Sot dëbohen kundërshtarët, nesër mungojnë tatimpaguesit: Kur emigracioni gërryen themelet e pushtetit klientelist
Shkruan: Adri Nurellari
EUROSTAT-i sapo ka nxjerrë që në vitin 2025, shtetasve shqiptarë iu dhanë 68,653 leje qëndrimi për herë të parë në vendet e Bashkimit Europian duke u renditur e para në Ballkanin Perëndimor. Në Kosovë kjo shifër ishte 43,747. Lejet e para të qëndrimit nuk janë e njëjta gjë me emigrimin neto por ky tregues i është ndër matjet më të forta dhe më të verifikueshme të përmasave të zhvendosjes së shqiptarëve drejt vendeve të BE-së. Nga viti i rotacionit 2013 deri më 2025, 730,611 shtetas shqiptarë morën leje qëndrimi për herë të parë në BE. Ndërsa nga rotacioni i vitit 2019 të njëjtën rrugë e ndoqën 294,747 shtetas të Kosovës. Kjo është "shpresa" që dy kryeministrat Rama e Kurti kanë prodhuar për popujt e tyre. Duhet theksuar se bëhet fjalë vetëm për BE-në sepse në këtë shifër nuk përfshihen largimet drejt Britanisë së Madhe Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe vendeve të tjera. Nuk përfshihen as emigrantët e paregjistruar apo ata që nuk kanë marrë ende status të rregullt qëndrimi.
Por gjendja është padyshim më alarmante për Shqipërinë ku në fund të vitit 2025, rreth 875105 shtetas shqiptarë kishin një leje qëndrimi të vlefshme në BE. Kuptohet kjo shifër nuk përfshin qindra mijë shqiptarë që ndër vite kanë marrë shtetësinë e një vendi anëtar dhe për këtë arsye nuk figurojnë më si shtetas shqiptarë me leje qëndrimi. Por ajo që e bën edhe më alarmante këtë shifër është mosha e atyre që largohen. Rreth 76% e shtetasve të Shqipërisë që morën leje qëndrimi për herë të parë në BE gjatë vitit 2025 ishin nën 40 vjeç, ndërsa mosha e tyre mesatare e përafërt rezulton vetëm 27.8 vjeç. Pra, Shqipërisë nuk po i largohen banorë dosido por segmenti më vital i shoqërisë, punëtori, profesionisti, shkencëtari, sipërmarrësi, prindi i ri, konsumatori dhe tatimpaguesi i së nesërmes. Kjo nuk duhet parë vetëm si një dramë demografike por edhe si një një goditje e drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë, financave publike dhe qëndrueshmërisë së vetë modelit mbi të cilin është ngritur qeverisja e sotme. Prandaj pyetja kryesore që duhet të shtrojmë është se kush do ta mbajë ekonomikisht shtetin që po lënë pas?
Gjatë këtyre viteve Shqipëria ka ndërtuar një paradoks të rrezikshëm ku shoqëria është zvogëluar, por aparati shtetëror është zgjeruar. Në vitin 2014, Shqipëria kishte rreth 163 mijë të punësuar në sektorin shtetëror ndërsa sot numërohen mbi 185 mijë, së paku 22 mijë më shumë. Pra Shqipëria kishte afërsisht 57 punonjës shtetërorë për çdo një mijë banorë. ndërsa sot ky raport është afruar me 77 punonjës për një mijë banorë. Domethënë, pesha e sektorit shtetëror ndaj popullsisë është rritur me rreth një të tretën. Kjo ka ndodhur ndërkohë që numri i nxënësve është zvogëluar, bashki të tëra janë zbrazur, popullsia në moshë pune është tkurrur dhe qeveria ka shpenzuar qindra milionë euro për digjitalizimin e shërbimeve apo për kontrata koncensionare me PPP. Teorikisht, më pak qytetarë dhe më shumë shërbime digjitale, më shumë kontrata private për shërbime publike duhet të sillnin një administratë më të vogël, më profesionale dhe më efikase.
