Eksportet e Albinit: drejtorë që nuk e kanë idenë ku janë e çfarë bëjnë
Kur po bëhet rrum një muaj nga shpërthimi i protestave antiqeveritare në Tiranë, partia e Kurtit është apostrofuar vazhdimisht për përfshirjen e tërthortë. Më tepër si pasojë e antagonizmit të thellë me kryeministrin Edi Rama, Vetëvendosja është zënë në gojë edhe si alternativë si do të ishte ‘Shqipëria e re’ pa PS-në dhe PD-në. Megjithatë, qytetarët e andej Drinit tash e shtatë muaj mund ta kenë përjetuar nga afër sesi duket një ministër i zakonshëm i Kurtit. Si drejtor ekzekutiv i Autoritetit Portual në Durrës, kjo nyje kyçe e tregtisë detare, Aliu është po ai që ishte edhe në Kosovë. Problemet e dikasterit të tij i mëson vetëm nga gazetarët.
Col Mehmeti
29 qershor 2026 – Një minutë e pesëdhjetë sekonda nuk kanë qenë të mjaftueshëm që të merret një copë përgjigjje për një pyetje fare të thjeshtë.
Skenë që përçon ndjesi sikleti e torture është kur ish-ministri i Kurtit, Liburn Aliu, nuk e ka idenë për probleme që bien nën përgjegjësinë e tij.
Ndonëse tash e shtatë muaj drejtor ekzekutiv në Autoritetin Portual të Durrësit, ai nuk kishte asfarë përgjigjje kur gazetarja e emisionit hulumtues ‘Piranja’, Matilda Prendi, ia zuri rrugën në hyrje të institucionit.
“A mund të na i dërgoni pyetjet në email dhe unë betohem se do t'u përgjigjem të gjithave”, thotë Aliu me një grimasë buzëqeshje të shtirur përballë një problemi që vetëm tani e mëson.
Kur gazetarja Prendi sërish ngulmon se dy ndërtesa në pjesën portuale të Durrësit kanë pësuar një fundosje prej disa centimetrash, drejtori kosovar sërish kërkon që të komunikojë vetëm me ‘shkrim’.
“Unë duhet t’i kem pyetjet e sakta e që përgjigjjet të jenë të sakta më duhet ta analizoj pyetjen”, përpiqet të nxirret nga sikleti Aliu.
Çfarë po ndodh qindra metra larg zyrës së Aliut?
Ish-ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës në Qeverinë Kurti 2 – dhe prej dy vitesh nën hetime nga Prokuroria Speciale e Kosovës si njëri nga të dyshuarit për keqpërdorime milionëshe – ai ishte emëruar si drejtor në një nga pozicionet më të lakmuara në tregtinë detare të Shqipërisë.
Patronja e tij në këtë pozitë qe Belinda Balluku e cila, pasi u bë subjekt hetimi nga SPAK-u, nuk është më në detyrën e zëvendëskryeminstres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Muajin e kaluar u ngrit si alarm çështja e projektit
ambicioz ‘Durrës Yachts & Marina’ që prej dy vitesh po ndërton në hapësirën e portit të Durrësit.
Ky investim nga kompania e investitorit nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Muhammed El Alabbar, parasheh ndërtimin e 12 mijë apartamenteve dhe dy hoteleve me 850 dhoma në limanin e Durrësit.
Sipas marrëveshjes 35-vjeçare të nënshkruar në gusht të vitit 2022, Qeveria shqiptare, më saktë Autoriteti Portual i Durrësit, do të zotërojë 33.3 për qind të dividentit të investimit.
Megjithatë, një raport topografik i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) nxori në pah se dy pallate, njëri nëntëkatësh e tjetri njëmbëdhjetëkatësh, kanë pësuar ulje të strukturës duke u zhytur disa centimetra në tokë.
Sipas gjetjeve të inspektimit, objekti ‘02’ ka pësuar ulje për 29 centimetra, kurse objekti tjetër ‘04’ është zhytur për 18 centimetra.
Me këtë rast, ky Inspektoriat kërkoi nga kompania zbatuese e projektit zhvillimor që të ndërmerrte masa të menjëhershme për përforcimet e nevojshme teknike.
Performim midis hijeve
Por, drejtori nga Kosova, që mori lavdërime të shumëfishta nga ministrat e Ramës, nuk duket se ka as idenë më të vogël për problemin në fjalë.
Vetëm disa muaj pas emërimit në pozitën e drejtorit, më 27 janar të këtij viti, Aliu nënshkroi një tender të dyshimtë në vlerë prej 220 mijë eurosh me kompaninë ‘Illyrian Consulting Engineers’ të Olset Haxhiut.
Ky i fundit njihet për lidhjet e tij me Bashkim Ulajn i cili po hetohet nga SPAK-u për afera me tendera rrugësh e pastrim parash.
Burime pranë Portit të Durrësit, të cituara nga një medium në Tiranë, patën thënë se këtu bëhej fjalë për një flamur të kuq të korrupsionit brenda institucionit të drejtuar nga Liburn Aliu.
Fituesi i tenderit ishte caktuar me pazar në tavolinë në një procedurë të kurdisur tenderuese.
