Nga fjala te pushka: Fehmi dhe Xhevë Lladrovci në historinë e rezistencës shqiptare
Prof. Dr. Sylë UKSHINI
“Më e shtrenjtë është liria sesa jeta.”
— Fehmi Lladrovci, intervistë për BBC World,
Drenicë, maj 1998
Hyrje
Jeta dhe veprimtaria e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit përbëjnë një nyje të rëndësishme
për të kuptuar kalimin e lëvizjes kombëtare shqiptare në Kosovë nga organizimi ilegal dhe rezistenca politike drejt kryengritjes së armatosur të viteve 1997–1998. Rëndësia e tyre nuk buron vetëm nga rënia heroike e 22 shtatorit 1998, por nga vazhdimësia ndërmjet bindjes politike, përvojës së burgut,
veprimtarisë në mërgatë, përgatitjes ushtarake dhe pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në luftën e UÇK-së. Kjo vazhdimësi e shndërron biografinë e tyre në material për analizën e formimit të një etike të rezistencës, në të cilën fjala, organizimi dhe veprimi ushtarak trajtoheshin si pjesë të së njëjtës
përgjegjësi historike.
Punimi mbështetet në të dhënat biografike, kujtimet e autorit, dëshmitë e bashkëluftëtarëve, raportimet e shtypit dhe, në mënyrë të veçantë, në intervistën e Fehmi Lladrovcit dhënë një gazetari britanik dhe të transmetuar pjesërisht nga BBC World në maj 1998. Intervista trajtohet si burim parësor për vetëkuptimin politik të Lladrovcit, ndërsa fjala e Rexhep Qosjes, “Gjuha e Fehmi Lladrovcit ishte “betejë”, përdoret si kornizë interpretative për raportin ndërmjet parimit moral, ligjërimit politik dhe veprimit. Qëllimi nuk është idealizimi pa distancë kritike, por shpjegimi i mënyrës se si bindjet e tyre u formësuan nga rrethanat dhe u shndërruan në zgjedhje konkrete.
Formimi politik dhe përvoja me represinin
Fehmi Lladrovci lindi më 1956 në Shkabë të Drenasit dhe u formua në një mjedis ku
kujtesa e rezistencës kombëtare ndërthurej me përvojën e drejtpërdrejtë të pabarazisë politike. Pas shkollimit të mesëm teknik në Prishtinë, studioi makineri në Zagreb. Aktiviteti ilegal gjatë studimeve nuk ishte një episod anësor i jetës së tij, por shprehje e hershme e bindjes se pozita e Kosovës në
federatën jugosllave kërkonte ndryshim rrënjësor. Arrestimi më 1985 dhe dënimi me njëmbëdhjetë vjet burg në vitin 1986 tregojnë, përveçse ashpërsinë e sistemit, po ashtu dhe kundërshtimin politik shqiptar, por, edhe rolin e proceseve gjyqësore në kriminalizimin e kërkesës për Republikën e Kosovës.
Qëndrimi i Lladrovcit para gjykatës — se angazhimin politik do ta vazhdonte për aq kohë sa të ishte gjallë e vendos burgimin brenda një logjike më të gjerë: represioni nuk e ndërpreu identitetin politik, por e përforcoi atë. Transferimi në burgjet e Kroacisë, përfshirë Lepogllavën dhe Stara Gradishkën, krijoi një përvojë të gjatë disiplinimi fizik e psikologjik. Megjithatë, lidhjet me veprimtarët dhe organizatat jashtë burgut vazhduan. Në këtë kuptim, burgu ishte njëkohësisht instrument shtetëror i neutralizimit dhe hapësirë ku bindja në politikë fitoi trajtë më të prerë.
Xhevë Krasniqi-Lladrovci, e lindur më 1955 në Drenoc të Malishevës, u formua në fushën e gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe ishte absolvente e juridikut. Përjashtimi i saj nga puna si mësimdhënëse për shkak të aktivitetit politik dëshmon se represioni shtrihej përtej burgimit: ai vepronte edhe përmes largimit nga institucionet, kufizimit profesional dhe mbikëqyrjes. Bashkimi i saj me Fehmiun nuk ishte vetëm bashkëshortor. Ishte një partneritet politik dhe moral, i cili më vonë do të merrte edhe dimension ushtarak.
Nga kërkesa për republikë te kriza e strategjisë paqësore
Demonstratat e vitit 1981 dhe kërkesa për Kosovën Republikë shënuan pikën e nisjes së një cikli të ri politik. Pas shfuqizimit të autonomisë në fund të viteve 1980, represioni institucional serb dhe përjashtimi i shqiptarëve nga administrata, arsimi dhe ekonomia e bënë konfliktin gjithnjë e më pak të menaxhueshëm brenda sistemit ekzistues. Deklarata e 2 korrikut 1990 dhe aktet pasuese të shtetformimit paralel artikuluan vullnetin politik, por nuk ndryshuan raportin real të forcave.
