Albin fshihu: Grenell është kudo, edhe ambasador në OKB - NACIONALE

Albin fshihu: Grenell është kudo, edhe ambasador në OKB

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Javën e kaluar, kryeministri në largim Albin Kurti e hodhi edhe një shashkë në drejtim të Richard Grenellit. Teksa po mashtrohej prej dy të rinjve rusë, që paraqiteshin si presidenti letonez Edgars Rinkēvičs, ai e fyu diplomatin republikan, madje duka ia përmendur edhe orientimin seksual. Në zgjedhjet e sivjetme Kurti mori 337,791 vota, por Grenelli është njëri nga më të besueshmit në rrethin e Trumpit.


Col Mehmeti

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk është e thënë që ta largojë ‘fantazmën’ me emrin Grenell.

Njëri nga njerëzit më të afërt të presidentit amerikan Donald Trump, është bërë i pashmangshëm dhe i kudondodhur.

Të hënën, presidenti amerikan ka bërë të ditur se ka disa kandidatë potencialë për postin e ambasadorit amerikan në Kombet e Bashkuara, përfshirë edhe ish-ambasadorin në Gjermani, Richard Grenell, si dhe ish të dërguarin në Izrael, David Friedman.

Javën e kaluar, Trumpi e tërhoqi nominimin e përfaqësueses Elise Stefanik pas shqetësimeve se dalja e saj prej Dhomës së Përfaqësuese mund ta kërcënojë shumicën e ngushtë të republikanëve.

I pyetur nga mediat se kë po e konsideron në vend të saj, Trumpi ka thënë se janë 30 njerëz të intersuar për këtë detyrë.

Ai ka përmendur Grnellin, tani i dërguar i posaçëm i administratës republikane, ashtu sikurse edhe president i përkohshëm i Kennedy Center, si dhe Friedmanin, ambasador në Izrael gjatë mandatit të parë të Trumpit.

“Ne kemi plot njerëz të mirë që e duan (postin)”, iu ka thënë Trumpi gazetarëve në Zyrën Ovale.

“Kemi plot njerëz që e kanë kërkuar, e që duan të jenë aty: David Friedman, Ric Grenell, e mbase 30 njerëz të tjerë. Secili e do këtë pozitë. Kjo është një pozitë që të bën yll.”

Ish-guvernatorja e Karolinës Jugore, Nikki Haley ka shërbyer si ambasadore e ShBA-së në Kombet e Bashkuara gjatë mandatit të parë të Trumpit.

Ajo garoi kundër Trumpit në zgjedhjet e brendshme të republikanëve vitin e kaluar, garë të cilën e humbi.

Viktimë e mashtruesve rusë, viktimë e antiamerikanizmit qorr

Javën e kaluar, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u bë senzacion vendor e ndërkombëtar pasi ra viktimë e komedianëve rusë, Vovan dhe Lexus.

Këta janë llagëpet e rusëve Vladimir Kuznetsov dhe Aleksei Stolyarov që merren me rrengje (pranks) duke mashtruar presidentë e kryeministra gjithandej botës.

Kurti dhe gjithë stafi i tij u vunë në lajthim duke menduar se po komunikonin me presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs.

Politikani, që në zgjedhjet e sivjetme mori një rekord prej 337,791, u kompromentua rëndë në këtë bisedë me gaztorët rusë, duke e nxjerr sheshazi antiamerikanizmin e tij.

Në këtë lidhje telefonike, kryeministri me zë dhe figurë dëgjohet duke e përmendur edhe Grenellin.

“Tërë këto katër vite kundër meje. Ai ishte instrumental në rrëzimin e qeverisë time të parë, në 2020, e vetmja qeveri e ime u rrëzua gjatë pandemisë. Dhe tash në masë të madhe është rreshtuar me opozitën. Ai ka marrë një çmim të lartë në Beograd, të klasit të parë, nuk është në rregull të marrës çmim të atij soji në një vend autoritar dhe të pretendosh të jesh neutral. Tash ka një punë të re, Instituti Kenedi, ku ka të bëjë me vlerat e ShBA-së… Ai është homoseksual vetë”, kishte thënë Kurti.