Rrugë që s’përfundojnë si ‘Rozafati’ i legjendave
I emëruar ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës më 22 mars të vitit 2021, Aliun e përcollën gjatë gjithë kohës hije të rënda të keqperformimit dhe dështimeve të njëpasnjëshme për sa i përket projekteve të premtuara infrastrukturore.
Gati proverbiale për kohëzgjatjen e tyre, rruga Prishtinë-Mitrovicë dhe Prishtinë-Besianë
sot e gjithë ditën mbeten të papërfunduara.

Ministri Aliu, sikur vetë kryeministri Kurti, e kishte trumpetuar me të madhe edhe fillimin e rrugës Prizren-Tetovë, për të cilën pas pak kohe u kuptua se do të mbetet projekt zor i realizueshëm edhe në vitet në vazhdim.
Kur marrëdhëniet e përkeqësuara mes Aliut dhe Kurtit mbërritën kulmin, ai në muajt e fundit si ministër nuk ngurroi t’i ‘hakmerrej’ shefit para kamerave.
Kështu, Aliu e përgënjeshtroi Kurtin për premtimet e dhëna pa mbulesë për autostradën e Gjilanit.
Ana tjetër e marrëdhënieve PS-VV
Qysh në gusht të vitit të kaluar, NACIONALE pati paralajmëruar se Aliu i kishte hyrë pazarit për të marrë një pozitë në Qeverinë e Ramës kur kjo po hynte në procesin e ristrukturimit.
Falë lidhjeve të krijuara gjatë detyrës së tij si ministër, Aliu iu rekomandua Ramës si ‘kosovari patriot’ që mund t’i kundërvihej partisë së braktisur.
Vetë Rama nuk kishte e kishte huqur rastin që ministrit të Kurtit t’ia përkëdhelte sedrën në atmosferën tejet të tendosur të dy kabineteve qeveritare.
Më 2016, Aliu ishte njëri nga dhjetëra drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje që përfituan nënshtetësi shqiptare me dekret të ish-presidentit të ndjerë, Bujar Nishani.
Derisa pajisja me pasaportën shqiptare mbetet ëndërr e parealizuar për mijëra shqiptarë si pasojë e burokracive të pakalueshme e dekurajuese, krerët e Vetëvendosjes përfituan nga ‘procedurat e përshpejtuara’.
Kjo, në të vërtetë, ishte fryt i ditëve kur Partia Socialiste vazhdonte të kultivonte simpati të hapur për Vetëvendosjen dhe Kurtin.
Lexo edhe: Je i papërgatitur? Mos u dëshpëro, baco, të bëjnë drejtor në Durrës
Një trashëgimi problematike
Si njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Kurtit, madje njëri nga themeluesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Aliut në fund të vitit 2013 i ishte besuar portofoli i Drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kur Vetëvendosja e mori pushtetin në kryeqytet.
Trashëgimia e tij e vetme në këtë post mbeti ajo e zyrtarit që shkonte në vendin e punës i armatosur me revole.
Si thuajse asnjë funksionar publik i mëparshëm, drejtori i Urbanizimit turrej e përfshihej edhe në sulme fizike.
Prej ditës kur kaloi një 24-orësh në stacion policor për rrahje, Aliut dalëngadalë do t’i trashej lëkura për aktakuza.
Më 26 korrik 2019, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj tij për “pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.
Sipas aktakuzës, më 21 mars 2018, rreth orës 13:44, Liburn Aliu në Kuvendin e Kosovës u kishte marrë kartelat e votimit rreth 40 deputetëve, duke e pamundësuar mbarëvajtjen e seancës së jashtëzakonshme.
Më 24 korrik 2020, Prokuroria Themelore ngriti aktakuzë ndaj ‘kaubojit’ me revole për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar – ai bashkë me vartësit e tij akuzoheshin se nuk e zbatuan planin zhvillimor urban në lagjen ‘Prishtina e Re’.
Ligjshkelës, ligjurryes
Por, problemet e trimit me ligjin nuk kishin mbaruar me kaq.
Më i rëndi ishte kur Prokuroria Speciale e Kosovës më 2024 mori aktvendim për zgjerimin e hetimeve për skandalin e faljes së borxheve për ambalazhuesit e ujit.
Kësisoj, sipas aktvendimit në fjalë, Liburn Aliu dyshohej se gjatë periudhës kohore 2021-24, në cilësinë e personit zyrtar, si ministër, “me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët”, i kishte shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej miliona eurosh.
Siç ka raportuar në vijimësi NACIONALE, dorëheqja e Liburn Aliut nga Qeveria në largim e Albin Kurtit fshihte pas vete një histori të gjatë fesati me shefin e tij.
Kjo ngatërresë e kishte përcjellë Aliun ç’prej emërimit të tij në krye të ministrisë me buxhetin më të madh në Qeveri.
Herë në formë moskomunikimi e herë në formë nxitjesh të të tjerëve, antipatia e Kurtit kishte kulmuar gjatë një mbledhje të kabinetit qeveritar, në shtatorin e vitit 2024, kur Kurti i ishte drejtuar Aliut me qesëndi “Hajde, ti ministri i Asfaltit…”.
Në idiolektin politik kosovar, gjithçka e lidhur me asfaltin është antonomazi për korrupsionin e tenderët. /Nacionale/