Aneksi i Ohrit pa njohje e me Asociacion s’i hiqet nga tryeza Kurtit, Sorensen shkon në Serbi për të kërkuar “zbatim të plotë” - NACIONALE

Aneksi i Ohrit pa njohje e me Asociacion s’i hiqet nga tryeza Kurtit, Sorensen shkon në Serbi për të kërkuar “zbatim të plotë”

45 minuta më parë

nga NACIONALE

Mandatin e kishte marrë me "nuk i jap gjë Serbisë, për njohjen që ata s'e japin kurrë," ndërsa marrëveshja ligjërisht e ndërkombëtarisht e detyrueshme, prodhuar në udhëheqjen e Albin Kurtit, ishte pa njohje.

Me një njohje të derës së pasme, de-facto, dhe me Asociacion të mbindërtuar me "vetëmenaxhim," Marrëveshja e Bruksel/Ohrit vazhdon të jetë e vlefshme në plotninë e saj.

Bashkimi Evropian vazhdon "të punojë" në jetësimin e zbatimin e saj. Emisari danez Peter Sorensen ka vazhduar angazhimin, ndonëse Kosova s'ka qeveri fuqiplote.

Albin Kurti dialogun publikut ia thotë si të pavazhdueshëm si pasojë e mospërmbushjes së "tre kushteve" të vendosura ndaj Serbisë.

Pas vizitave në Beograd, Sorensen njoftoi se me palën serbe foli për rëndësinë e zbatimit "të të gjitha marrëveshjeve, përfshirë atë të Marrëveshjes së Ohrit 2023."

"U takova me Marko Gjuriq. Diskutuam rëndësinë e angazhimit të qëndrueshëm në Dialogun e lehtësuar nga 🇪🇺 për të zbatuar të gjitha marrëveshjet, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023, dhe për të avancuar normalizimin ekonomik që përmirëson jetën e përditshme të njerëzve," shkroi Sorensen në "X."

Kohëve të fundit, në një panel të pranishëm ishte kryediplomati në detyrë Glauk Konjufca, i cili argumentoi se mosnënshkrimi bilateral i Serbisë do të thotë se marrëveshja nuk është pranuar.

Sorensen i tha se marrëveshja, ashtu siç është, është valide dhe e detyrueshme. "Nuk ju nevojitet një nënshkrim që një marrëveshje ndërkombëtare, e arritur mes palëve, të jetë e vlefshme," deklaroi ai.

Shtoi se për këtë çështje ishte konsultuar me juristë në Bruksel dhe New York.

Kurti publikut i thotë se i ka tre kushte të pakapërcyeshme që kjo marrëveshje të jetë e vlefshme, anipse ajo është ngurtësuar ndërkombëtarisht si valide.

Ajo mbetet pjesë e pashkëputshme e çfarëdo hapi të mëtejmë integrues në organet euro-atlantike. Mosmiratimi për rishikim kushtetues i draft-Statutit të BE-së për Asociacionin ia pamundësoi Kosovës anëtarësimin në Këshill të Evropës.

Kurti thotë se kushtet janë: nënshkrimi bilateral i Serbisë në tekstin e Brukselit e shtojcën e Ohrit; tërheqja e letrës së Ana Brnabiq në EEAS; dhe ekstradimi i Millan Radojçiqit.

Këto kushte nga BE-ja nuk njihen, e cila në komunikata zyrtare kërkon "zbatim të plotë të menjëhershëm, pa parakushte dhe vonesa."

BE-ja javëve të fundit shkroi se çdo veprim "që afekton" arsimin dhe shëndetësinë paralele serbe duhet të jetë "brenda kornizës së marrëveshjeve të Brukselit."

"Çdo proces që prek institucionet shëndetësore dhe arsimore duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i koordinuar me komunitetin serb, brenda kornizës së të gjitha marrëveshjeve relevante brenda Dialogut të Lehtësuar nga BE dhe ligjit të Kosovës," tha BE-ja.

"Zbatimi i plotë i Marrëveshjes mbi Rrugën drejt Normalizimit është ndër kushtet thelbësore për rrugën evropiane të Kosovës," theksoi BE-ja.

Për Asociacionin, Kurti tha se "për bindjen time të fuqishme, është i tejkaluar."

Lajme të ngjashme