Pse duhet te zhbëhet Gjykata Speciale e Hagës - NACIONALE

Pse duhet te zhbëhet Gjykata Speciale e Hagës

4 orë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Agim Sopi

Një platformë kriminale që ishte provuar në Serbi kundër shqiptareve – ‘Trafikimi i organeve’ te shqiptarëve të zënë rob nga ushtria dhe policia serbe, për të cilët dyshohet se u kishin marr organet, i kishin vrarë dhe pastaj trupat e tyre ishin djegur në shkritoren e Feronikelit në Drenas (për çfarë ka ende dëshmitar të gjallë), në mënyrë inverse përmes një komploti të paramenduar të çarqeve të caktuara ndërkombëtare, iu atribuon shqiptarëve të Kosovës. Fatkeqësisht, këtë platformë kriminale, në mënyrë inverse kundër shqiptarëve, e përdori Këshilli i Evropës, si slogan politik për një ‘Ndërmarrje humane kundër krimeve të luftës’, ndërmarrje e cila në realitet, rezultoi si Ndërmarrje e paragjykuar politike.

Pasi Këshilli i Evropës krijoj një ‘Task Force’ të udhëhequr nga prokurori amerikan Clint Williamson dhe pas gjashtë muajsh hetimesh për të gjetur dëshmi faktike lidhur me ‘Trafikimin e organeve njerëzore’, rezultojë se nuk gjeti as edhe një gjurmë që dëshmon për një krim të tillë monstruoz. Këshilli i Evropës, mbështetur në ‘Raportin e sajuar’ nga prokuroria dhe shërbimet sekrete serbe në emër te Dick Martit (për çfarë dëshmon vet ambasadori serb ne Zvicër), PACE krijoj një Gjykate Speciale, e cila do të ndjek dhe gjykoj udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ‘Trafikim të organeve njerëzore’ dhe ‘krime kundër njerëzimit’,. Në realitet, synimet kryesor politike të Këshillit të Evropës, nuk ishin katër krerët e UÇK-se, por Lufta Çlirimtare e Kosovës dhe Pavarësia e Kosovës. Meqenëse ky pretendim rezultojë nga hetimet e vet Këshillit të Evropës si një gënjeshtër ordinere që s’mund të justifikohet as argumentohet me asnjë gjurmë reale, konsideroj se ‘Shoqëria Civile e Kosovës’, është dashur qysh para pesë viteve ta propozoj këtë fluskulë ezopiane për Librin Guinness si: Gënjeshtra më monstruoze e shekullit XXI - ‘Trafikimi i organeve njerëzore ’. Ndoshta me këtë rast, do te duhej te propozohej për Librin Guinness edhe ‘Sarajevo Safari’ për aristokratet evropian te cilët u bene ‘kampion botëror’ ne vrasjen me snajper të fëmijëve boshnjak nga llogoret e ushtrisë kriminale serbe. Dhe së fundmi, rekordi i tretë: Asistimi i paqeruajtësve holandez ne pushkatimin e 8.000 boshnjakeve në Masakrën e Srebrenicës. Dorën ne zemër, për tre mije vjet ekzistencë, nuk ka ekzistuar asnjë faqe dhe asnjë germë e historisë që dëshmon se shqiptarët kanë shpikur gënjeshtra të tilla monstruoze në kurriz të popujve tjerë. Nuk ekziston asnjë germë që dëshmon se shqiptarët kanë vrarë fëmijë dhe nuk ekziston asnjë fakt se shqiptarët me gjakftohtësi kanë asistuar në ndonjë masakër të luftërave sllave. Por, megjithatë vlen të rikujtohet se sipas burimeve zyrtare perëndimore, ekzistojnë dëshmi të gjalla, me emra e mbiemra, se në luftën e Kosovës gjatë periudhës së vitit 1997 -1999, janë vrarë 12, 452 civil shqiptar dhe 2,197 serb (kryesisht polic, paramilitar dhe ushtar). Janë vrarë 1,133 fëmijë shqiptar nga të cilët 239 fëmijë deri në moshën pesë vjeçare, janë përdhunuar rreth 20 mijë gra shqiptare dhe janë dëbuar me dhunë nga Kosova mbi një milion shqiptar.

Por Rezoluta numër 1782 e Këshillit te Evropës, miratuar me date 07.01.2011, e cila mbështet pretendimet monstruoze te Dick Marty-t për ‘trafikimin e organeve njerëzore’ mbi te cilat pretendime është krijuar Gjykata Speciale e Hagës, sipas Odes se Avokateve Britanik, është ‘zhvendosje e thellë’ duke shkelur me katër këmbët Kushtetutën e Republikës se Kosovës, sipas së cilës është krijuar kjo Gjykatë Politike.