Lladrovci e vlerësonte rezistencën paqësore nga këndvështrimi i efektivitetit të saj historik. Kritika e tij ndaj udhëheqjes së atëhershme nuk duhet reduktuar në rivalitet partiak. Ajo buronte nga bindja se ndërkombëtarizimi diplomatik, pa një mjet të brendshëm presioni, nuk do ta detyronte Beogradin ta rishqyrtonte sundimin mbi Kosovën. Përvoja e Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, si dhe përjashtimi i Kosovës nga zgjidhjet e Dejtonit, e forcuan bindjen se status quo-ja po konsolidohej në dëm të shqiptarëve dhe se strategjia e rezistencës paqësore po përballej me kufizime gjithnjë e më të dukshme. Në këtë kontekst, Brossat dhe Potel problematizojnë ndarjen e ngurtë ndërmjet “pacifistëve” të LDK-së dhe “radikalëve” të UÇK-së. Sipas tyre, përshkallëzimi i represionit serb, veçanërisht gjatë viteve 1998–1999, i bëri kufijtë ndërmjet këtyre dy formave të rezistencës gjithnjë e më të depërtueshëm, pasi një pjesë e aktivistëve dhe mbështetësve të LDK-së u afrua ose iu bashkua rezistencës së armatosur. Në këtë kuptim, forcimi i UÇK-së nuk mund të interpretohet thjesht si rezultat i një përplasjeje ideologjike me strategjinë paqësore të LDK-së,
por edhe si shprehje e transformimit gradual të shoqërisë shqiptare nën ndikimin e represionit serb dhe të bindjes në rritje se rruga paqësore, e vetme, nuk po prodhonte një zgjidhje politike për Kosovën, prandaj duhej nje interferim mes njëra-tjetres.
Kjo dinamikë ndihmon të kuptohet edhe arsyetimi i Fehmi Lladrovcit, për të cilin kalimi në rezistencë të armatosur nuk paraqitej si mohim i përpjekjeve politike të mëparshme, por si përgjigje ndaj bindjes se rruga paqësore, e vetme, nuk po prodhonte më rezultat. Intervista e Fehmiut e majit 1998 e shpreh këtë mendim me qartësi: armët, sipas tij, nuk ishin marrë “nga dëshira”, por si “domosdoshmëri”, sepse pa organizim të armatosur as Evropa dhe as Shtetet e Bashkuara nuk do ta dëgjonin Kosovën. Kjo deklaratë është e rëndësishme si racionalizim politik i kalimit nga durimi strategjik te rezistenca e armatosur. Ajo nuk provon vetvetiu se çdo alternativë paqësore ishte shteruar, por dëshmon se brenda krahut të armatosur ishte krijuar bindja se politika e mëparshme nuk prodhonte më ndikim të mjaftueshëm.
“Nuk i kemi marrë armët në dorë nga dëshira, por kjo është një domosdoshmëri. Pa një organizim të këtillë askush nuk do të na dëgjojë, as Evropa, as SHBA-të.” — Fehmi Lladrovci, BBC World, maj 1998.
Ky perceptim i Lladrovcit gjen një pikë takimi edhe me interpretimin e autorëve francezë Alain Brossat dhe Jean-Yves Potel. Sipas tyre, shfaqja e rezistencës së armatosur shqiptare nuk mund të shpjegohet si rezultat i një radikalizimi të papritur politik apo ideologjik, por duhet vendosur në kontekstin e një procesi të gjatë të represionit shtetëror. Pas demonstratave të vitit 1981 dhe, veçanërisht, pas suprimimit të autonomisë së Kosovës më 1989–1990, përjashtimi i shqiptarëve nga administrata, arsimi, shëndetësia dhe institucionet shtetërore ngushtoi gradualisht hapësirën e veprimit politik e institucional. Në këtë kuptim, kalimi drejt rezistencës së armatosur duhej analizuar brenda krizës së mekanizmave ekzistues të rezistencës dhe të përfaqësimit politik, jo si fenomen i shkëputur nga historia e dekadës paraprake.
Kroacia dhe mërgata: përvoja, rrjeti dhe organizimi
Lirimi i parakohshëm nga burgu, në fillim të viteve 1990, e gjeti Fehmi Lladrovcin në një Jugosllavi që po hynte në fazën e shpërbërjes dhe të konflikteve të armatosura. Në këtë kontekst, ai, së bashku me Jashar Prenkun nga Dobrasheci, Mehmet Ukën nga Gradica dhe shqiptarë të tjerë, iu bashkua forcave kroate dhe mori pjesë në luftime kundër forcave të Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë.
Kjo përvojë përbënte një etapë të rëndësishme në formimin e tij ushtarak. Angazhimi i Fehmiut dhe Xhevës në mbështetje të luftës kroate pati rëndësi të dyfishtë: së pari, u dha përvojë konkrete në kushtet e një konflikti të armatosur; së dyti, ua përforcoi bindjen se Ushtria Popullore e Jugosllavisë po humbiste karakterin e saj si strukturë federale dhe po shndërrohej gjithnjë e më shumë në instrument të politikës së Beogradit. Përvoja e fituar në Kroaci do të ndikonte më vonë në mënyrën se si Fehmi dhe Xhevë Lladrovci iu qasën organizimit, disiplinës dhe përgatitjes për luftë në Kosovë.
Vendosja në Gjermani nuk shënoi tërheqje nga veprimtaria, por kalimin në një hapësirë tjetër organizimi. Ky kalim nuk shënoi tërheqje nga veprimtaria politike, por zhvendosjen e saj në një hapësirë tjetër organizimi. Mërgata shqiptare në Gjermani siguronte burime njerëzore, financiare, politike dhe komunikimi ku po merrte një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në organizimin e rezistencës në Kosovë. Në këtë mjedis, Lladrovci u afirmua si një nga veprimtarët e rëndësishëm të Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe, si drejtues i degës së LPK-së në Gjermani, ku mori pjesë në mobilizimin e bashkatdhetarëve, në ndërlidhjen e rrjeteve ndërmjet diasporës dhe Kosovës, si dhe në mbështetjen politike, organizative dhe materiale të strukturave që do të lidheshin me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai vazhdoi takimet dhe aktivitetet me gazetarë, diplomatë dhe përfaqësues të shtetit shqiptar, të cilë tregojnë se rezistenca e armatosur kërkonte njëkohësisht legjitimitet publik dhe mbështetje politike.
