Kur takimet jorelevante maskojnë zezimin e marrëdhënieve me ShBA-të - NACIONALE

Kur takimet jorelevante maskojnë zezimin e marrëdhënieve me ShBA-të

1 orë më parë

nga Col Mehmeti

Kosova, nën drejtimin e kryeministrit në largim, mbetet vendi i vetëm në Ballkan që e gjen veten në front përplasjesh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur imperativi gjeopolitik është shkëputja nga varësia energjetike ndaj Rusisë, Kurti gjer më tani nuk ka lëshuar pé nga kryeneçësia e moçme për t’i thënë ‘Jo’ çdo investimi a projekti amerikan. I papërfillur tash e gjashtë vite në Washington, sidomos nga Departamenti i Shtetit, kryeministri në largim e quan me vlerë takimin me Daniel Serwerin që nuk mban asnjë pozitë në administratën amerikane.

30 qershor 2026 –
Me një gjethe fiku kryeministri në largim, Albin Kurti e ka mbuluar kapitullin e ri të ftohjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në vigjilje të samitit të NATO-s që mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara, dhe ku Kosova nuk është ftuar, qeveria në largim e ka cilësuar si frymëzues një takim tejet jorelevant.

Bëhet fjalë për takimin që Kurti pati me analistin dhe profesorin amerikan, Daniel Serwer.

Në afishimin e bashkëndarë për mediat, kryeministri në largim e cilësoi takimin me analistin amerikan si të përzemërt dhe frymëzues.

Me profesorin biseduam për një gamë të gjerë temash të rëndësishme, duke përfshirë situatën e brendshme politike, hapat që Kosova po ndërmerr në përgatitje për anëtarësim në BE dhe NATO, si dhe zhvillime gjeopolitike dhe implikimet për sigurinë e vendit tonë”, shkroi me këtë rast Kurti.

Kosova është me fat që e ka një mik si Daniel Serwer, i cili kurrë nuk ka hezituar të flasë të vërtetën për popullin tonë dhe kërcënimet që paraqet Serbia ndaj sigurisë rajonale”.

Serwer nuk ka asnjë post në ekzekutivin amerikan

Sidoqoftë, e pathëna e njoftimit është se takimi në fjalë zor që mund të numërohet si një lëvizje diplomatike, qoftë edhe disacentimetërshe, që do të çonte ujë drejt përmirësimit të marrëdhënieve të plasaritura me Washingtonin zyrtar.

Ndonëse njohës i rryer i realiteteve në Ballkan, Daniel Serwer nuk ka kurrfarë posti në administratën amerikane.

Periudha e tij aktive në diplomaci ka qenë në vitet ’90: fillimisht ai kishte qenë zëvendësshef i misionit dhe i ngarkuar me punë në ambasadën amerikane në Romë; tutje, Serwer e kishte marrë rolin e të dërguarit të posaçëm për Bosnjën (1994-1996); dhe në vitet në vazhdim u bë diplomat i lartë në Departamentin e Shtetit, ku edhe drejtoi Zyrën për Inteligjencë dhe Kërkime Evropiane.

Hëpërhë, Serwer është bashkëpunëtor i Institutit për Politikë të Jashtme pranë Johns Hopkins School of Advanced International Studies.

Njashtu, ai vazhdon punë prej hulumtuesi mbi çështje të sigurisë e politikës ndërkombëtare në Middle East Institute.

Kohëve të fundit, emri i tij është keqpërdorur në përmbajtje të dyshimta që qarkullojnë nëpër grupe e faqe të afërta me Vetëvendosjen.

Aty paraqitej sikur Serweri shprehej me fjalë superlative për Kurtin e mënyrën sesi qeveris ai.

Serwer më 2023: “Kurti ringjalli konceptin jugosllav të vetëmenaxhimit”

Nga pozita e tij prej njohësi të rrethanave gjeopolitike, profesori amerikan kishte komentuar ngjarjet e stuhishme në veri të Kosovës në vitet 2022-23.

Megjithëse i kishte përkrahur veprimet e institucioneve të sigurisë së Kosovës, Serwer nuk do të ngurronte që të fshikullonte edhe objeksione kundrejt Kurtit që po krijonte panevojshëm plasaritje me aleatët perëndimorë, veçmas me ShBA-të.

Në një intervistë dhënë apostofat për gazetën NACIONALE, të zhvilluar me gazetarin Xhezair Dashi, profesori amerikan kishte qenë mjaft kritik kundrejt asaj që solli Kurti me Marrëveshjen e Ohrit.

Sipas tij, ideja e vetëmenaxhimit për komunitetin serb, të cilin Vetëvendosja e shfrytëzonte si veprim të mençur, ishte “hera e parë që ky koncept jugosllav u ringjall”.