Por si filloj gjithë kjo marri politike?

Gjykata Speciale, apo Dhomat e Specializuara të Kosovës, u krijuan si një presion i sinkronizuar i Bashkësisë Ndërkombëtare, pasi që misioni i Rusisë detyroi Evropën që të barazoj xhelatin me viktimën në rastin e agresionit të Serbisë mbi Kosovën. Ky lloj favori duhej ti bëhej Rusisë dhe Serbisë mbështetur në ‘Marrëveshjen bërthamore për Iranin’ të arritur mes ish-presidentit amerikan Barak Obama dhe autokratit rus Vladimir Putin. Pra, vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale te Hagës, erdhi nga imponimi i Rusisë dhe Serbisë, duke u paketuar si një lloj aneksi kolateral në një marrëveshje të dëmshme për SHBA-ne. ‘Marrëveshja për Iranin’, u anulua nga Presidenti Tramp. Si pasojë e kësaj ‘Marrëveshje’ erdhi lufta mes SHBA-ve dhe Iranit, luftë e cila nuk dihet se kur do te përfundoj. Meqenëse ‘Marrëveshja për Iranin’ u anulua nga shteti me i fuqishëm i botes, atëherë në mënyrë automatike duhet të anulohej edhe aneksi ‘kolateral’. Fatkeqësisht, kundër të gjithë rregullave dhe normave juridike, duke shtyrë përpara inatet e evropianëve me presidentin Tramp, vendet inferiore të Këshillit të Evropës, vendosen të çojnë përpara këtë ‘Marrëveshje Fantome’ duke e arsyetuar me një gënjeshtër monstruoze për ‘Trafikim të organeve njerëzore’, marrëveshje e cila u paketua nga strukturat e shërbimit sekret të Serbisë. Ish diplomati holandez Robert Bosch, një burrë me zemër të madhe, me kurajë intelektuale dhe me mendje të hapur, lidhur me Gjykatën Speciale, thotë: ‘Gjykata Speciale është një institucion i padrejtë dhe mizor. Atje u gjykuan viktimat dhe u shpërblye agresori dhe ata gjykatës e prokuror që u udhëhoqën nga urdhra politike dhe jo nga drejtësia, u paguan dhe paguhen me miliarda euro te tatimpaguesve evropian!... Kur isha ambasador, duhej ta mbështesja Gjykatën Speciale sepse ashtu më urdhëronte qeveria ime, por personalisht nuk e mbështesja sepse ishte e bazuar te raporti i Dick Marty-t, që ishte me mbështetjen e shërbimeve sekrete serbe, dhe Marty vendosi ta vinte në përdorim dosjen (të hartuar nga Serbia). I gjithë procesi ishte i bazuar në akuza për trafikim organesh në të ashtuquajturën shtëpi e verdhë në veri të Shqipërisë, gjë që rezultoi si e pavërtetë. Asokohe, unë i thash Thaqit:

Me presionin e padurueshëm të ndërkombëtarëve, ne po ju detyrojmë që t’ia vini vetes lakun në fyt. Me fal, se edhe unë isha njëri prej tyre’, përfundon i dëshpëruar z. Robert Bosch.

Kurse ish ministri i punëve të jashtme të Kosovës, diplomati i njohur Enver Hoxhaj, kishte deklaruar se ‘Klasa politike bëri ‘gabim fatal’ duke iu nënshtruar pazarxhinjëve perëndimor për te krijuar një gjykatë raciste politike.’

Duke ndjekur aktvendimin e Gjykatës Speciale, duke ndjekur gjithnjë fluskulën politike për ‘Ndërmarrje të përbashkët Kriminale’, Këshilli i Evropës dhe Gjykata Speciale e Hagës, nuk arritën të gjejnë asnjë dëshmi të qëndrueshme juridike. Pra kjo Gjykatë e instrumentalizuar politike ka marr vendim me paramendim se lufta e UÇK-se për liri dhe pavarësi kundër agresorit serb, ‘ka përdorur mjete kriminale’.