Pasi ishte bërë skandal, Zyra e Kryeministrit kishte lëshuar një deklaratë, ku rastin e kishte quajtur ‘incident’.

Në reagimin me gjithsejt tre paragrafë, Qeveria e Kurtit nuk kishte kërkuar falje për përmbajtjen e bisedës, porse kishte akuzuar se “Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë”.

Grenell nuk e do se nuk e do Albinin

Që prej rikthimit të republikanëve në pushtet, edhe Grenelli i ka bërë me dije ‘vijat e kuqe’ për Kurtin.

“Na duhen partnerë të besueshëm”, pati shkruar Grenelli fillim të shkurtit me aludimin se qeveria e drejtuar nga Albin Kurti nuk gëzon besim.

“Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trumpit, e as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët, ashtu edhe demokratët, e kanë kritikuar Kurtin vazhdimisht për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që e destabilizojnë rajonin. Të njëjtën e ka bërë BE dhe NATO. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, ka emfazuar shqeto qëndrimin e tij për sa i përket Kurtit.

Interpretimet popullore, të frymëzuara shpesh nga politika arrakate e Vetëvendosjes, i mëshojnë pohimit sikur Grenelli vepron krye-në-vete, duke e paraqitur si një i dalëudhe prej politikës zyrtare të Washingtonit.

Por, nuk ka asnjë dromcë dëshmie që ta mbështesë një pandehmë si kjo, përderisa legjislacioni amerikan është i tillë që stipulon një politikë të njësishme të jashtme. Për këtë është edhe Akti Logan i 1799-s, i cili penalizon përpjekjen e cilitdo amerikan që t’i shmanget politikës zyrtare amerikane.

Si filloi fesati me Grenellin?

Siç pati shkruar NACIONALE në një trajtim të gjatë, shndrrimi i Rick Grenellit si ‘armik popullor’ në Kosovë, jo vetëm mes mbështetësve të Kurtit, nuk është diçka që buroi mirëfilltazi mes shqiptarësh.

Një pjesë dërrmuese e antipatisë kundër Grenellit është veçse një import i lirë prej kriticizmit që bëhej para disa vitesh në Gjermani.

I nominuar më 2017 nga Trumpi dhe i konfirmuar një vit më vonë nga Senati i Shtetit, Grenelli që prej 8 majit shërbeu për dy vjet radhazi si ambasador në Gjermani.

I njohur për deklaratat e tij të drejtpërdrejta – nuk munguan as ta akuzojnë për shkelje të protokolleve diplomatike dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike – ambasadori i Trumpit për pak kohë krijoi armiq të shumtë në Gjermani, veçmas mes socialdemokratësh e të majtësh.

Këtë e kishte ushqyer jo pak edhe simpatia e Grenellit për politikanët konservatorë, por edhe kritikat e tij gjithnjë e më vokale ndaj politikave të Merkelit për migrimin.

Një nga ata që e kishte mërdhezur publikun kundër Grenellit ishte gazetari gjerman i Der Spiegelit, Class Relotius. Kur në Gjermani ishte bërë poterë e madhe rreth skandalit të tij, pra Relotius ishte zënë duke sajuar histori ndër vite, Grenelli kishte reaguar duke e cilësuar këtë si simptomë të anshmërisë antiamerikane në media.

“Është e qartë se ne ishim viktima të një fushate të njëanshme institucionale”, kishte shkruar ambasadori amerikan në një letër drejtuar Der Spiegel.


Urrejtjen e shpërndau Vetëvendosja prej pesë vitesh

Sado që në politikën amerikane ishte përfshirë qysh më 2001 në kohën e administratës së George W. Bushit, emrin e Grenellit pakkush e njihte në botën shqiptare. Ai u njoh vetëm kur në tetor të 2019-s Trumpi e emëroi si të dërguar të veçantë për bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës.

Për pothuajse një vit, plot 336 ditë, Grenelli u përfshi gjallërisht në përpjekje për të krijuar një frymë shtensionuese mes Serbisë dhe Kosovës.