Takimi i Mynihut
Ishte takimi i 27–28 shkurtit 1998 në Mynih me një delegacion të Ministrisë së
Punëve të Jashtme të Shqipërisë, të kryesuar nga ministri i atëhershëm Prof.dr. Paskal
Milo dhe i shoqëruar nga ambasadori Bashkim Zeneli. Ky takim monitorohej edhe nga zyrtarë gjermanë. Në të morën pjesë Fehmi Lladrovci dhe veprimtarë të tjerë të LPK-së. Takimi zhvillohej në një moment kur situata në Kosovë po përshkallëzohej dhe rezistenca e armatosur
në Drenicë po merrte përmasa të reja.
Dëshmi të drejtpërdrejtë për këtë takim jep edhe Paskal Milo në ditarin e tij diplomatik. Duke rikujtuar takimin e zhvilluar në Mynih, më 1 mars 1998 me përfaqësues të Lëvizjes Popullore të Kosovës, ndër të cilët Fehmi Lladrovci, Rexhë Ibërdemaj, Sylë Ukshini dhe Ramiz Lladrovci, ku Milo e përshkruan Fehmiun si një bashkëbisedues “të drejtpërdrejtë” dhe si një “revolucionar kokëfortë” me bindje të palëkundura. Sipas dëshmisë së tij, Lladrovci foli hapur për ekzistencën e UÇK-së dhe për vendosmërinë për ta çuar deri në fund luftën e armatosur, ndërsa kërkoi nga shteti shqiptar mbështetje më të madhe politike dhe furnizime me armë. Veçanërisht domethënëse është fjalia që Milo kujton se Lladrovci ia drejtoi në përfundim të bisedës: “Keni për të parë se çfarë ka për të ndodhur së shpejti në Kosovë.” Për Milon, këto fjalë morën një kuptim të veçantë vetëm një ditë më vonë, kur, gjatë udhëtimit me ambasadorin Bashkim Zeneli, mori njoftimin për dhunën e forcave serbe në Drenicë dhe kërkoi nga kabineti i ministrit gjerman Klaus Kinkel ndërmarrjen e masave urgjente për ndalimin e krimeve të mëtejshme.
Dëshmia e Milos ndihmon njëkohësisht për të kuptuar natyrën e kërkesave që Lladrovci ia adresonte Tiranës zyrtare në prag të përshkallëzimit të konfliktit. Ai kërkonte që qëndrimet e shtetit shqiptar ndaj zhvillimeve në Kosovë të ishin më të qarta dhe që mbështetja politike e diplomatike për rezistencën të shoqërohej, sipas dëshmisë së Milos, edhe me mbështetje konkrete për UÇK-në. Në argumentimin e Lladrovcit, kjo kërkesë buronte nga bindja se rezistenca e armatosur kishte hyrë në një fazë të re dhe se një pjesë e rinisë shqiptare ishte e vendosur ta vazhdonte luftën deri në çlirimin e Kosovës. Në këtë kuptim, paralajmërimi i tij në Mynih nuk duhet lexuar thjesht si formulim retorik, por si tregues i perceptimit të tij se përplasja ndërmjet rezistencës së armatosur dhe aparatit shtetëror serb po hynte në një fazë të përshkallëzimit të shpejtë.
Megjithëse ishte kritik ndaj qëndrimeve të caktuara të Tiranës, Lladrovci e konsideronte Shqipërinë faktor të domosdoshëm politik dhe diplomatik për çështjen e Kosovës. Ndaj kritika e tij, nuk duhet lexuar vetëm në prizmin e polemikave ndërpartiake të kohës, por si shprehje e kërkesës
për një bashkërendim më të madh të faktorit shqiptar në një moment kur përplasja me aparatin shtetëror serb po hynte në një fazë të re.
Në këtë perspektivë, Mynihu shfaqet përveçse si hapësirë e veprimtarisë së mërgatës, edhe si një nyje e ndërmjetme ndërmjet mobilizimit politik, organizimit të rezistencës dhe përpjekjeve për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Pikërisht në këtë hapësirë bëhej i dukshëm edhe tensioni ndërmjet kërkesës së lëvizjes së armatosur për mbështetje më të vendosur nga Tirana dhe kufizimeve politike e diplomatike brenda të cilave vepronte shteti shqiptar.