Kjo do të thotë se lufta e UÇK-se dhe popullit shqiptar bashkë me forcat e NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja, ka qenë një ‘Ndërmarrje e përbashkët kriminale!’ Derisa NATO ende nuk ka reaguar lidhur me këto insinuata monstruoze që i mvishen nga Gjykata Speciale e Hagës, diplomati Robert Bosch e ka cilësuar shqetësues faktin që dëshmitë e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë, janë anashkaluar. ‘Fjala është për figura të larta si Wesley Clarke, James Rubin e Christopher Hill, si dhe dokumente të CIA-s të kohës që konstatonin se s’ka strukturë të qendërzuar komande të UÇK-së. “Po flasim për njerëz të niveleve të larta, dhe nëse i injoroni ata, ju de facto po u thoni atyre gënjeshtarë”. Shtrohet pyetja se kush është ajo strukturë kaq autoriteteve e cila ka kredi, dije e dinjitet t’i thotë SHBA-se dhe strukturave të saj supreme se ‘jeni gënjeshtar’ që keni ndalur ‘heroizmin serb’ për të ripërsëritur edhe një herë në kohën tonë platformën e Hitlerit ‘Final Solution!’. Vërtet është kurajë që kapërcen çdo arsye të shëndosh. Në realitet, nuk kemi të bëjmë as me njerëz të dijshëm, as të guximshëm e as me dinjitet. Por, kemi të bëjmë me një grup të shallabajzerve ndërkombëtar, njerëzve të instrumentalizuar e ksenofob, të cilët dërgohen nëpër vende të krizave për ta ‘zbuluar ujin e ngrohtë’ prej nga kthehen me thasë përplot para. Ky grup, u transferua nga EULEX-i (një organizate e korruptuar dhe e komprometuar me afera financiare e seksuale), për të cilët ka pasur edhe dëshmi për veprimtari te papranueshme, dëshmi të bëra nga zyrtarët e saj të lartë para Kuvendit të Kosovës. Në këtë shkrim nuk do të ndalemi te të gjithë personeli, por do të evidentojmë vetëm shkeljet ligjore të prokurorit Charles Smith dhe te kryetares së Gjykatës Speciale, zonjës Ekaterina Trendafilova.

Charles Smith, shtetas i Amerikës, është emëruar gjyqtar në Dhomat e Specializuara më 7 shkurt 2017. Përveç drejtimit të panelit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ai është edhe nënkryetar i kësaj gjykate që nga 29 prilli 2020. Ai, ushtron edhe detyrën e gjyqtarit të lartë për ankesat e personelit. Zoti Smith, po ashtu është hartues i Ligjit për dhomat e specializuara. (Pra, vet bënë Ligjin dhe vet gjykon sipas këtij ligji.) Vërtet jam shumë kureshtar të di se në cilin shtet totalitar të botës, nis nga mesjeta e deri më sot, ekziston një praktikë e tillë?! Sipas Ligjit Nr. 06/L-011 për parandalimin e konfliktit të interesit, pika 2, thuhet: ‘Zyrtari i lartë nuk mund të jetë anëtar i më shumë se një organi drejtues të ndërmarrjes në pronësi publike, shoqërisë aksionare me pronë publike si dhe organeve të institucioneve të tjera publike, përveç nëse parashihet ndryshe shprehimisht me ligj.’ Askund në rrjetin e Internetit nuk mund te gjendet datëlindja e z. Smith.

Por sipas faqes zyrtare te Gjykatës Speciale, z.Smith kishte përfunduar studimet në vitin 1970. Nëse z. Smith ka pasur veç 15 vjet në kohen kur ka filluar studimet dhe veç 20 vjet në kohën kur është diplomuar (1970), atëherë i bie se zoti Smith, sot duhet ti ketë 76 vjet. Me ligjet e Kosovës zyrtaret e emëruar shkojnë ne pension ne moshën 65 vjeçare dhe pas kësaj moshe nuk kanë të drejtë të ushtrojnë në mënyrë të rregullt profesionin e vet dhe as të punësohen në institucionet publike. Gjyqtari amerikan Charles Smith III, sa ishte pjesë e EULEX-it, ishte dëshmuar edhe si një racistë dhe ksenofob i kalibrit të lartë. Maria Bamieh, zyrtare e EULEX-it, asokohe kishte deklaruar publikisht se gjyqtari Charles Smith i kishte thënë asaj në vitin 2014: "Shqiptarët janë kafshë që duhen zbutur".

Në vitin 1944, krimineli i përmasave botërore Adolf Hitler, kishte deklaruar se ‘Hebrenjtë janë qenë te zgjebosur të cilët duhet të zhduken’. Çuditërisht këto deklarata te ngjashme fashiste ishin thënë me një distancë kohore prej 70 viteve. Perandori Marcus Aurelius, kishte deklaruar: ‘Kush e ka parë të sotmen, i ka parë të gjitha, atë që ka ndodhur në të kaluarën dhe atë që do të ndodhë në të ardhmen.’ Athua historia po përsëritet në kontinentin e vjetër?! Në Gjermani, forcat neo-fashiste po rriten. Në France, po ashtu! Zot, ruaje Evropën nga vetvetja!


