Historia e belasë së panevojshme me njeriun e fortë të Trumpit - NACIONALE

Historia e belasë së panevojshme me njeriun e fortë të Trumpit

6 ditë më parë

nga Col Mehmeti

Politika e jashtme e Trumpit, tek e cila Rick Grenell do ta ketë një zë të fuqishëm, do të jetë e natyrës transaksionale për të favorizuar interesat biznesore. Të gjitha vendet përreth Kosovës po bëjnë çmos që Amerikën trumpiste ta sjellin në formë investimesh. Por, Kurti dhe Vetëvendosja vazhdojnë edhe më tej me belanë e pakuptimtë duke e konsideruar republikanin 58-vjeçar si ‘bashkëpunëtor të Serbisë’. I njohur për reputacionin e tij si diplomat që nuk bën ojna, që flet troç, që nuk i do të majtët, Grenelli është amerikani i vetëm në qarkun e ngushtë të presidentit Trump që e njeh politikën në Kosovë, Shqipëri dhe rajon.

Col Mehmeti

Gjesti metaforik kur kryeministri Albin Kurti bën sikur mbyt miza mund të jetë fare mirë përshkrimi më i saktë për të dërguarin për misione të posaçme të presidentit Trump, Richard Grenell.

I taksur me besimin e plotë të presidentit amerikan, Ricki, pa bërë gjeste në të thatë, vërtet do të jetë duke mbytur miza e buba që identifikohen si të majta.

I afërt prej thuajse një dekadë me Trumpin, ai edhe të martën e ka zëruar vendosmërinë e tij për t’ua këputur financimet organizatave joqeveritare që shtyjnë përpara politika radikale.

“Amerikanë që punojnë fort paguajnë taksa – politikanë në Washington DC i harxhojnë ato para kuturu. Miliarda dollarë janë dhënë për OJQ të majta për të shtyrë përpara politika radikale në vende të tjera”, ka shkruar Grenell në llogarinë e tij në platformën ‘X’.

Këtë e ka shembullzuar me një pasqyrë tabelare të harxhimeve të USAID-it për Ballkanin Perëndimor për harkun kohor 2020-2024.

Nuk ka më sadakë nga USAID-i

Nga shuma e gjithëmbarshme prej 1.7 miliardë dollarë të taksapaguesve amerikanë, Kosova shfaqet si vendi me hisën më të madhe të përfitimeve.

Për periudhën e sipërthënë, Kosova mori 537 milionë dollarë.

Kjo shifër marramendëse lë ndjeshëm pas Bosnjën, në vendin e dytë, e cila ka përfituar 402 milionë dollarë.

Maqedonia e Veriut është e treta më 290 milionë; pasuar prej Serbisë më 209 milionë, Shqipërisë më 189 milionë si dhe Malit të Zi me 77 milionë.

Armik i woke-izmit

Rick Grenelli është më i përbetuari armik i asaj që quhet ‘woke’ (ose edhe wokeness).

Megjithë kuptimësinë tejet të gjerë, këtij nocioni i brendashkruhet vetëdija për çështje shoqërore e politike duke iu mëshuar atyre paragjykimeve racore, padrejtësive, pabarazive, seksizmit e kështu me radhë.

Në leksikonin e atyre që i kundërshtojnë lëvizjet e majta, termi wokeness ka domethënien e një forme të pasinqertë të aktivizmit performativ.

Kësisoj, termi përdoret për të qësendisur ‘liberalizmin pedant’, dhe woke përshkruan dikë që ndjek një ‘ideologji jotolerante e moralizuese’.

Zaten, Grenelli nuk është profil politikani që jepet pas teorizimeve të gjata.

Ai e ka shpjeguar vënien e kapistrave mbi USAID-in si frenim të fuqizimit të programeve të majta nga të cilat përfitonin politikanë të majtë.

“Programet e USAID-it armëzoheshin kundër njerëzve dhe politikanëve që nuk ishin woke. Ekipi i Bidenit ka harxhuar paranë e taksapaguesve amerikanë për të mbështetur programe dhe kandidatë të majtë gjithandej botës. Konservativët kudo janë shënjestruar. Rumania është rasti më i fundit”, shkroi ai në platformën ‘X’.

