Shqipëria e Mali i Zi afër BE-së, Kosova nuk bëhet hesap
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka paralajmëruar se gjatë majit do të bëjë vizita në Prishtinë e Beograd. Këtij të fundit ia ka mbledhur ‘betë’ që të mos marrë pjesë në paradën e 9 majit në Moskë. Mesazhet e vetme shpresëdhënëse kanë shkuar për Shqipërinë dhe Malin e Zi si vendet e vetme në Ballkan që mund të anëtarësohen në BE deri më 2030.
Normalizim marrëdhëniesh dhe vazhdim bisedimesh është pozicioni aktual i Brukselit kundrejt Kosovës dhe Serbisë.
Këtë qëndrim e ka përsëritur së fundmi
edhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, në takimin që pati në Këshillin për Punë të Jashtme.
Në paraqitjen e saj për mediet, ajo më fort është përqëndruar në çështje urgjente si ndihma ushtarake për Ukrainën, shtrëngimi i trysnisë ndaj Rusisë dhe gjendja në Gazë, përfshirë edhe përkrahjen për një zgjidhje për dy shtete.
Në lidhje me Ballkanin Perëndimor, Kallas ka thënë se “është e qartë se stabiliteti dhe siguria në rajon janë thelbësore.”
“Nëse shihni në hartë, Ballkani perëndimor është gjeografikisht në Evropë. Ai duhet të jetë edhe në Bashkimin Evropian. Dhe kjo është arsyeja pse procesi i zgjerimit është super i rëndësishëm, dhe ne duhet të lëvizim në këtë drejtim. Ne po shohim se Shqipëria dhe Mali i Zi po bëjnë hapa të mirë e reforma të mira”, ka thënë shefja e diplomacisë evropiane.
Duke komentuar gjendjen në Bosnjë e Hercegovinë, ajo e ka cilësuar si krizë kushtetuese dhe se çdo përpjekje për zhbërjen e Bosnjës “është e papranueshme.”
Kallas ka adresuar edhe çështjen e Kosovës dhe Serbisë, për çka ka kërkuar që të vazhdojnë bisedimet.
“Është e qartë se normalizimi i marrëdhënieve të tyre ka rëndësi të dorës së parë. Dhe për këtë arsye duhet të vazhdojnë bisedimet Beograd-Prishtinë. Ne kemi caktuar një përfaqësues të ri të posaçëm për bisedimet, dhe unë do t’i vizitoj këto vende gjatë majit”, ka thënë Kallas.
Me sa duket si mesazh të tërthortë për Serbinë, ajo ka thënë se shtetet anëtare të BE-së nuk do ta kalojnë lehtë pjesëmarrjen e ndonjë vendi në paradën e 9 majit në Moskë, duke marrë parasysh që Rusia po kryen luftë në shkallë të gjerë në Evropë.
Lajme shpresëdhënëse për Shqipërinë dhe Malin e Zi
Më 7 maj, udhëheqësja e diplomacisë së BE-së vizitoi Podgoricën dhe Tiranën zyrtare, me ç’rast zhvilloi takime me instancat më të larta.
Më pas, ajo vizitoi edhe Bosnjën në përpjekje për t’i qetësuar tensionet e fundit atje.
Vizita e saj u konsiderua si mesazhdhënëse për rajonin: Ballkani Perëndimor mbetet vendosshmërisht nën radarin e BE-së.
Edhe zgjdhja e këtyre vendeve nuk ishte rastësore: Shqipëria dhe Mali i Zi si kandidatët në ballë për anëtarësim në BE, kurse Bosnja si vend që ka potencial për destabilitet në shkallë të gjerë rajonale.
Në vizitën e saj në Tiranë, Kallas e kishte cilësuar Shqipërinë si "partnere të fuqishme të Bashkimit Evropian."

Pyetjes nëse 2030-a është vit realist për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ajo iu përgjigj pozitivisht duke thënë se kjo varet edhe nga fakti nëse Shqipëria i ndërmerr hapat e duhur.
Mesazhe të tilla shpresëdhënëse ka dhënë edhe komisionerja për zgjerim, Marta Kos: “Mali i Zi dhe Shqipëria mund të anëtarësohen më 2026 ose 2027. Por, bisedimet për zgjerim bëhen vetën nëse rajoni është stabil. Tani, ai nuk është i tillë. Dhe kjo përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për synimet strategjike të BE-së.”
Serbia kurthohet nga flirti me Moskën
Në anën tjetër, Kallas ka shpërfillur Beogradin gjatë vizitës së saj të fundit në rajon.
Në rrethe njohësish e analistësh politikë, kjo ishte lidhur me pakënaqësinë e shumëfishtë të BE-së për sa i përket zhvillimeve brenda dhe jashtë Serbisë.
Kjo është shkallëzuar edhe më fort nga pakënaqësia kundrejt politikës së jashtme të Beogradit dhe flirtit të saj me Moskën.
Kritikat janë jehëzuar edhe me rastin e miratimit të raportit të fundit për Serbinë në Komitetin për Çështje të Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian.
Në raportin e përgatitur nga Tonino Picula, që u miratua me 55 vota për, 13 kundër dhe 8 abstenime, janë shqiptuar vërejtje serioze për Serbinë.
Aty është nënvizuar se marrëdhëniet e ngushta të Serbisë me Rusinë ngrenë shqetësimë për orientimin e saj strategjik.
Për këtë arsye, në raport është kërkuar nga BE-ja që ta rishqyrtojë shtrirjen e mbështetjes financiare për Serbinë nëse ajo vazhdon të mbështesë ideologji antidemokratike dhe nuk iu bashkohet sanksioneve evropiane dhe politikës së përbashkët të sigurisë.
“Për një kohë tepër të gjatë, Serbia është përpjekur të marrë më të mirën e fondeve të BE-së derisa ka anashkaluar vlerat tona themelore dhe orientimin tonë gjeopolitik. Procesi i zgjerimit është i mbështetur në merita, dhe përparimi i Serbisë mund të ketë ndikim pozitiv në rajon”, ka theksuar Picula në raportin e tij. /NACIONALE/
C.M