Dr. Ekaterina Trendafilova (1953), juriste, akademike dhe gjykatëse e shquar nga Bullgaria, u emërua Kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës në dhjetor 2016, Në këtë institucion të Kosovës (të formuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës), ajo mban 4 – 5 pozita të larta zyrtare që bien ndesh me Ligjin Nr. 06/L - 011 për parandalimin e konfliktit të interesit. Përpara se të shërbente si gjykatëse në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, zonja Trendafilova ishte këshilltare e Ministrisë së Drejtësisë për çështjen e themelimit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe shërbeu si eksperte në Ministrinë e Drejtësisë, e poashtu edhe në Kuvendin e Bullgarisë, ku kryesoi seksionin penal të Këshillit Konsultativ Legjislativ. Ajo gjithashtu kryesoi grupin e punës për reformën e Kodit të Procedurës Penale të Bullgarisë dhe harmonizimin e tij me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, për administrim efikas të drejtësisë dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut (1998-1999). Dr. Trendafilova përfaqësoi Bullgarinë në Komisionin e OKB-së për Parandalim Krimesh dhe Drejtësi Penale (1992-1994). Ajo gjithashtu shërbeu si zëvendësprokurore e qarkut në Gjykatën e Qarkut në Sofje (1985-1989) . Pra, duke ushtruar ‘administrim efikas të drejtësisë dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut’ Dr. Trendafilova, ishte aktere e rëndësishme e ‘drejtësisë’ në realizimin e të ashtuquajturit ‘Ekskursioni i Madh’ (The Big Excursion) gjatë verës së vitit 1989, kur kishte ndodhur spastrimi më i madh etnik i pakicës truke të cilin ndërmori ‘Bullgari Socialiste’ në përndjekjet mizore te 360.000 turqve etnik. (Autori i këtij shkrimi ishte dëshmitar i kësaj ngjarje tragjike duke ngelu në mesin e kolonës trishtuese për 24 orë derisa po udhëtoja për Turqi). Sipas mediave turke të kohës, Dr. Trendafilova, kishte qenë një ndër personazhet e rëndësishme në organizimin e këtij ‘Ekskursioni’. Spastrimi etnik, është vepër e rëndë penale sipas të gjitha ligjeve të botës!

Po ashtu, Konflikti i interesit, sipas Kodit Penal të Kosovë, është vepër penale dhe dënohet me 2 deri në 5 vjet burgim efektiv. Po ashtu, vlen të ritheksohet se Dr. Trendafilova, ka lindur në vitin 1953 që i bie ti ketë 73 vjet, pra person që me ligjet e Kosovës nuk mund te ushtroj punë të rregullt publike.