Simpati për politikën konservative

Shpesh nga harku i Grenellit shkrehen edhe shigjeta kundër populistëve të majtë—ai kishte qenë në gjendje të duronte gjithë hakërrimin e publikut gjerman, por nuk kishte hequr dorë as sa maja e thoit nga qëndrimi i tij favorizues ndaj politikanëve me prirje konservative.

“Absolutisht dua të fuqizoj konservativët e tjerë anembanë Evropës”, kishte thënë në qershor të 2018-s për Breitbart News.

Afërmendsh që politikanë të majtë nuk janë preferenca e administratës së re, çka duhet të lexohet edhe si një kumt i rëndësishëm për quo vadis–in në Kosovën e pas 9 shkurtit.

Edhe ato portretime negative për Grenellin, si ai i botuar vjet nga kolumnisti i Bloombergut Adnreas Kluth, priren të vënë në dukje që politika e tij, sikundër edhe ajo e Trumpit, nuk dertohet fort pas vizionesh të mëdha gjeostrategjike.

Ajo më fort përshkruhet si e dhënë pas zgjidhjeve businesslike, ku ai bën marrëveshje dhe mbaron punë për Trumpin.

Me besnikërinë e pareshtur për kryerepublikanin konservator, Grenelli nuk e çan kryet as për vizione realiste për ruajtjen e rendit botëror e as për rragatje idealiste për të mbështetur demokracitë dhe të drejtat njerëzore.

Është politikë që, parasëgjithash, “do t’i ledhatojë popullistët e të fortët e djathtë”.

Edhe nëse për hir të argumentit pandehma sikur Grenell vepron krye-në-vete do të merrej si e saktë, Trumpi kudo e kurdo e përsërit që ai është “i dërguari im” (my convoy).

I zgjuar dhe efektiv

Republikani 58-vjeçar është, sikundër e përshkruante Robert Taiti, korrespodent i The Guardian në Washington, “një person i skalitur si njeri arketip trumpian, i mprehtë dhe kurdoherë i gatshëm për t’u cakërruar me liberalët, aleatët dhe burrështetasit e jashtëm nëpër forume publike dhe media sociale”.

Me sfondin e tij si ambasador në Gjermani si dhe për pak kohë drejtor i inteligjencës kombëtare, Grenell, sipas Taitit, ka skalitur pahun e tij si artikulues i një qasje ‘Maga’ (shkurtesë për Make America Great Again) kundrejt çështjeve globale.

I njohur për hiperaktivitetin dhe drejtpërdrejtshmërinë e vet, profili i Grenellit ndonjëherë mund të vë në bezdi edhe vetë diplomatët amerikanë.

Fulton Armstrong, studiues në Qendrën e Universitetit Amerikan, e vlerëson kanakarin e Trumpit për aftësinë e tij për t’u përbiruar mes prapaskenave të politikës e diplomacisë.

“Grenelli është fort i zgjuar dhe efektiv. Pasi ka përshkuar botën e inteligjencës dhe atë të politikës, ai e di se kush mund të ngashnjehet, frikësohet a shkatërrohet”, ka thënë Armstrong.


Albinin nuk e do se nuk e do

“Na duhen partnerë të besueshëm”, shkroi Grenelli të hënën me aludimin se qeveria e drejtuar nga Albin Kurti nuk gëzon besim.

“Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trumpit, e as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët, ashtu edhe demokratët, e kanë kritikuar Kurtin vazhdimisht për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që e destabilizojnë rajonin. Të njëjtën e ka bërë BE dhe NATO. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, ka emfazuar shqeto qëndrimin e tij për sa i përket Kurtit.

Interpretimet popullore, të frymëzuara shpesh nga politika arrakate e Vetëvendosjes, i mëshojnë pohimit sikur Grenelli vepron krye-në-vete, duke e paraqitur si një i dalëudhe prej politikës zyrtare të Washingtonit.