Prekazi – pikë kthese e luftës së UÇK-së
Sulmi mbi familjen Jashari në mars 1998 shënoi një kthesë vendimtare. Ai e rrëzoi perceptimin se represioni mund të kufizohej përmes durimit dhe protestës, ndërsa sakrifica e familjes Jashari prodhoi mobilizim të gjerë. Për Lladrovcin, i cili kishte mbajtur lidhje me Adem Jasharin, Prekazi e shndërroi bindjen politike në detyrim të menjëhershëm për kthim. Braktisja e sigurisë në Gjermani dhe hyrja në Kosovë bashkë me Xhevën e konkretizuan parimin se udhëheqësi duhej ta ndante rrezikun me ata që mobilizonte. Përmasat e kësaj kthese konfirmohen edhe nga studiuesi francez Jacques Baudouin, i cili e trajton Prekazin si një ngjarje me efekt të kundërt nga ai që synonte represioni serb. Sipas tij, vrasja e Adem Jasharit dhe pjesës më të madhe të familjes së tij nuk e dobësoi UÇK-në; përkundrazi, e shndërroi qëndresën e Jasharëve në simbol mobilizues. Mbështetja për UÇK-në u zgjerua në Kosovë dhe në diasporë, ndërsa qindra të rinj kërkuan t'u bashkoheshin radhëve të saj. Në këtë kuptim, Prekazi nuk përfaqësonte vetëm një tragjedi familjare dhe një përballje ushtarake, por një pikë kthese në raportin ndërmjet represionit shtetëror dhe mobilizimit shqiptar. Baudouin shkon edhe më tej, duke folur në thelb për “një përpara dhe një pas Prekazit”. Deri atëherë, veprimtaria e UÇK-së kishte karakter kryesisht gueril, të shprehur përmes përleshjeve dhe aksioneve të kufizuara; pas Prekazit, sipas tij, “lufta e vogël” filloi të shndërrohej në konflikt të armatosur më të përgjithësuar. Kjo kthesë është me rëndësi edhe për biografinë e Lladrovcëve: kthimi i tyre në Kosovë ndodhi pikërisht në momentin kur rezistenca po kalonte nga rrjetet dhe formacionet guerile drejt një mobilizimi shumë më të gjerë. Prekazi pati njëkohësisht edhe efekt ndërkombëtarizues. Masakra mbi familjen Jashari shkaktoi reagime të fuqishme në opinionin ndërkombëtar dhe e vendosi Kosovën me urgjencë më të madhe në agjendën perëndimore. Në këtë kontekst, Madeleine Albright deklaronte se kriza nuk mund të trajtohej më si një çështje e brendshme e Republikës Federale të Jugosllavisë. Kështu, represioni serb prodhoi dy pasoja që Beogradi synonte t'i shmangte: intensifikimin e ndërkombëtarizimit të konfliktit dhe zgjerimin e bazës shoqërore të UÇK-së. Krahas rritjes së mbështetjes politike dhe shoqërore për rezistencën e armatosur, u shtuan ndjeshëm edhe kontributet financiare të diasporës përmes Fondit “Vendlindja Thërret”, ndërsa numri i vullnetarëve që iu bashkuan UÇK-së shënoi një rritje të vazhdueshme. Kështu, intensifikimi i represionit, në vend që ta dobësonte rezistencën shqiptare, kontribuoi në zgjerimin e kapaciteteve të saj njerëzore, financiare dhe organizative.
Ardhja e veprimtarëve me përvojë nga lufta në Kroaci ndikoi në transformimin e formacioneve kryesisht guerile. Hapja e pozicioneve, stërvitja, organizimi i vijave të mbrojtjes dhe koordinimi i luftëtarëve në Drenicë e përforcuan fizionominë ushtarake të UÇK-së. Kontributi i Lladrovcit duhet parë pikërisht në këtë ndërmjetësi: ai sillte në front përvojën e burgut politik, organizimin e mërgatës dhe njohuritë praktike të luftës.
Intervista e BBC-së si dokument politik
Intervista e transmetuar pjesërisht nga BBC World është një nga burimet më domethënëse për
të analizuar mendimin e Lladrovcit në kulmin e luftës. Vlera e saj nuk qëndron vetëm te forca retorike, por te struktura e argumentit. Në të dallohen katër nivele: diagnoza e dështimit politik, legjitimimi i rezistencës, formulimi i objektivit shtetëror dhe thirrja drejtuar bashkësisë ndërkombëtare.
Në përgjigjen për fundin e durimit politik, Lladrovci lidh vitet 1981–1990, burgosjet, torturat dhe heshtjen ndërkombëtare me përkeqësimin e gjendjes gjatë viteve 1990. Pra, vendimi për armë paraqitet si rezultat i një kumulimi, jo si akt spontan. Analitikisht, ky formulim synon ta zhvendosë debatin nga pyetja nëse dhuna është e dëshirueshme te pyetja nëse një popull i privuar nga instrumentet institucionale ka ende mjete efektive të veprimit.
Dallimi ndërmjet shtetit serb dhe popullsisë civile
Pavarësisht propagandës së Beogradit, e cila synonte ta paraqiste UÇK-në si organizatë
terroriste dhe, në raste të caktuara, si shprehje të radikalizmit islamik, si dhe pavarësisht jehonës që kjo narrativë gjente në qarqe të caktuara politike e ideologjike në Perëndim, veçanërisht në mjedise me qëndrime të theksuara anti-NATO dhe antiamerikane, në ligjërimin e një pjese të drejtuesve të UÇK-së bëhej e dukshme rëndësia strategjike që lufta të mos identifikohej me ekstremizmin fetar, ideologjik apo me dhunën kundër popullsisë civile. Kjo ishte thelbësore jo vetëm për legjitimitetin e brendshëm të rezistencës, por edhe për objektivin e saj më të gjerë: sigurimin e mbështetjes politike të Perëndimit dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.