Nëse vetë Kurti për pothuajse gjashtë vite ka qenë i heshtur ndaj Gjykatës Speciale, edhe kur kjo e fundit është bërë me gisht nga ekspertë të huaj për shkelje të vazhdueshme, profesori amerikan ka kritikuar ballazi procesin siç është zhvilluar deri më tani.

Cakërrim me brirë kundër ShBA-së dhe gjithçkaje të saj

Çështja e gazit të lëngëzuar natyror (Liquefied Natural Gas) – për të cilin vetë ambasada amerikane para do kohe dërgoi mesazhe urgjence – po e vë vendin përballë një udhëkryqi tjetër gjeopolitik.

Deri më tani, veprimet dhe deklarimet e Qeverisë në detyrë kanë qenë tejet ambuige, me gjasa të mira për të mos e pranuar fare nismën e gazit ‘amerikan’.

Kjo do ta bënte edhe njëherë Kosovën si ‘delen e zezë’ të Ballkanit që shkëputet nga të gjitha nismat amerikane që synojnë pavarësimin energjetik të rajonit nga Rusia.

‘Dobësimi’ i ambasadave: Kosova në ShBA dhe ShBA-të në Kosovë

E shumëpërfolur ndër vite si çështje, marrëdhëniet me aleatin kryesor të Kosovës dhe shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara, kanë pësuar jo pak trandje.

Washingtoni deri më tani ka qenë intrasigjent në mbrojtjen e Kosovës, porse e njejta nuk është reflektuar edhe në qasjen ndaj kryeministrit Kurti.

Në fund të dhjetorit të 2024-s kur ambasadori Jeffrey Hovenier e përfundoi mandatin e tij, ambasada amerikane në Prishtinë nuk e solli një titullar të ri.

Gjatë gjithë kësaj kohe, diplomacia amerikane e la përfaqësinë e saj në Prishtinë në kapacitetin e vetëm një të ngarkuare me punë, siç vazhdon të mbetet Anu Prattipati.

Vetë Richard Grenell, që në administratën e re amerikane mban postin e të Dërguarit të Posaçëm presidencial për Misione të Veçanta, në shkurt të vitit të kaluar theksoi troç se qeveria e Kurtit nuk gëzon besim ndër amerikanë.

Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trumpit, e as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët, ashtu edhe demokratët, e kanë kritikuar Kurtin vazhdimisht për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që e destabilizojnë rajonin. Të njëjtën e ka bërë BE dhe NATO. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, kishte emfazuar qëndrimin e tij për sa i përket Kurtit.

Hiç më mirë nuk i ka punët as ambasada e Republikës së Kosovës në Washington.

Në bashkëbisedim me aktivistë shqiptaro-amerikanë, gazeta NACIONALE mëson se prania diplomatike e Kosovës në ShBA nuk është as hija siç ishte një dekadë më parë.

Kjo zbehje e interesimit amerikan, sidomos nga Departamenti i Shtetit, nuk është frenuar as nga përfaqësia diplomatike e Kosovës, e cila, ndër të tjerash, përballet edhe me probleme teknike, siç është mungesa e stafit.

Gjashtë vjeq armiqësi

Raportet konfliktuale deri në ftohje e kanë shënuar gjithë historinë mbi gjashtëvjeçare të Kurtit në qeveri.

I vetmi udhëtim i Kurtit në ShBA që mori njëfarë vëmendje qe ai i bërë në korrik të vitit 2022.

Në takimin e bërë me sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken, projektori i vëmendjes më fort pati rënë të Osmani sesa te Kurti.

Thuajse e padobishme, madje gati private, ishte cilësuar vizita e dytë e Kurtit në ShBA, në gusht të 2024-s, kur ai mori pjesë në Konventën Kombëtare të demokratëve në Çikago.

Në agjendën e tij nuk pati asnjë takim të rëndësishëm me ndonjë zyrtar në Washington, paçka se njoftimet nga Zyra e Kryeministrit promovonin takime të niveleve të ulëta me politikanë nga Vanuatu, Samoa, Andorra e Grenada.

Kjo është vizita më e gjatë që një kryeministër ka bërë ndonjëherë në Shtetet e Bashkura”, kishte thënë me doza mburrje Kurti.

Kjo tablo nuk ndryshoi aspak edhe kur ai, në cilësinë e kryeministrit në detyrë, kreu një vizitë në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, qëndrimi i Kurtit u bë sebep Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Hiq ndonjë takimi me kongresmenë e senatorë amerikanë, kryeministri i Kosovës nuk ishte pritur fare nga Departamenti Amerikan i Shtetit. /Nacionale/

Lajme të ngjashme