Puna e tij pritej të kurorëzohej me një samit paqeje, i paraparë të mbahej me 27 qershor 2020 në Washington DC, por shkoi dëm pasi për ish-presidentin Hashim Thaçi filloi odisejada me Gjykatën Speciale në Hagë.

Kjo ndodhi, shpesh e cilësuar edhe si komplot për të abortuar një projekt të Trumpit, nuk e sprapsi Grenellin.

Puna e tij u sendëzua kur më 4 shtator 2020, në Zyrën Ovale dhe në praninë e presidentit Trump, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe ish-kryeministri Abdullah Hoti nënshkruan marrëveshjen ekonomike për normalizim.

Gjatë gjithë kësaj kohe, sidomos pasi qeveria e Kurtit u rrëzua në fund të marsit të po atij viti, Grenelli u bë një emër i urryer nga mbështetësit e Vetëvendosjes.

Sado e panjohur dhe e pavlerësuar në plotninë e vet, veprimtaria e diplomatit amerikan u mbulua me hijen e akuzave për ‘thika mbi harta’, siç kishte deklaruar asokohe Kurti duke aluduar gjoja në skenarin për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

Ç’është e vërteta, deklarimet e Grenellit, pas vënies së nënshkrimeve në Marrëveshjen e Ëashingtonit, nuk përkonin aspak me figurën e shpërfytyruar që po i krijohej pas shpinës në Kosovë.

“Si u arrit marrëveshja, Donald Trump menjëherë kërkoi që tani e tutje secili (nga nënshkruesit) të hipte në avion e të fillonte zbatimin e marrëveshjes”, pati thënë Grenell në një deklarim për një medium serb në Amerikë.

Sipas tij, ç’prej nënshkrimit të marrëveshjes kishin filluar lëvizjet për investime në lëmin e energjisë në rajon, duke e marrë si shembull projektin që parashihej në liqenin e Ujmanit.

U hodh poshtë shkëmbimi i territoreve, u fuqizua Asociacioni


Trashëgimia e urrejtjes kundër Grenellit në Kosovë është e lidhur jo pak me idenë që në vitin 2018 përflitej si ‘shkëmbim territoresh’ mes Kosovës e Serbisë.

Përveç simpatisë që gëzoi në Komisionin e BE-së dhe administratës së Trumpit, pati edhe zëra të tjerë që u vunë në mbrojtje të një skenari të tillë: një zyrtar i periudhës së Obamës kishte shkruar në New York Times në terma të favorshëm për të.

Demonizimi i një skenari të tillë, duke e personifikuar me Grenellin, do t’i kushtonte më fort Kosovës sesa Kurtit.

Studiuesi boshnjak Jasmin Mujanović, duke bërë një përmbledhje të ngjarjeve të këtyre viteve, vëren se ideja për shkëmbim territoresh ishte zbehur qysh në vitin 2020.

Prej rrëzimit e në muajt në vijim, Kurti nuk e kishte lëshuar nga goja Grenellin, duke e akuzuar atë se kishte pasur gisht në “grusht-shtetin parlamentar”.

Fitoren e tij iluzore sikur e ushqente edhe fitorja e Vetëvendosjes në shkurt 2021 dhe popullariteti i saj i pazakontë prej 50.28 për qind.

Ky pozicionim i gabuar dhe ngushtim i hapësirës negocionale, duke përjashtuar a priori opsione, do të sillte rrethanën kur bashkësia ndërkombëtare do ta favorizonte edhe më fort krijimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.

“Sadoqë Kurti dhe Vetëvendosje qartazi po hapëronin lart në një valë kundërshtimi ndaj skemave për ndarje, administrata e re e Bidenit ngulmoi të njëjtën, megjithëse në formën e Bashkësisë së Komunave Serbe. Departamenti i Shtetit, në kohën e Bidenit, e qendërzoi Asociacionin si një zgjidhje të kohës së Obamës që ishte e pranueshme për të dyja palët, që kishte nevojë vetëm për t’u realizuar në praktikë”, shkruan Mujanović në librin e tij ‘The Bosniaks Nationhood After Genocide’.

Lajme të ngjashme