Dëshmia e Fehmi Lladrovcit e artikulon qartë këtë vijë ndarëse. Në intervistën e majit 1998 ai deklaronte se armët nuk ishin marrë kundër popullsisë serbe në Kosovë, por kundër regjimit dhe forcave policore e ushtarake serbe. Ky formulim duhet trajtuar, në radhë të parë, si pohim programor i vetë aktorit dhe, si i tillë, të verifikohet në raport me praktikën e luftës. Megjithatë, ai përputhet me atë që Henry H. Perritt Jr. identifikon si një dimension themelor të strategjisë së
UÇK-së: përpjekjen për të shmangur sulmet kundër objektivave civile dhe për ta paraqitur rezistencën si luftë politike e kombëtare për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Sipas Perritt-it, kjo zgjedhje mbështetej në një logjikë të qartë strategjike: sulmet kundër civilëve do ta rrezikonin synimin për të siguruar mbështetjen dhe ndërhyrjen e Perëndimit, do ta dëmtonin mbështetjen e UÇK-së brenda Kosovës, nuk ishin të domosdoshme taktikisht dhe, sipas interpretimit të tij, nuk përputheshin me kulturën historike shqiptare të rezistencës. Në këtë kuptim,
dallimi që Lladrovci artikulonte ndërmjet aparatit shtetëror serb dhe popullsisë civile kishte njëherësh dimension normativ dhe strategjik: përcaktonte kufirin e deklaruar moral të luftës dhe, njëkohësisht, synonte ruajtjen e legjitimitetit të saj ndërkombëtar.
“Armët nuk i morëm në duar për të luftuar kundër popullatës serbe që jeton në Kosovë. I morëm kundër regjimit çetnik dhe kundër forcave policore dhe ushtarake serbe që janë në Kosovë.”
Pikërisht ky dimension i legjitimimit ndërkombëtar merr rëndësi edhe përballë mënyrës se si UÇK-ja interpretohej në një pjesë të diskursit perëndimor. Rasti i UÇK-së ishte objekt edhe i leximeve ideologjike në një pjesë të opinionit perëndimor.
Alain Brossat dhe Jean-Yves Potel kritikojnë përpjekjet e disa gazetarëve dhe analistëve francezë për ta paraqitur UÇK-në përmes etiketave marksiste-leniniste apo staliniste, duke argumentuar se interpretime të tilla mbështeteshin më shumë në analogji dhe paragjykime ideologjike sesa në
shqyrtimin e programit politik, strukturës organizative dhe praktikës së saj në terren. Për autorët francezë, një qasje e tillë rrezikonte ta zhvendoste vëmendjen nga konteksti themelor i konfliktit: te represioni sistematik dhe politika shtetërore serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Pavarësia, vetëvendosja dhe kufijtë e negociatave
Fehmiu e formulon objektivin pa ekuivok: çlirimin e Kosovës nga Serbia dhe pavarësinë e plotë. Ai e refuzon autonominë dhe i lidh negociatat me njohjen e një realiteti të ri politik. Argumenti për vetëvendosje ndërtohet përmes krahasimit me republikat e tjera të dala nga Jugosllavia. Sipas tij, parimi i mosndryshimit të kufijve ishte zbatuar në mënyrë selektive, sepse shpërbërja e federatës kishte krijuar tashmë shtete të reja, ndërsa Kosova vazhdonte të trajtohej si përjashtim. “UÇK-ja nuk pajtohet me asnjë zgjidhje, përveç pavarësisë së plotë të Kosovës.”
Ky formulim i Fehmi Lladrovcit përputhet edhe me interpretimin që Henry H. Perritt
Jr. i bën më vonë strategjisë së UÇK-së. Sipas Perritt, “qëllimi parësor strategjik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte Kosova e pavarur”. Në këtë kuptim, deklarata e Lladrovcit nuk paraqet vetëm një qëndrim individual të një komandanti të UÇK-së, por artikulon një objektiv politik që Perritt e identifikon si boshtin strategjik të kryengritjes. Edhe në vlerësimin e Brossat dhe Potel argumentohet se në dokumentet dhe deklaratat zyrtare të UÇK-së nuk dëshmohet ekzistenca e një platforme politike të organizatës për realizimin e projektit të “Shqipërisë së Madhe”. Edhe pse ideja e bashkimit kombëtar ishte e pranishme në segmente të opinionit shqiptar. Autorët francezë bëjnë dallimin ndërmjet aspiratave më të gjera kombëtare dhe objektivit politik të artikuluar nga UÇK-ja, të përqendruar te çlirimi dhe pavarësia e Kosovës.
Përgjigjja se bisedimet me Serbinë mund të zhvilloheshin “vetëm për kufijtë” shprehte një
pozicion maksimalist dhe besimin se sovraniteti serb mbi Kosovën tashmë nuk ishte objekt negociimi. Kjo gjuhë pasqyronte gjendjen psikologjike e politike të kryengritjes në pranverën e vitit 1998, por njëkohësisht zbulonte distancën ndërmjet objektivit të UÇK-së dhe kornizave që atëherë diskutoheshin nga diplomacia ndërkombëtare.
Paralajmërimi për vonesën ndërkombëtare
Pohimi se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara mund të ndërhynin vetëm “kur gjaku do të bëhej deri në fyt” kishte karakter paralajmërues. Ai shprehte mosbesimin se diplomacia parandaluese do të vepronte para zgjerimit të katastrofës humanitare. Ngjarjet e mëvonshme — intensifikimi i luftës, zhvendosjet masive dhe ndërhyrja e NATO-s në mars 1999 i japin kësaj deklarate peshë retrospektive. Megjithatë, termi “vizionar” duhet përdorur me kujdes: rëndësia historike e pohimit qëndron te identifikimi i mekanizmit të vonesës ndërkombëtare, jo te shndërrimi i tij në profeci të pakushtëzuar. “Edhe nëse diç e tillë ndodh, atëherë do të jetë, si zakonisht, tepër vonë, kur gjaku do të bëhet deri në fyt.”
