Albinokraci: çfarë prodhimi vendor, çfarë bakrraçi!
Kur shteti nis e sillet xhandarçe me prodhuesit vendorë, ai po luan lojëra marrëzie që një ditë do t’i sjellin veçse trofe e çmime marrëzie. Ekonomia albinkurtiste funksionon me çykë zori kështu: shtresa shoqërore gjithnjë e më të varura nga sadaka që merret nga thesari publik e nga rëndimi i taksave. Por ky shfrytëzim vampirik i atij që punon e që paguan taksa herët a vonë do t’i shkatërrojë themelet ekonomike të vendit. Albini e mbajti besën vetëm për një gjë: e paramendoi Kosovën të varfër, e bëri Kosovën të varfër e për gjynah. Dikur imagjinata e tij, e shprehur në manifeste e traktate brenda partisë, shkonte deri atje sa kërkonte hapjen e kuzhinave popullore tek të cilat fshatarët do të sillnin me bidona qumësht të freskët. Kur të mbërrijmë në ato nivele mbijetese sa edhe ushqimi të duket si i racionuar, duhet t’ia kujtojmë vetes se u bëmë bashkëpunëtorë vullnetarë të ligësisë duke operuar me të njejtën logjikë si lleftistët. Shahet e urrehet i vyeri e ndërmarrësi, rëndohet samari i taksapaguesit, përfitojnë badihavxhinjtë.
Col Mehmeti
Ligjërisht shteti gjithmonë është në të drejten e vet supreme që të trokasë te dera me inspektorë.
Rrapëllima e këpucëve të inspektorëve kah ngjitën shkallëve vërtet është e pakëndshme përballë një rutine të qetë pune.
Dhe prapë shteti është i absolvuar nga çfarëdo faji përderisa hapëron me mandatin e tij.
Kështu shfaqet kudo polariteti mes shtetit inspektues që do të gjejë një tojë të palidhur, një shkarje çfaredo, dhe një kompanie që duhet të jetë ne terezi me dokumentacion.
Etikisht është tërbuese e revoltuese kur për pak momente inspektimit i luhen penjtë nga një vullnet destruktiv i partisë-shtet që luftën e madhe e ka me biznesin e shpirtin ndërmarrës.
Albinkurtistët e kanë shitur në shoqëri dhe shoqëria e ka shitur te albinkurtistët urrejtjen e egër kundrejt çdo modeli të suksesshëm në biznes e ndërmarrësi.
Kjo luftë ideologjike mban pankartën ‘Eat the rich’ dhe shkakton sa hap e mbyll sytë panik kolektiv kurdo që luan me fjalët ‘oligark’ e ‘oligarkë’.
Në vitin 2014, Albin Kurti e kapi për kapistre si mushkën partinë e tij dhe e detyroi të bëhej pjesë e një koalicioni siç mendohej asohere të besëlidhej me LDK-në, Aleancën e Nismën.
Kur Albinin e pyetën të tijët se cili ishte hajri i kësaj pune – pra të bëheshin aleatë me armiqtë e tyre – ai do t’iu përgjigjjej: “Neve nuk na duhen ministri e poste. Do të këmbëngulim vetëm për ATK-në se me të i shkatërrojmë bizneset e PDK-së”.
Pra, këtu është banaliteti i një filozofie që sot gjen zbatim me shtetin që është në dorën e atyre që nga 2014 deri më 2016 e bënë terrorizmin mjet legjitim të arritjes së qëllimeve politike.
Administrata tatimore kthehet në një levë ideologjike antikapitaliste me të cilën qërohen hesapet me këdo që ka një bazë të pavarur.
Cilido biznes shihet si “i PDK-së” dhe i “atyre”, ndonëse VV-në e sollën në pushtet jo pak edhe dhurimet e bëra nga po të njejtat biznese.
Imazhet më të gënjeshtërta janë zakonisht ato që qetësojnë një pjesë të madhe të hallkut.
Imazh i tillë është kur e përfytyrojmë ‘oligarkun’ që vetëm majmet në pasuri të pafundme.
Dhe përballë tij janë qindra, mijëra njerëz, mbase një shumicë, që janë në shpirt oligarkë e arrivista të gubtë, por thjesht janë zero me xhufkë kur vjen puna për guxim, kreativitet e risimtari.
Noli dikur e kishte kapur fare mirë këtë kur thoshte se këtupari “bujku është më bej se beu”.
Në një botë që shpërblen gjithmonë kreativitetin e guximin, një masë e madhe lakmitare që bëhet sikur nuk e do kamjen nuk i këmben rolet edhe sikur të sjellë në fuqi një regjim ‘ndëshkues’.
Në më të mirën e vet, një regjim si VV-ja ia del mbanë vetëm në shkatërrimin e atij pak bereqeti prodhimtar të vendit siç ka bërë me mbylljen e mijëra bizneseve të vogla dhe afiksimin e bizneseve të mëdha.
Megjithëse kjo marrëzi e përplasi vendin në krahët e importeve të frikshme, kurrë më shumë se sot nuk ka pasur të ‘kënaqur’.
Paraja publike harxhohet në një sistem mortifikues sadake.
Mirëmbahen kategori vampirike të atyre që nuk paguajnë nga xhepat e atyre që janë taksapagues.
Është gabim të thuhet se Kurti nuk e mbajti besën e dhënë për vizionin e tij ekonomik.
Paradoksalisht, ai është i pari që e sheh Kosovën ashtu siç e mendoi.
Në traktatin e tij të çmendurisë, të shkruar më 2016, vizioni partiak për ekonominë përmblidhej e bardha në të zezë kështu:
“Kuzhinat popullore për të varfërit (edhe duke grumbulluar ushqimin që hidhet nga restoranet) dhe biznesi i rrjetit të shpërndarjes për qumështin e freskët nga blegtorët e komunës (në bashkëpunim me Drejtorinë e Bujqësisë) janë të nevojshme.”
Këtu nuk shfaqej një ide shumëplanëshe që prodhuesit e qumështit të ndihmoheshin nëpërmjet politikave të duhura fiskale.
Mosdija ekonomike kompensohej me fantazinë e lirë ku mjafton të kesh një lopë cicëpjellore e një bidon e qumështin ta çosh hazër në pikat që bëjnë mbledhjen e tij.
Albin deshët, Albin morët!