Por, nuk ka asnjë dromcë dëshmie që ta mbështesë një pandehmë si kjo, përderisa legjislacioni amerikan është i tillë që stipulon një politikë të njësishme të jashtme. Për këtë është edhe Akti Logan i 1799-s, i cili penalizon përpjekjen e cilitdo amerikan që t’i shmanget politikës zyrtare amerikane.

Si filloi fesati me Grenellin?

Shndrrimi i Rick Grenellit si ‘armik popullor’ në Kosovë, jo vetëm mes mbështetësve të Kurtit, nuk është diçka që buroi mirëfilltazi mes shqiptarësh.

Një pjesë dërrmuese e antipatisë kundër Grenellit është veçse një import i lirë prej kriticizmit që bëhej para disa vitesh në Gjermani.

I nominuar më 2017 nga Trumpi dhe i konfirmuar një vit më vonë nga Senati i Shtetit, Grenelli që prej 8 majit shërbeu për dy vjet radhazi si ambasador në Gjermani.

I njohur për deklaratat e tij të drejtpërdrejta – nuk munguan as ta akuzojnë për shkelje të protokolleve diplomatike dhe Konventës së Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike – ambasadori i Trumpit për pak kohë krijoi armiq të shumtë në Gjermani, veçmas mes socialdemokratësh e të majtësh.

Këtë e kishte ushqyer jo pak edhe simpatia e Grenellit për politikanët konservatorë, por edhe kritikat e tij gjithnjë e më vokale ndaj politikave të Merkelit për migrimin.

Një nga ata që e kishte mërdhezur publikun kundër Grenellit ishte gazetari gjerman i Der Spiegelit, Class Relotius. Kur në Gjermani ishte bërë poterë e madhe rreth skandalit të tij, pra Relotius ishte zënë duke sajuar histori ndër vite, Grenelli kishte reaguar duke e cilësuar këtë si simptomë të anshmërisë antiamerikane në media.

“Është e qartë se ne ishim viktima të një fushate të njëanshme institucionale”, kishte shkruar ambasadori amerikan në një letër drejtuar Der Spiegel.


Urrejtjen e shpërndau Vetëvendosja prej pesë vitesh

Sado që në politikën amerikane ishte përfshirë qysh më 2001 në kohën e administratës së George W. Bushit, emrin e Grenellit pakkush e njihte në botën shqiptare. Ai u njoh vetëm kur në tetor të 2019-s Trumpi e emëroi si të dërguar të veçantë për bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës.

Për pothuajse një vit, plot 336 ditë, Grenelli u përfshi gjallërisht në përpjekje për të krijuar një frymë shtensionuese mes Serbisë dhe Kosovës.

Puna e tij pritej të kurorëzohej me një samit paqeje, i paraparë të mbahej me 27 qershor 2020 në Washington DC, por shkoi dëm pasi për ish-presidentin Hashim Thaçi filloi odisejada me Gjykatën Speciale në Hagë.

Kjo ndodhi, shpesh e cilësuar edhe si komplot për të abortuar një projekt të Trumpit, nuk e sprapsi Grenellin.

Puna e tij u sendëzua kur më 4 shtator 2020, në Zyrën Ovale dhe në praninë e presidentit Trump, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe ish-kryeministri Abdullah Hoti nënshkruan marrëveshjen ekonomike për normalizim.

Gjatë gjithë kësaj kohe, sidomos pasi qeveria e Kurtit u rrëzua në fund të marsit të po atij viti, Grenelli u bë një emër i urryer nga mbështetësit e Vetëvendosjes.

Sado e panjohur dhe e pavlerësuar në plotninë e vet, veprimtaria e diplomatit amerikan u mbulua me hijen e akuzave për ‘thika mbi harta’, siç kishte deklaruar asokohe Kurti duke aluduar gjoja në skenarin për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

Ç’është e vërteta, deklarimet e Grenellit, pas vënies së nënshkrimeve në Marrëveshjen e Washingtonit, nuk përkonin aspak me figurën e shpërfytyruar që po i krijohej pas shpinës në Kosovë.