Tani kur ‘Gjykimi kolektiv’ i luftës për liri dhe pavarësi të popullit kosovar po bëhet nën fluskulën juridike si ‘Ndërmarrje e përbashkët Kriminale’ dhe me pretendimin se: “Një pjesë e qëllimit kriminal të anëtarëve të “Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK)” dhe të tjerëve në udhëheqjen e UÇK-së ishte arritja e pavarësisë së Kosovës përmes krimeve të luftës”, Verdikti i Gjykatës Speciale dhe Rezoluta e Këshillit të Evropës, rezulton se janë akte të paramenduara kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Për këtë konstatim, dëshmon edhe Mbledhja e 7 e 8 dhjetorit 2020, kur veç një muaj pas arrestimit të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u mbajt një seancë sekrete larg syve të publikut nga e cila nuk u lëshua asnjë komunikatë zyrtare. ‘Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, bashkë me ish-Kryeprokurorin e Specializuar Jack Smith dhe Regjistruesen Fidelma Donlon, u takuan me ambasadorë e diplomatë të akredituar në Kosovë, ndërsa takime të ngjashme u zhvilluan edhe në Hagë e Beograd. ‘Gjatë këtij takimi ‘sekret’, ish-Kryeprokurori Jack Smith u shpreh me një gjuhë të ashpër dhe të prerë, duke deklaruar ‘me bindje të plotë se të akuzuarit do të dënohen me burgim të përjetshëm.’ Pra, Gjykata Speciale dhe Këshilli i Evropës, paraprakisht kanë gjykuar dhe kanë ‘asgjësuar’ te arrestuarit duke paragjykuar lirinë e pavarësinë e Kosovës. Një paragjykim i tille racistë, për shtetet me demokraci liberale, padyshim se është vepër e papranueshme kriminale. Ish prokurori Jack Smith, tani është i ndjekur penalisht nga drejtësia amerikane për sekserizem te dëshmitarëve dhe për përgjim të telefonave të senatorëve dhe kongresmenëve amerikan (me siguri jo për interesa të Kosovës!) Në një interviste për ‘Albanian Post’ te vitit 2022, ne pyetjen se vetë Prokurori Special, Jack Smith, në një nga seancat kishte folur për “krimet e UÇK-së” dhe jo për krime të individëve, Ekaterina Trendafilova, ishte përgjigjur: ‘Dua të jem e qartë se nga Dhomat e Specializuara të Kosovës do të mbajnë përgjegjësi vetëm individët për krimet që pretendohet se kanë kryer dhe nuk do të mbajnë përgjegjësi asnjë grup etnik, organizatë apo komunitet. Kjo pasqyrohet edhe në nenin 16 të ligjit, i cili trajton ‘përgjegjësinë penale individuale’ Avokati i famshëm Luka Misetic, ka ngritur “alarmin” se trupi gjykues, me verdiktin e tij, ka ardhur në përfundime “të rrezikshme”, duke konstatuar, se për të arritur pavarësinë e Kosovës (sipas Gjykatës Speciale), ‘UÇK-ja ka përdorur mjete kriminale.’ Pra, ne këto konstelacione dikush po rren. Luka Misetic me siguri, jo. Sepse ai i referohet verdiktit të Gjykatës Speciale se ‘UÇK-ja ka përdorur mjete kriminale për ta arritur pavarësinë’. Këtë fluskulë politike e ka shqiptuar në transmetim të drejtpërdrejt Prokurori Charles Smith. “Trupi gjykues ka vendosur se një pjesë e qëllimit kriminal të anëtarëve të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK) dhe "të tjerëve në udhëheqjen e UÇK-së" ishte arritja e pavarësisë së Kosovës përmes krimeve të luftës.’

Kjo deklaratë e pabazuar ne asnjë dëshmi e fakt te vetëm, në realitet akuzon NATO-n dhe bashkësinë ndërkombëtare (para se gjithash vendet e Quintit) se kishin intervenuar për ti dhënë fund politikes fashiste te asgjësimit dhe ‘tokës se djegur’ përmes agresionit të Serbisë. Vet Gjenerali Wesley Clark, kishte dëshmuar se, ne pyetjen drejtuar vozhdit te Serbisë, S. Milosevic se si mendonte ai t’i jap fund luftës, Milosevic ishte përgjigjur: ‘Unë e kam planin ‘Final solution’ (Platforma fashiste për asgjësimin e plote të popullit hebre). ‘Me jepni një javë afat dhe unë do ti vras te gjithë shqiptaret!’. Kështu kishte deklaruar ‘qëllimin përfundimtar’ Kasapi i Ballkanit në atë kohe. Dhe duke akuzuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për ‘Ndërmarrje te përbashkët kriminale’ për shkak të kundërvënies së një ushtrie dhe policie fashiste, Gjykata Speciale, tridhjetë vjet më vonë, merr anën e avokatit të djallit! Dikujt mund ti tingëllojë vrazhde emërtimi ‘Platformë fashiste’, por një shtet që ka parim primar platformën e Hitlerit ‘Final solution” dhe e zbaton atë me përpikëri në tri luftëra te ish-Jugosllavisë duke vrarë mbi 150.000 njerëz, s’ka se si emërtohet me akronim tjetër.

Analisti për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, Marko Prelec, duke i reaguar avokatit te njohur Luka Misetic, ka konstatuar se: ‘ E drejta e Kosovës për pavarësi kurrë nuk mund dhe nuk duhet të vihet në bankën e të akuzuarve, pasi, nëse sillemi kështu, do të na bënte që të dukemi keq (e gjithë Evropa)’. E drejta e pakontestueshme e Kosovës për pavarësi, është mbështetur plotësisht edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Krahas këtij organi superior ndërkombëtar Gjykata Speciale e Hagës duket sikur një buburrec që këshillon elefantin se duhet te ecën nëpër ferra për te mos e dëmtuar rrugën!