Kritika e tij shkonte përtej pasivitetit dhe merrte formën e një akuze morale: nëse Evropa demokratike toleronte nënshtrimin e shumicës shqiptare përmes terrorit shtetëror, ajo rrezikonte të bëhej “pjesëmarrëse” dhe bashkëpërgjegjëse në gjakderdhje. Në këtë pikë, intervista nuk ishte thjesht paraqitje ushtarake, por apel për përgjegjësi ndërkombëtare.
Ky dimension evropian i çështjes së Kosovës gjente shprehje, në të njëjtën periudhë, edhe në ligjërimin e Ismail Kadaresë. Duke e vendosur lëvizjen për çlirimin e Kosovës përtej kufijve të një konflikti lokal, Kadare shprehej: “Pak kohë më parë, në shtypin shqiptar, në Kosova Press, në mos gaboj, kam shprehur mendimin se lëvizja për çlirimin e Kosovës duhet të jetë pjesë e emancipimit evropian. Familja e popujve të kontinentit duhet ta marrë këtë mesazh. Dhe t’i përgjigjet atij.” Në këtë formulim, çlirimi i Kosovës konceptohej si pjesë e një procesi më të gjerë të emancipimit evropian. Kjo krijon një pikë takimi domethënëse me apelin e Lladrovcit: nga pozicione dhe role të ndryshme, të dy e vendosnin çështjen e Kosovës brenda horizontit politik dhe moral të Evropës dhe kërkonin që ajo të mos mbetej një çështje periferike, ndaj së cilës kontinenti mund të qëndronte indiferent.
Vetëvendosja dhe kundërshtimi i standardit të dyfishtë
Lladrovci e paraqiste çështjen e Kosovës si problem të vetëvendosjes, jo si konflikt të pakuptueshëm etnik. Duke iu referuar shpërbërjes së Jugosllavisë, ai vinte në pikëpyetje zbatimin selektiv të parimit të pandryshueshmërisë së kufijve: Sllovenia, Kroacia, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia kishin fituar shtetësi, ndërsa Kosovës i mohohej e njëjta perspektivë. Ky krahasim nuk e zgjidhte vetvetiu dallimin juridik ndërmjet republikave dhe krahinës autonome, por e artikulonte fuqishëm perceptimin shqiptar për standard të dyfishtë ndërkombëtar.
“Çdo popull i botës, përmes konventave ndërkombëtare, ka të drejtë për vetëvendosje dhe për
pavarësi. Këtë të drejtë e ka edhe populli shqiptar [...] Nuk kërkon as më shumë, as më pak se popujt e tjerë të botës.”
Morali, mobilizimi dhe roli i diasporës. Intervista e vendos moralin mbi epërsinë teknike. Pohimi se “arma më e fortë për çlirimin e një populli është morali i tij” shpreh bindjen se ushtria dhe policia serbe, megjithëse më të armatosura, nuk kishin motivim të krahasueshëm me luftëtarët e UÇK-së. Ky ishte njëkohësisht vlerësim ushtarak dhe ligjërim mobilizues: ai synonte ta shndërronte pabarazinë materiale në epërsi morale.
Në të njëjtën logjikë, masakra e Prekazit shihet si katalizator i mobilizimit. Sipas Lladrovcit, “çdo terror shtetëror ka reaksionin e vet në popull”; shtypja nuk e shuante rezistencën, por zgjeronte bazën e saj. Ai e lidhte këtë proces edhe me diasporën, të cilën nuk e shihte vetëm si burim financiar, por si rezervë njerëzore të luftës. Pohimi se të rinjtë do të ktheheshin për ta mbrojtur Kosovën dokumenton rolin që mërgata kishte fituar në strategjinë e UÇK-së.
“E gjithë rinia e Kosovës, e cila ndodhet jashtë vendit, është e gatshme të kthehet në Kosovë [...] për ta mbrojtur e çliruar atdheun e vet.”
Qosja: “Gjuha e tij ishte betejë“
Në fjalën e mbajtur në dhjetëvjetorin e rënies, Rexhep Qosja e përshkruan Lladrovcin si personalitet me “madhështi të rrallë morale”, të karakterizuar nga përkushtimi ndaj lirisë, pavarësisë, bashkimit kombëtar, të drejtës dhe së vërtetës. Formula e tij më përmbledhëse — “gjuha e tij ishte betejë” nuk duhet kuptuar vetëm si metaforë lavdëruese. Ajo identifikon një tipar të veçantë të veprimit politik të Lladrovcit: fjala nuk përdorej për të zëvendësuar veprimin, por për ta përgatitur, legjitimuar dhe orientuar atë. Kjo lidhje shihet në tri momente. Para gjykatës, fjala e tij kundërshtoi kriminalizimin e kërkesës për republikë. Në mërgatë, ligjërimi shërbeu për mobilizimin e njerëzve dhe burimeve. Në intervistën e BBC-së, fjala u bë instrument ndërkombëtarizimi dhe përpjekje për ta ndarë politikisht luftën kundër aparatit shtetëror nga dhuna ndaj civilëve. Prandaj, vlerësimi i Qosjes mund të përdoret si hipotezë analitike: te Lladrovci ekzistonte një unitet i pazakontë ndërmjet asaj që thoshte, asaj që kërkonte prej të tjerëve dhe rrezikut që pranonte vetë.
