe Mali i Zi po bëjnë hapa të mirë në reforma.”
Më 7 prill, udhëheqja e diplomacisë së BE-së vizitoi Podgoricën dhe Tiranën zyrtare, ku dhe kishte zhvilluar takime me instancat më të larta.
Në Tiranë, Kallas e kishte cilësuar Shqipnín si “partnere të fuqishme të Bashkimit Evropian.”
Pyetjes nëse 2030-a është vit realist për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ajo iu përgjigj pozitivisht duke thënë se kjo varet edhe nga fakti nëse vendi i ndërmerr hapat e duhur.
Kosova në rrjetën e pashpresës
Në një kontrast të zymtë qëndron ‘Shqipníja tjetër’.
Në të gjitha aspektet e përmendura – nga imazhi i përgjithshëm, turizmi e deri te marrëdhëniet me Perëndimin – Kosova ka shënuar vetëm rekorde të zeza.
Vendi psherëtiu paksa i lehtësuar kur në mars BE-ja i shpalli të përfunduara masat e saj sanksionuese.
Por, ato të Washingtonit vijojnë të mbeten në fuqi sot e gjithë ditën.
Me Dialogun Strategjik tashmë të pezulluar, Kosova më nuk honepset nga aleati më i fuqishëm i saj.
Me skandale të njëpasnjëshme që kanë plasaritur imazhin properëndimor të Kosovës, vetë kryeministri Kurti nuk është kursyer që t’i bëjë vendit portretin më faqezi.
Në bashkëbisedime për media emërmëdha si BBC e La Republicca, ai kishte shkuar aq larg sa kishte paralajmëruar ré lufte në Kosovë pasi Rusia e përlau agresivisht Ukrainën.
Komente të tilla duket se ia bënë gjëmën reputacionit të vendit dhe çalimit të tij në integrime euroatlantike.
Bashkë me Serbinë e Bosnjën, Kosova mbetet e ngujuar në paperspektivën e vet për t’iu afruar BE-së.
Për dallim nga Tirana ku organizohen samite me rëndësi, Kosovës e Prishtinës nuk duket se iu trokasin në derë mundësi të tilla.
Ajo rëndom nuk figuron në hartën për organizime konferencash a takimesh me rëndësi ndërkombëtare – e vetmja ngjarje që është organizuar ishte ajo e para dy viteve kur u organizua një konferencë për edukimin mediatik në Ballkanin Perëndimor. /Nacionale/