Pas verdiktit të paramenduar të Dhomave të Specializuara ‘me bindje të plotë se të akuzuarit do të dënohen me burgim të përjetshëm.’ (me datë 16 shtator 2026, Gjykata Speciale dënoi prijësit e e UÇk-se me nga 23-25 vjet burgim, dënim i cili rezulton të jetë ‘burgim i përjetshëm’ kur kemi parasysh moshën e te dënuarve.

Në Kosovë, u fol e u përfol shumë ky vendim i cili po ashtu me paramendim filloj të rrënoj shtetin e Kosovës, ekspert e interprtues të ndryshëm, politikan, analist të ditur e sharlatan gjithfarësh, të majtët ‘serbofil’ e të djathtit ‘evropian’, ‘dallkaukët, kopukët dhe turmat pa tru’ folën e përfolën për hapat e mëtejme të Shtetit të Kosovës. U fol për shume propozime shterpe, propozime idealiste, humaniste, oportuniste, me gjithë zërin, apo me pëshpëritje, pothuajse pa u dëgjuar fare, por nuk u fol me zërin e së vërtetës, ashtu siç folën juristët e profesorët e universiteteve të njohura të botës, miqtë e Kosovës, Paul Williams, Richard Prosper, Luka Misetic, Ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit Donalt Trump, John Bolton dhe shumë të tjerë: Gjykata Speciale e Hagës, duhet të zhbëhet! Te gjitha alternativat tjera, janë mashtruese. ‘Gjykata e Apelit, Gjykata e dylberit, Gjykata e Hajdar Dushit apo Gjykata e verës dhe rrushit’! Të gjitha këto janë alternativa shterpe.

Gjykata Speciale e Hagës, apo ‘Dhomat e Specializuara të Kosovës’ të cilat tashme kanë shkelur të gjitha ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, duke krijuar një lloj pavarësie të Frankeshtajnit që del jashtë kontrollit të të gjitha ligjeve dhe normave ndërkombëtare të krijuara që nga koha e Kodit të Hamurabit, fatkeqësisht është krijuar me amendamentin e Kushtetutës së Kosovës. Amendamenti nr.24, sipas te cilit Kushtetutës së Kosovës i është shtuar Neni 162, për themelimin e ‘Dhomave të Specializuara’ duke pasur për bazë Raportin e Dick Marty-t dhe Rezolutën nr. 1782 të PACE-s. Thënë drejt, pretendimet e deputetit rus Konstatin Kosachev dhe mikes së tij Carla Del Ponte.

Pas një hetimi gjashtë mujor të ekipit që udhëhiqej nga prokurori Clint Williamson, pretendimi ruso-serb i kanalizuar përmes PACE për veprimtarinë monstruoze ‘trafikim i organeve njerëzore’ rezulton si tërësisht i rremë. Pas këtij konstatimi, mbështetur ne Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Nenin162, u hartua edhe njëfarë ligji totalitar i cili një gjykatë të instrumentalizuar e ngre mbi Kushtetutën dhe mbi shtetin e Kosovës. Së këndejmi, Këshilli i Evropës, mbështetur edhe në ‘Konventën e Gjenevës për Marrëdhëniet Ndërkombëtare’, është dashur ta ndërpres ‘Marrëveshjen me Kosovën’ për krijimin e Gjykatës Speciale e cila do të hetonte pretendimet e rreme mbi ‘Trafikimin e Organeve Njerëzore’. Meqenëse Këshilli i Evropës nuk e bëri një gjë të tille, por e refuzoj Republikën e Kosovës që të anëtarësohet në këtë organizatë duke e kushtëzuar me lëshime e nënshtrime të reja, duke ngritur Gjykatën Speciale si një monstër jashtë kontrollit te ligjeve dhe Kushtetutës se Republikës se Kosovës, në këtë rast, deputetët e Parlamentit të Kosovës (pa asnjë dallim politik) duhet te mblidhen urgjentisht dhe në bazë të disa ligjeve të shkelura dhe në bazë të tetë (8) neneve të shkelura të Kushtetutës së Republikës, Parlamenti i Kosovës, me dy të tretat e votave, duhet të anuloj Amendamentin 24 dhe Nenin 162 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës. Po ashtu si pasojë e këtij veprimi duhet të anulohet edhe Ligji për Dhomat e Specializuara si dhe Marrëveshja me Këshillin e Evropës, krejt për shkak te SUBJEKTIT TE RREME mbi të cilin janë krijuar Dhomat e Specializuara. Këshillit të Evropës dhe Bashkësisë Ndërkombëtare, përfundimisht duhet bërë me dije se PAVARESIA DHE LIRIA E KOSOVES ESHTE E PANEGOCUESHME dhe ketë kauzë, shqiptarët do ta mbrojnë me të gjithë mjetet (edhe me jetët e tyre).

