Sot mbledhja e radhës e Qeverisë - shqyrtohet Projektligji për Paga në Sektorin Publik
Sot me fillim nga ora 10:00 do të mbahet mbledhja e radhës e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Gazeta Nacionale ka siguruar edhe pikat e rendit të ditës. Një sosh nga respektivet që është diskutuar më së shumti dhe e cila ka ngjallur më tepër interesim është: Projektligji për Paga në Sektorin Publik.
Se Projektligji për Pagat në Sektorin Publik i ka shkuar Zyres së Kryeministrit e kishte pranuar edhe ditë më parë, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Norë Fetoshi.
Kjo e fundit në një përgjigje dhënë emisionit Expose pohoi se projektligji gjegjës i ka shkuar shefit të ezekutivit për opinion të përputhshmërisë, ndërsa Nacionale tashmë ka kuptuar se i njëjti nesër do të jetë si pikë e rendit të ditës në mbledhjen e qeverisë.
“Konsultimi publik i Projektligjit për Pagat në Sektorin Publik ka përfunduar me datë 6 nëntor 2022. Projektligji për Pagat është në fazë të vlerësimit të ndikimit financiar në MPB dhe më pas do të përcjellet për vlerësim të ndikimit buxhetor në MFPT. Gjatë javës, projektligji është dërguar tek Zyra e Kryeministrit për opinion të përputheshmërisë me 'acqui' të BE-së", tha fillimisht Fetoshi.
Tutje, ajo shtoi se ministria ka pranuar komente nga institucionet dhe qytetarët lidhur me këtë projektligj.
"Ministria ka pranuar komente nga institucionet dhe/apo qytetaret te ndryshëm. Këto komente do të jenë shumë shpejt të qasshme në platformën e konsultimeve publike, sipas legjislacionit në fuqi. Komentet e pranuara kanë ofruar sugjerime dhe rekomandime në pika të caktuara të Projektligjit. Ministria e Punëve të Brendshme do të adresojë çdo koment i cili është në përputhje me parimet që ka vendosur Projektligji dhe adresimi i tyre veçse është në fazë përfundimtare. Gjatë këtij muaji, Projektligji do të procedohet për votim në Qeveri.”


Ankesa
Projektligji për Paga në Sektorin Publik kishte kritika të shumta. Madje, ekzistonin të atillë që thonin se është edhe anti-Kushtetues.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, në një intervistë dhënë gazetarit të Nacionales, Besian Beha, pat folur për Ligjin për Paga e atë për Zyrtarë Publikë.
Në lidhje me Ligjin për Paga në Sektorin Publik, Zogaj kishte thënë se është në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Sipas tij, nëse këto ligje miratohen, ka rrezik për shkatërrimin e sistemit gjyqësor.
“Është një ligj që nëse miratohet interferon shumë në pavarësinë e gjyqësorit, është në kundërshtim të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne kemi dhënë komentet dhe argumentet tona, dhe shpresojmë të reflektojnë mbi këtë argument, pasi që rrugën që duhet ta ndjekin institucionet për ështjen e Zyrtarëve të Lartë Publik e ka përcaktuar vendimi i Gjykatës Kushteutese”, pat deklaruar Zogaj.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e përcakton idenë që sistmei gjyqësor duhet të ketë vetrregullim të brendshëm, por ky duhet të bëhet me ligj, e ligji në përputhje me Gjykatën Kushtetuese. E standardet me pavarësinë e gjyqësorit”, kishte vlerësuar më tutje ai.
15 shtator
Kujtojmë se Projektligji për Pagat në Sektorin Publik kishte dalur për konsultim publik me datën 15 shtator të këtij viti.
Kryeministri Kurti në një konferencë të përbashkët për media me ministrin Sveçla, aso kohe kishte thënë se 34 mijë zyrtarë nuk e gjenin veten në ligjin e shfuqizuar të pagave.
”Përreth 40 për qind të pozitave nuk dihej se ku janë klasifikuar. Më shumë se 34 mijë zyrtarë nuk e gjenin vetën në ligjin e shfuqizuar të pagave, kishte përafërsisht disa lloje të shtesave dhe kompensimeve, mungesë mbi kriteret kur janë marrë shtesat, zyrtarë që merrnin pagë të ndryshme për punë të njëjtë”.
Sipas shefit të ekzekutivit kosovar, duke u thirrur në raportet e progresit prej vitit 2008 deri më 2020, administrata publike ka qenë e ndikuar nga ndërhyrjet politike në procesin e emërimeve.
Ky projektligj ka për synim rregullimin e sistemit për të gjithë punëtorët që marrin pagë nga shteti.