“Ai ishte gjithmonë veprues — me gjuhën ku ishte vendi i fjalës dhe me pushkën ku ishte vendi i pushkës. Gjuha e tij ishte betejë.” — Rexhep Qosja Qosja vë në qendër edhe parimësinë “deri në vetëmohim”. Kjo cilësi mund të lexohet në dy mënyra. Në planin moral, ajo shpjegon autoritetin e Lladrovcit dhe aftësinë për t’i bindur të tjerët. Në planin ushtarak, parimësia absolute mund të prodhonte edhe kufizime, sepse mospranimi i tërheqjes rritte rrezikun personal.
Pikërisht ky tension ndërmjet madhështisë morale dhe kostos tragjike e bën figurën e tij objekt të analizës historike, jo vetëm të përkujtimit.
Xheva Lladrovci: bashkëveprimtare, intelektuale dhe luftëtare
Një interpretim që e paraqet Xhevën vetëm si bashkëshorte që ndoqi Fehmiun do ta zvogëlonte rolin e saj historik. Trungu i saj, familja, formimi universitar, përvoja si mësimdhënëse, përjashtimi nga puna për shkak të veprimtarisë politike, angazhimi në rrjetet e rezistencës dhe më pas pjesëmarrja në front dëshmojnë për një proces të pavarur të formimit të vetëdijes së saj politike. Partneriteti me Fehmiun ishte ndërtuar mbi një ideal të përbashkët, por trajektorja e saj nuk mund të shpjegohet vetëm përmes kësaj marrëdhënieje. Kalimi nga intelektualja dhe veprimtarja politike te pjesëmarrësja e drejtpërdrejtë në luftë përfaqëson edhe një dimension më të gjerë të mobilizimit shqiptar: hyrjen e gruas jo vetëm në strukturat mbështetëse të rezistencës, por edhe në hapësirën tradicionale mashkullore të veprimit ushtarak. Prandaj, Xheva duhet parë jo si figurë plotësuese e biografisë së Fehmiut, por si subjekt politik me zgjedhje, bindje dhe përgjegjësi të veta historike.
Beteja e 22 shtatorit
Bashkë në jetë, luftë dhe sakrificë
Fehmiu e Xheva ishin kalitur me tiparet e të parëve, si: dëlirësinë, virtytin, atdhedashurinë, besën e burrërinë, solidaritetin e shpirtit të sakrificës, shpresën dhe besimin në të ardhmen, trimërinë e guximin, mprehtësinë e vigjilencën. Dhe këto tipare i kalitën edhe te bashkëkombasit , si dhe te bashkëluftëtarët e tyre. Fehmiu ishte i çiltër dhe gjithherë i gatshëm për bisedë, por mbi të gjitha ai ishte njeri fisnik. E tillë ishte edhe e shoqja e tij, të cilën e kishte jo vetëm grua, por edhe shoqe të idealit. U bënë të njohur si veprimtarë të devotshëm brenda dhe jashtë Kosovës, në Evropë, ku nuk e ndalën veprimtarinë e tyre në shërbim të kauzës kombëtare.
Aftësia, përvoja dhe gjakëftohtësia e Fehmiut edhe në situata të vështira, u shfaqën me një forcë dhe vitalitet të rrallë. Fehmiu vazhdonte t´i stërviste njësitet e UÇK-së, të cilat shtoheshin për çdo ditë me rekrutë të rinj, prej Kosove e mërgatës, duke ua mësuar atyre artin luftarak dhe duke i brumosur me vullnet të hekurt. Edhe Xheva luftoi përkrah Fehmiut dhe luftëtarëve të tjerë të UÇK-së kundër forcave ushtarake dhe paraushtarake serbe. Xheva shkriu forcën e zemrës trimëreshë, zgjuarsinë dhe dijen e saj në shërbim të çështje kombëtare. Natyrisht, nuk ishte e lehtë të ishe bashkëshorte e Fehmiut, por Xheva u bë grua dhe shoqe e luftës për të. Xheva marshoi krahas luftëtarëve të UÇK-së nëpër beteja të shumta të zonës së Drenicës. Betejat dhe vështirësitë e jetës e kalitën Xhevë Krasniqin-Lladrovcin dhe e bën shembullin më të mirë për luftëtarët e lirisë 14.
Betejat ndiqnin njëra-tjetrën, nga njëra krahinë në tjetrën. Sidomos drejt Drenicës armiku kishte nisur fuqi të mëdha tankiste. E tërë Drenica gjëmonte nga luftimet, ku luftëtarët e lirisë po bënin luftë heroike me forcat okupuese serbe, të cilat shpeshherë, veçanërisht në pamundësi për të goditur luftëtarët kryengritës, shtonin zullumet kundër popullsisë civile. Edhe rreth maleve të Qyqavicës zhvilloheshin luftime të rrepta, në frontin e së cilës vepronte aktivisht edhe komandant Fehmiu dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të. Kosovës15. ..
Më 22 shtator 1998, në kuadër të një ofensive të gjerë të forcave serbe në Drenicë, Fehmi Lladrovci dhe luftëtarët nën drejtimin e tij u përballën me një nga betejat më të ashpra të asaj periudhe. Në orët e hershme të mëngjesit, forcat serbe avancuan përgjatë boshtit Komoran–Drenas–Skenderaj, duke ushtruar presion mbi pozicionet e UÇK-së në këtë zonë. Informacionet për lëvizjen e forcave serbe, të përcjella nga pikat e vrojtimit, mundësuan alarmimin dhe riorganizimin e njësive të UÇK-së për mbrojtjen e pozicioneve kryesore.
