Hamiti: Raporti i ambasadorit Dugolli tregon gjendjen e mjerueshme të raporteve Kosovë-SHBA - NACIONALE

Hamiti: Raporti i ambasadorit Dugolli tregon gjendjen e mjerueshme të raporteve Kosovë-SHBA

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Ish-ambasadori i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti, është shprehur i shqetësuar me raportin vjetor të ambasadorit të Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli, i cili tregon për mungesën e resurseve njerëzore, stafin e mangët diplomatik dhe raportet e zbehta në mes të Kosovës dhe SHBA-së.

Hamiti ka bërë me dije se raporti, mbi të gjitha, tregon për gjendjen e mjerueshme të marrëdhënieve Kosovë-SHBA.

Në një deklaratë për gazetën Nacionale, Hamiti ka thënë se vlerësimet e ambasadorit Dugolli janë dëshmi e keqqeverisjes së Kosovës.

“Raporti i ambasadorit të Republikës së Kosovës në Uashington është dëshmi e keqqeverisjes së Kosovës, në punët e jashtme po se po, por edhe në tërësinë e saj. Ambasada jonë në kryeqytetin e aleatit tonë më të madh në historinë moderne ka mungesë resursesh njerëzore, staf të mangët diplomatik, mungesë stafi vendor. Në ndërkohë kërkesa kundrejt Ambasadës janë që të kryejë punë, duke përfshirë blerje të godinës së ambasadës, me shtrëngesa e kufizime të papërballueshme. Del tërthorazi në pah trajtimi preferencial për një ambasadë tjetër tonën, në Londër, patjetër shumë e rëndësishme për Kosovën, sa i përket mundësisë së blerjes së godinës për ambasadë përtej shumës së ndarë (4.5 milionë euro) nga Qeveria.”, ka deklaruar Hamiti.

Ai ka bërë me dije se raporti tregon në mënyrë të qartë se komunikimi i ambasadës së Kosovës është i kufizuar, kurse raportet janë të zbehura.

“Në raport thuhet shprehimisht se “do të ishte i nevojshëm fleksibilitet më i madh [nga Qeveria e Kosovës] ndaj Uashingtonit për sa i përket kufirit buxhetor, ashtu siç është vepruar edhe në rastin e Londrës”. Pyetja shtrohet pashmangshëm: pse në Londër e jo në Uashington?

Komunikimi i Ambasadës me shtetin nikoqir, SHBA-të, del të jetë i kufizuar. Bashkëpunimi strategjik dhe dialogu politik i Kosovës me SHBA-të është zbehur, siç del nga raporti i shkruar me kujdes. Nisma për partneritet strategjik ka ngecur. “Pas zhvillimeve të muajve të fundit [në Kosovë], sa herë që kemi riaktualizuar këtë kërkesë, pala amerikane ka mbajtur qëndrim më negativ se zakonisht”, thuhet në raportin e ambasadorit Ilir Dugolli.”, është shprehur Hamiti.

Konstatimet e raportit, sipas Hamitit, tregojnë gjendjen e mjerueshme të raporteve Kosovë-SHBA.

“Kjo është pasqyrë e gjendjes së mjerueshme të marrëdhënieve të Kosovës që udhëhiqet nga kjo Qeveri me SHBA-të në kohën kur atje ka një administratë të Presidentit Biden, një politikani që ka qenë përkrahës i palëkundur i Kosovës në luftë e në paqe, tash e tridhjetë vjet”, është shprehur ai.

Ambasadori flet për dyer gjysmë të mbyllura

Ish-ambasadori Hamiti ka bërë me dije se Qeveria Kurti nuk e ka përmbushur asnjë premtim në fushën e politikes së jashtme.

Ai ia ka përmendur kryeministrit Kurti pretimet që i ka dhënë për politiken e jashtme. “E do rendi të kujtohet se Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar prej kryeministrit Kurti ka pasur fjalë të tjera në programin e vet qeverisës (2021-2025). Në programin për politikë të jashtme thuhet: “Me orientimin e saj të qartë politik për vendosjen e shtetit ligjor, qeveria e Republikës së Kosovës do të hapë dyer të reja. Ky orientim dhe besimi masiv qytetar kanë krijuar simpati dhe mbështetje të gjerë te partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, si bazë e re mbi të cilën politika e jashtme e Kosovës do t’i arrijë synimet e saja konkrete.” Raporti i ambasadorit tonë në Uashington flet për dyer gjysmë të mbyllura, jo për hapje të dyerve të reja. Tërthorazi për mungesë simpatie për Qeverinë që “ka marrë besimin masiv qytetar”, siç ngazëllehej ta shihte veten Qeveria Kurti mbas delirit prej rezultateve të zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2021.”, ka vlerësuar Hamiti.

Ndër të tjera, Hamiti ka bërë me dije se ambasadori Dugollit tregon se raportet e Kosovës dhe SHBA-së janë zbehur.

“Në po këtë pjesë të programit të politikës së jashtme, Qeveria theksonte: “Prioritet i politikës sonë të jashtme do të jetë zgjerimi i partneritetit me SHBA-të në aspekte të ndryshme, krahas partneritetit politik do të thellohet bashkëpunimi në rrafshin e sigurisë, zhvillimit ekonomik, arsimit dhe diplomacisë publike. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet vendosjes së marrëdhënieve me shtete jo-njohëse”. Partneriteti me SHBA-të nuk është zgjeruar, siç shihet nga raporti i ambasadorit tonë. Për më keq, është zbehur.”, është shprehur Hamiti.

Sipas Hamiti, konstatimet në raport demantojnë reformën e shërbimit të jashtëm, e cila është proklamuar shumë nga kjo qeveri.

Ai ka vlerësuar se aty flitet për degradim të shërbimit të jashtëm.

“Në program, Qeveria fliste për reformim të shërbimit të jashtëm. Raporti i ambasadorit e dëfton të kundërtën. Jep pamjen e degradimit të këtij shërbimi, madje në një pikë kyçe, në ambasadën tonë në Uashington, që, për fajin e kësaj Ministrie të Jashtme të Kosovës që drejtohet nga znj. Gërvalla – Schwarz, ka mbetur pa resurse njerëzore.”, është shprehur Hamiti.

Duke kritikuar punën e Qeverisë së Kosovës, ai ka thënë se këto dy vite diplomacia e Kosovës ka dështuar.

“Rezultatet e Qeverisë së Republikës së Kosovës në politikën e jashtme janë e kundërta e asaj që projektonte në programin e vet, kur fliste për zgjerim të partneritetit me SHBA-të, për forcim të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Shkurt e shqip, Qeveria e Kosovës në këto dy vjet të ekzistencës ka dështuar në politikën e jashtme, por edhe të brendshme, që janë të ndërlidhura.”, ka vlerësuar Hamiti.

Lajme të ngjashme