Në një demokraci normale evropiane, vendi i punës në administratë është një marrëdhënie profesionale ndërmjet qytetarit dhe institucionit. Në një sistem klientelist si ky yni, ai rrezikon të shndërrohet në një kontratë të heshtur politike. Shteti ofron pagën, kontratën, tenderin, licencën, legalizimin, subvencionin, lejen, vendin e punës për një familjar ose tolerimin e një shkeljeje apo evazioni. Në këmbim, qytetari pritet të ofrojë bindjen, heshtjen, pjesëmarrjen në aktivitet politik ose votën.
Sigurisht, jo çdo punonjës shtetëror voton për qeverinë dhe jo çdo kontratë publike është klienteliste. Por në një vend me institucione të dobëta, pasiguri ekonomike dhe administratë të politizuar, varësia nga shteti rrit koston personale të kundërshtimit. Prandaj emigrimi dhe klientelizmi nuk janë dy probleme të ndara. Ato ushqejnë njëri-tjetrin. Ata që largohen janë kryesisht të rinj, njerëz në moshë pune, profesionistë dhe familje që kërkojnë autonomi ekonomike. Sa më shumë largohen njerëzit e pavarur nga shteti, aq më e madhe bëhet pesha relative e atyre që varen nga paga publike, pensioni, ndihma ekonomike, kontrata shtetërore apo favori administrativ.
Sa më shumë zgjerohet kjo varësi, aq më e lehtë bëhet kontrollimi politik i shoqërisë. Dhe sa më klientelist bëhet shteti, aq më pak konkurruese, meritokratike dhe shpresëdhënëse bëhet ekonomia, duke shtyrë drejt largimit një valë të re qytetarësh. Krijohet kështu një rreth vicioz ku emigrimi zvogëlon shoqërinë e pavarur; zvogëlimi i shoqërisë së pavarur forcon shtetin klientelist; shteti klientelist prodhon më shumë emigrim.
Shqipëria po humbet atë që Albert Hirschman e quante “zëri” përmes “daljes”. Kur qytetari nuk beson se mund ta ndryshojë sistemin, ai nuk proteston më kundër tij, por largohet prej tij. Nga këndvështrimi i pushtetit, kjo mund të duket përkohësisht e leverdishme. Ikën i pakënaquri, pakësohet kundërshtimi dhe rritet pesha relative e votuesit të varur. Për më tepër, emigranti vazhdon të sjellë remitanca, të financojë konsumin, ndërsa shteti nuk ka më detyrimin t’i sigurojë atij drejtpërdrejt arsim, shëndetësi apo shërbime të tjera publike. Por ajo që mund të jetë e dobishme për mbijetesën e një qeverie sot është shkatërruese për mbijetesën afatgjatë të shtetit.
Klientelizmi i partisë shtet normalisht që ka nevojë për t'u financuar. Pagat shtetërore, kontratat publike, koncesionet, tenderët, subvencionet selektive, ndërmarrjet publike dhe favoret administrative nuk paguhen nga Partia Socialiste por nga qytetarët. Dhe sistemi fiskal shqiptar varet në mënyrë të theksuar nga konsumi
Në vitin 2025, të gjitha të ardhurat buxhetore të Shqipërisë ndaheshin në 30.1% nga TVSH-ja, 20.5% nga kontributet shoqërore, 10.9% nga tatimi mbi të ardhurat personale, 9.2% nga akcizat, 7.8% nga tatimi mbi fitimin, 6.5% nga taksat kombëtare dhe të tjera, 4.3% nga taksat dhe tarifat vendore, 3.1% nga kontributet shëndetësore, 2% nga institucionet buxhetore, 1.3% nga taksat doganore, 1.1% nga taksa mbi pasurinë, 1% nga grantet dhe ndihmat, 1.6% nga të ardhurat e tjera jotatimore, 0.5% nga tarifat e shërbimeve dhe rreth 0.1% nga kompensimi i pronarëve, dividentët dhe zërat e tjerë të vegjël. Pra, katër burimet më të mëdha (TVSH-ja, kontributet shoqërore, tatimi mbi të ardhurat personale dhe akcizat) sigurojnë rreth 70.8% të të gjitha të ardhurave të buxhetit. Të katërta varen fort nga numri i banorëve, punësimi, pagat dhe konsumi, prandaj preken drejtpërdrejt nga emigrimi dhe plakja e popullsisë. Megjithëse turizmi, remitancat dhe konsumi i të huajve mund ta kompensojnë përkohësisht një pjesë të humbjes, prapëseprapë gropa që lë pas një emigracion kaq masiv, është e parekuperueshme.