Në këtë situatë, Fehmi Lladrovci mori rol të drejtpërdrejtë në organizimin dhe përforcimin e vijave të mbrojtjes. Përvoja e tij e mëparshme ushtarake, e fituar edhe gjatë luftës në Kroaci, merrte këtu një dimension konkret: organizimin e luftëtarëve, shpërndarjen e tyre në pikat e zjarrit dhe mbajtjen e vijës së rezistencës përballë një force shumë më të pajisur në njerëz dhe teknikë. Sipas dëshmive të ruajtura, para shpërndarjes së luftëtarëve në pozicione, ai i përqafoi ata me radhë dhe u tha: “Ku ka ditë më të mirë se sot me vdek për atdhe.”
Në këtë përballje përfundimtare u bashkuan, në mënyrë tragjike, dy trajektore jetësore që prej vitesh kishin ndjekur të njëjtin ideal politik dhe kombëtar. Qëllimi i angazhimit politik dhe i luftës së Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit përmblidhej në çlirimin e Kosovës nga sundimi serb dhe në realizimin e aspiratës së tyre për bashkim kombëtar me Shqipërinë. Në këtë kuptim, rënia e tyre më 22 shtator 1998 nuk mund të shkëputet nga bindjet politike që kishin formësuar veprimtarinë e tyre shumë kohë përpara se t’i bashkoheshin drejtpërdrejt luftës së UÇK-së. Ajo përfaqësonte pikën përfundimtare të një vazhdimësie ndërmjet bindjes, organizimit politik dhe veprimit të armatosur.
Pikërisht kjo vazhdimësi shpjegon edhe vendin që Fehmi dhe Xhevë Lladrovci zunë në kujtesën e luftës së Kosovës. Në përfytyrimin kolektiv të rezistencës shqiptare në Drenicë, emrat e tyre u vendosën pranë figurave historike të qëndresës, si Azem dhe Shotë Galica, duke krijuar një lidhje simbolike ndërmjet brezave të ndryshëm të rezistencës. Megjithatë, rëndësia e tyre historike nuk qëndron vetëm në simbolikën e rënies. Ajo qëndron edhe në faktin se biografia e tyre përmbledh disa prej etapave themelore të rezistencës shqiptare të fundit të shekullit XX: veprimtarinë ilegale, represionin, burgun politik, organizimin në mërgatë, përgatitjen ushtarake dhe, në fund, pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në luftën e UÇK-së.
Prandaj, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci mbetën në kujtesën historike jo vetëm si bashkëshortë që ranë në të njëjtën betejë, por si dy veprimtarë, rrugët individuale të të cilëve u bashkuan në një projekt të përbashkët politik dhe në të njëjtën sakrificë për lirinë e Kosovës.18.
Vepra e tyre do të mbetet përherë frymëzim dhe shembull për brezat që do të vijnë se si i shërbehet, si luftohet dhe si vdiset për atdhe. Ky ishte fati i tyre, ose, siç thoshte Fehmiu „ vdekja për lirinë e Kosovës do të ishte fati im më i madh jetësor “.
Pra, Fehmiu dhe Xheva ishin dhe do të mbeten përherë nderi dhe krenaria e Lëvizjes shtetëformuese në Kosovë dhe ndër figurat më të shquara dhe më të merituara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përfundim
Fehmi dhe Xhevë Lladrovci përfaqësojnë një brez që e përjetoi në vazhdimësi represionin jugosllav, krizën e autonomisë, kufijtë e organizimit paqësor, mobilizimin e mërgatës dhe kalimin në luftë të armatosur. Biografia e tyre tregon se UÇK-ja nuk lindi vetëm nga një çast shpërthimi, por nga rrjete, përvoja dhe bindje të akumuluara ndër vite. Fehmiu bashkoi veprimtarin ilegal, të burgosurin politik, organizatorin e diasporës dhe komandantin; Xheva bashkoi intelektualen, veprimtaren dhe luftëtaren.
Intervista e BBC-së e pasuron portretin duke e bërë të dukshme arkitekturën e mendimit të Lladrovcit: rezistenca e armatosur si pasojë e mbylljes së rrugëve të tjera; pavarësia si objektiv i panegociueshëm; dallimi programor ndërmjet aparatit shtetëror serb dhe civilëve; vetëvendosja si argument juridik e politik; dhe kritika ndaj vonesës ndërkombëtare. Fjala e Qosjes, nga ana tjetër, ndihmon të shpjegohet autoriteti moral i tij. “Gjuha e tij ishte betejë” sepse fjala e Lladrovcit synonte të prodhonte veprim, sepse ai vetë pranonte pasojat e asaj që kërkonte. Kishte shpirt dhe veprimtari altruisti dhe kështu bëhej shembull për t’u ndjekur. Ishte i përbetuar se pavarësia ishte opsioni i vetëm.
Trashëgimia e tyre nuk qëndron vetëm në simbolikën e rënies. Ajo qëndron edhe në pyetjet që ua lënë brezave: si ndërtohet legjitimiteti i rezistencës; kur fjala politike bëhet e pamjaftueshme; si ruhet kufiri moral në luftë; dhe si shndërrohet kujtesa heroike në histori të argumentuar. Pikërisht këtu portreti përkujtimor fiton vlerë historiografike. Ai i tejkalon përmasat e një njeriu të zakonshëm dhe, përmes veprës, erudicionit dhe përkushtimit të tij, kalon në kujtesën dhe mbamendjen popullore. Me erudicion të gjerë, karakter katërcipërisht të vendosur dhe me plot trimëri, ai ka synuar dhe ka arritur të ngjitet në piedestalin e vlerave të përhershme të historisë shqiptare.