Shkeljet kushtetuese të Gjykatës Speciale të Hagës

Duke sjellë në mënyrë kronologjike qëllimet politike të Këshillit të Evropës dhe ‘Gjykatës Speciale të Hagës’ vijmë në përfundim se qëllimi i ‘Gjykatës Speciale’, nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë drejtësia për viktimat e supozuara civile. Përkundrazi. Qëllimi i ‘Gjykatës Speciale’ është komplot i organizuar kundër lirisë dhe pavarësisë së shtetit të Kosovës. Thjesht, është një ‘Ndërmarrje e përbashkët kriminale kundër shtetit të Kosovës.’ Dhe kjo ‘ndërmarrje’ s’ka se si realizohet pa shkelur të drejtën ndërkombëtare, ligjet dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, e mbi të gjitha Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Më poshtë do të sjellim disa nga nenet e kapitujve kryesor të Kushtetutës së Kosovës të cilat janë shkelur katërçipërisht nga ‘ndërmarrja e përbashkët kriminale ndërkombëtare.’

Neni 162 i Kushtetutës përcakton ‘një periudhe pesë vjeçare të përfundimit te Gjykatës’ – nuk ka ndodhur. Po ashtu, ‘mbikëqyrja parlamentare me një komision profesionistësh ndërkombëtar’ nuk ka ndodhur.

Gjykata Speciale e Hagës apo Dhomat e Specializuara të Kosovës, kanë shkelur edhe nenet në vijim të Kushtetutës së Kosovës:

NENI 22 [ZBATIMI I DREJTPËRDREJTË I MARRËVESHJEVE DHE INSTRUMENTEVE NDËRKOMBËTARE]. NENI 23 [DINJITET I NJERIUT], NENI 24 [BARAZIA PARA LIGJIT], NENI 30 [TË DREJAT E TË AKUZUARIT], NENI 31 [E DREJTA PËR GJYKIM TË DREJTË DHE TË PAANSHËM] , NENI 32 [E DREJTA PËR MJETE JURIDIKE], NENI 33 [PARIMI I LEGALITETIT DHE PROPORCIONALITETIT NË RASTET PENALE], si dhe:

Neni 3 [Barazia para Ligjit]

1. Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet

tjera e cila qeveriset në mënyrë demokratike, me respektim të plotë të sundimit të ligjit,

përmes institucioneve të veta legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore.

2. Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para

ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të

njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

Pra, ‘Republika e Kosovës është shoqëri shumetnike, (2) me respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe në pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.’ ‘Gjykata Speciale’ ka shkelur te gjitha liritë themelore te njeriut dhe po ashtu, ka shkelur karakterin ‘multietnik’ të Republikës së Kosovës, duke qenë Gjykate që penalizon dhe dënon vetëm shqiptaret, pra vetëm një etni. Pra duke ndërruar karakterin multietnik të Kosoves dhe duke e shndërruar ate në shtet që ka Gjykatën Raciste të Hagës! Gjykatën qe dënon viktimën dhe mbron xhelatin!

Neni 16 [Epërsia e Kushtetutës]

1. Kushtetuta është akti më i lartë juridik i Republikës së Kosovës. Ligjet dhe aktet e tjera

juridike duhet të jenë në pajtim me këtë Kushtetutë.

Ligji për ‘Gjykatën Speciale’, është në shumë pika në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj, si i tillë duhet të anulohet.

Neni 18

4. Amendamentimi ose tërheqja nga marrëveshjet ndërkombëtare do të kenë të njëjtën

procedurë të vendim marrjes sikur ajo e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Marrëveshja e Kosovës me Këshillin e Evropës për themelimin e ‘Gjykatës Speciale të Hagës’ mbi një pretendim të rreme nga ana e Këshillit të Evropës, anulohet ‘me të njëjtën procedurë të vendim-marrjes sikur ajo e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare.’

Neni 24 [Barazia para Ligjit]

1. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë

ligjore, pa diskriminim.

2. Askush nuk mund të diskriminohet në bazë të racës, ngjyrës, gjinisë, gjuhës, fesë,

mendimeve politike ose të tjera, prejardhjes kombëtare a shoqërore, lidhjes me ndonjë

komunitet, pronës, gjendjes ekonomike, sociale, orientimit seksual, lindjes, aftësisë së

kufizuar ose ndonjë statusi tjetër personal.