“Si u arrit marrëveshja, Donald Trump menjëherë kërkoi që tani e tutje secili (nga nënshkruesit) të hipte në avion e të fillonte zbatimin e marrëveshjes”, pati thënë Grenell në një deklarim për një medium serb në Amerikë.

Sipas tij, ç’prej nënshkrimit të marrëveshjes kishin filluar lëvizjet për investime në lëmin e energjisë në rajon, duke e marrë si shembull projektin që parashihej në liqenin e Ujmanit.

U hodh poshtë shkëmbimi i territoreve, u fuqizua Asociacioni


Trashëgimia e urrejtjes kundër Grenellit në Kosovë është e lidhur jo pak me idenë që në vitin 2018 përflitej si ‘shkëmbim territoresh’ mes Kosovës e Serbisë.

Përveç simpatisë që gëzoi në Komisionin e BE-së dhe administratës së Trumpit, pati edhe zëra të tjerë që u vunë në mbrojtje të një skenari të tillë: një zyrtar i periudhës së Obamës kishte shkruar në New York Times në terma të favorshëm për të.

Demonizimi i një skenari të tillë, duke e personifikuar me Grenellin, do t’i kushtonte më fort Kosovës sesa Kurtit.

Studiuesi boshnjak Jasmin Mujanović, duke bërë një përmbledhje të ngjarjeve të këtyre viteve, vëren se ideja për shkëmbim territoresh ishte zbehur qysh në vitin 2020.

Prej rrëzimit e në muajt në vijim, Kurti nuk e kishte lëshuar nga goja Grenellin, duke e akuzuar atë se kishte pasur gisht në “grusht-shtetin parlamentar”.

Fitoren e tij iluzore sikur e ushqente edhe fitorja e Vetëvendosjes në shkurt 2021 dhe popullariteti i saj i pazakontë prej 50.28 për qind.

Ky pozicionim i gabuar dhe ngushtim i hapësirës negocionale, duke përjashtuar a priori opsione, do të sillte rrethanën kur bashkësia ndërkombëtare do ta favorizonte edhe më fort krijimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.

“Sadoqë Kurti dhe Vetëvendosje qartazi po hapëronin lart në një valë kundërshtimi ndaj skemave për ndarje, administrata e re e Bidenit ngulmoi të njëjtën, megjithëse në formën e Bashkësisë së Komunave Serbe. Departamenti i Shtetit, në kohën e Bidenit, e qendërzoi Asociacionin si një zgjidhje të kohës së Obamës që ishte e pranueshme për të dyja palët, që kishte nevojë vetëm për t’u realizuar në praktikë”, shkruan Mujanović në librin e tij ‘The Bosniaks Nationhood After Genocide’.

Ftesë për hakmarrje

Ndërkohë, njerëzit përreth Kurtit ende po bëjnë mësymje kundër Grenellit. I tillë shfaqet edhe analisti dhe ish-këshilltari i Kurtit, Shkëlzen Gashi. Në një afishim në llogarinë e tij në ‘X’, ai e fshikulloi diplomatin amerikan si ‘bashkëpuntor të Serbisë’.

“Bashkëpunëtori i Sërbisë, Richard Grenell, i dekoruar nga Aleksandar Vučić me ‘urdhërin e flamurit sërb’ për zhvillimin dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Sërbisë e Amerikës, paska postu në mbrojtje Vučić-it e kundër Kurtit. E paska rritë Albin Kurtin për nja 2%”, ka shkruar Gashi të cilin Kurti e kishte shkarkuar nga pozita e këshilltarit një muaj pas emërimit.

Por, portretime si këto harrojnë faktin që Grenelli është nderuar më 2020 me Medalen Kombëtare të Sigurisë në Shtetet e Bashkuara, ashtu sikundër edhe me Medalen Presidenciale të Meritave në Kosovë. Për më tepër, thirrjet për diplomatin amerikan si ‘bashkëpunëtor të Serbisë’ po e cytin furtunën e hakmarrjes…

Lajme të ngjashme