Ajo që duhet theksuar është se një ekonomi e mbështetur te taksimi i konsumit dhe kontributeve shoqërore, ka nevojë për konsumatorë dhe krahë pune. Çfarë ndodh kur konsumatori 28-vjeçar largohet në Gjermani? Shqipëria nuk humbet vetëm një emër nga regjistri i popullsisë, por humbet TVSH-në e produkteve që ai do të blinte, akcizën e karburantit që do të konsumonte, kontributet shoqërore, tatimin mbi pagën, shtëpinë që mund të ndërtonte, fëmijët që mund të rriste dhe biznesin që mund të hapte. Në vendin pritës, i njëjti person bëhet kontribuues i skemës së pensioneve, pagues taksash dhe konsumator. Shqipëria ka financuar një pjesë të kostos së lindjes, rritjes dhe arsimimit të tij; Gjermania, Italia apo një vend tjetër merr vitet më produktive të jetës së tij.
Aktualisht, ne eksportojmë kapital njerëzor dhe importojmë remitanca, morëpo këto të fundit nuk mund ta zëvendësojnë popullsinë Për një periudhë, paratë e emigrantëve e zbusin goditjen. Familjet që mbeten në Shqipëri vazhdojnë të konsumojnë, bizneset realizojnë xhiro dhe shteti mbledh TVSH. Edhe turizmi dhe shpenzimet e të huajve krijojnë një burim të rëndësishëm konsumi. Emigranti i brezit të parë dërgon para për prindërit, ndërton një shtëpi dhe ruan lidhje të forta me vendlindjen. Fëmija i tij, i lindur dhe arsimuar në Itali, Greqi apo Gjermani, nuk ka domosdoshmërisht të njëjtën lidhje ekonomike me Shqipërinë. Me kalimin e brezave, remitancat priren të dobësohen.
Edhe turisti është konsumator i përkohshëm. Ai fle disa net, ha disa vakte dhe largohet. Qytetari konsumon, punon, investon, krijon familje dhe paguan kontribute gjatë gjithë vitit. Një vend nuk mund të mbajë pensionet, shëndetësinë, arsimin, administratën dhe borxhin publik vetëm me turistë sezonalë, ndërtime apartamentesh dhe para të dërguara nga fëmijët që ka humbur. Turizmi mund të plotësojë disi një ekonomi por kurrsesi nuk mund ta zëvendësojë një shoqëri.
Largimi i të rinjve e godet veccanërisht sistemin e pensioneve në mënyrë të dyfishtë. Nga njëra anë zvogëlon numrin e kontribuuesve ndërsa nga ana tjetër përshpejton plakjen relative të popullsisë së mbetur ( e cila në vitin e kaluar e kishte moshën mesatare 44.3). Pra, kemi gjithnjë e më pak njerëz që paguajnë kontribute dhe gjithnjë e më shumë njerëz që presin pensione, kujdes shëndetësor dhe mbështetje sociale. Edhe sot skema e pensioneve nuk mbahet vetëm nga kontributet, por subvencionohet nga buxheti. Nëse baza e kontribuuesve vazhdon të tkurret, shteti do të përballet me disa alternativa të pakëndshme ose do të rrisë kontributet dhe taksat, të marrë më shumë borxh, të kufizojë përfitimet, të shtyjë moshën e pensionit ose të importojë fuqi punëtore.