‘Gjykata Speciale e Hages’, nuk ka marr parasysh asnjë dëshmi të mbrojtjes dhe në këtë mënyrë, ka shkelur obligimin kushtetues ‘Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim.’ Rasti më eklaktant është pëmendja e heroit Beadin Hallaqi, pa marrë parasysh dëshminë e gruas së tij nga viti 2000 si dhe të familjarëve e dëshmitarëve shfajësues. Gjykata Speciale e Hagës, është shfaqur para publikut si një trup i unisuar mes prokurorëve dhe gjykatësve. Madje, gjykatësit kane kapërcyer edhe ambiciet e prokuroreve për të mbajtur premtimin e dhënë paraprakisht para autoriteteve ndërkombëtare se: Do ti dënojmë prijësit e UÇK-së me burgim të përjetshëm!

Neni 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale]

2. Dënimi i shqiptuar për një vepër penale nuk mund të jetë më i ashpër sesa ka qenë i

përcaktuar me ligj në kohën e kryerjes së veprës.

4. Dënimet përcaktohen në bazë të ligjit që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës

penale, me përjashtim të veprave për të cilat ligji i mëvonshëm i aplikueshëm është më i

favorshëm për kryesin e veprës.

Ligji që ka qenë në fuqi në kohen e ndodhjes së pretenduar penale, në Kosovë ka qenë Kodi Penal i Jugosllavisë i cili parasheh ‘burgim maksimal prej 15 vitesh, ose burgim te përjetshëm’. Gjykata Speciale, sipas ‘Kodit Penal te ‘Hajdar Dushit’ apo Xhengiz Khan-it, i ka dënuar të akuzuarit me nga 25 vjet burgim, që do të thotë se ka shkelur Kushtetutën e Kosovës dhe ish- Kodin Penal te Jugosllavisë!

Neni 58 [Përgjegjësitë e Shtetit]

3. Republika e Kosovës do të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur personat të cilët mund t’u nënshtrohen kërcënimeve ose veprimeve diskriminuese, armiqësisë a dhunës, si rrjedhojë e identitetit të tyre kombëtar, etnik, kulturor, gjuhësor ose fetar.

Të akuzuarit e Gjykatës Speciale janë kërcënuar paraprakisht nga prokuroret dhe janë fyer me deklarata raciste si: "Shqiptarët janë kafshë që duhen zbutur", apo ‘me bindje të plotë, të akuzuarit do të dënohen me burgim të përjetshëm.’ Kush mund të shqiptoj fyerje më të rëndë raciste, apo kërcënim më të rëndë!!! Hajde le të del tash një gjykatës apo prokuror dhe le të thotë se këto fyerje e kërcënime nuk janë shkelje ligjore!

Neni 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor]

1. Pushteti gjyqësor në Republikën e Kosovë ushtrohet nga gjykatat.

2. Pushteti gjyqësor është unik, i pavarur, i drejtë, apolitik e i paanshëm dhe siguron qasje të

barabartë në gjykata.

3. Gjykatat gjykojnë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit.

4. Gjyqtarët gjatë ushtrimit të funksionit të tyre duhet të jenë të pavarur dhe të paanshëm.

Sipas Raportit të Odës së Avokatëve Britanik, të gjitha këto dispozita kushtetuese janë shkelur në mënyrë flagrante. Si mund të jetë i pa anshëm dhe i pavarur gjykatësi që paraprakisht deklaron se ‘shqiptarët janë kafshë që duhen zbutur’! Apo, lufta për të mbrojtur derën e shtëpisë, fëmijët që të janë pushkatuar para syve?! Unë, personalisht, në vjeshtën e vitit 1999, kam xhiruar një dokumentar me titull ‘Përtej Vdekjes’ për rastin e zonjës Shyhrete Berishës, së cilës kriminelët serb, me urdhrin e gjeneralit Pavkovic, ia kanë vrarë pesë fëmijë para syve (një nga një). Në kohën e xhirimit, në kafenenë ku janë ekzekutuar rreth 50 civil, në mesin e të cilëve edhe fëmijët e Shyhrete Berishës, gjaku i të cilëve ishte ende i freskët! Qe 27 vjet pas luftës, askush, asnjë prokuror, asnjë hetues dhe asnjë gjykatës ndërkombëtar nuk më ka thirrur për të dëshmuar me fotografi krimin monstruoz! E rëndësishme është se ‘Gjykata Speciale’, gjykon në mënyrë të njëanshme me dëshmitar hije të fabrikuara nga institucionet kriminale të Beogradit! Ju lumtë djelmosha e plakusha! Kështu bëhet drejtësia!!!

Lajme të ngjashme