Në fakt, Shqipëria ka filluar tashmë të importojë punëtorë të huaj ndërkohë që eksporton të rinjtë e saj. Në fund të vitit 2025, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri arriti mbi 32 mijë, por që është larg kompensimit të atyre që kanë ikur. Nuk ka asgjë të gabuar në vetëvete me ardhjen e të huajve se fundja edhe ne populli mërgimtarësh jemi. Problemi është kur kjo nuk ndodh për shkak të zgjerimit të një ekonomie moderne dhe dinamike, por për të zëvendësuar shqiptarët që nuk pranojnë më pagat e ulëta, kushtet e këqija dhe mungesën e perspektivës.
Po largojmë të rinj të arsimuar drejt ekonomive me produktivitet të lartë dhe po sjellim krah pune për sektorët tanë me produktivitet dhe paga të ulëta. Ky nuk faktikisht nuk është zhvillim por thjesht administrim i përkohshëm i rënies. herët a vonë do të godasim në murin e kufirit të këtij modeli. Modeli aktual ekonomik mbështetet kryesisht mbi konsumin, remitancat, turizmin, ndërtimin dhe shpenzimin publik. Ai mund të prodhojë rritje të PBB-së ende për disa vite, sepse mund të prodhojë akoma pallate, hotele, rrugë, aeroporte, të ardhura nga TVSH-ja dhe paga më të larta nominale në administratë. Por nuk mund ta zgjidhë kurrsesi kontradiktën themelore ku nga njëra anë kemi ekonominë dhe buxhetin që kërkojnë gjithnjë e më shumë para, ndërsa nga ana tjetër shoqëria që duhet t’i prodhojë dhe paguajë ato bëhet gjithnjë e më e vogël dhe më e moshuar.
Nuk mund të kesh pafundësisht më shumë administratë me më pak qytetarë; më shumë pensionistë me më pak kontribuues; më shumë kontrata publike me më pak tatimpagues; më shumë konsum me më pak familje; dhe më shumë pushtet politik të mbështetur mbi një ekonomi që humbet kapitalin e vet njerëzor. Prandaj shifrat e sapodala nga EUROSTAT-i duhet të shërbejnë si këmbanë alarmi sepse jemi duke folur që brenda vitit 2025 ka ikur pothuajse popullsia e një qytet si Berati e Korcca. Ose mund të themi që popullsia e qarkut Kukës ose Gjirokastër brenda një viti e zhvendosi të ardhmen e vet drejt një vendi tjetër.
Qeveria mund të vazhdojë edhe më tutje t’i paraqesë kullat, aeroportet, hotelet dhe miliona hyrjet turistike si dëshmi të suksesit. Por testi përfundimtar i një modeli ekonomik nuk është sa të huaj vijnë për një javë por sa qytetarë të tij vendosin të qëndrojnë për një jetë. Sepse një shtet mund ta shtyjë përkohësisht krizën; mund të mbledhë më shumë taksa nga konsumi, të marrë borxh, të japë koncesione e kontrata publike, të zgjerojë administratën dhe ta ushqejë politikisht atë me paratë e buxhetit. Turizmi, remitancat dhe konsumi i të huajve mund ta zbusin për disa vite goditjen. Por asnjëra prej tyre nuk mund të zëvendësojë pafundësisht qytetarët që largohen; sidomos të rinjtë që duhet të punonin, të krijonin familje, të hapnin biznese, të konsumonin dhe të paguanin taksa e kontribute.
Emigracioni nuk i heq Shqipërisë vetëm banorë; i ngushton tregun, i pakëson fuqinë punëtore, i dobëson skemat e pensioneve dhe i rrënon gradualisht bazën fiskale mbi të cilën mbahet vetë shteti edhe pushteti. Nuk mund të frysh pafund administratën kur zvogëlohet numri i atyre që e financojnë; nuk mund të shpërndash pafund kontrata kur pakësohen tatimpaguesit; dhe nuk mund të mbash një sistem politik të ngritur mbi punësimin publik dhe favoret buxhetore, ndërkohë që po zbrazet ekonomia reale. Prandaj pyetja nuk është më vetëm se sa shqiptarë po ikin, por sa gjatë mund të mbahet në këmbë një pushtet klientelist që shumëfishon klientët besnik, ndërsa dëbon tatimpaguesit që paguajnë faturën?