Me Projektligjin për zyrtarët publikë Kurti po "synon ta kapë edhe administratën"
Qeveria e Kosovës ka prezantuar tash së fundi Projektligjin për Zyrtarët Publikë, që për qëllim ka rregullimin e marrëdhënies së punës së zyrtarëve publikë që punojnë në institucionet e Kosovës. Mirëpo, disa nga nenet në këtë Projektligj po dalin të jenë problematike dhe me tendencë të politizimit të adminsitratës shtetërore.
Qeveria Kurti, në këtë Projektligj ka bërë disa ndryshime rrënjësore sa u përket shërbyesve civilë me pozita të mesme dhe të ulëta udhëheqëse.
Neni 46 i Projektligjit për Zyrtarët Publikë, parasheh që nëpunësit civilë që kanë pozita të mesme dhe të ulëta udhëheqëse do të emërohen me mandat 4-vjeçar.
“Kandidati për pozitën e nivelit të ulët apo të mesëm drejtues, i vlerësuar nga komisioni i pranimit me pikët më të larta dhe mbi pragun minimal të 70% të pikëve të përgjithshme të vlerësimit, konsiderohet kandidat fitues dhe emërohet në pozitën përkatëse, për një mandat me kohëzgjatje prej katër (4) vite”, thuhet në nenin 46 “Emërimi dhe mandati në pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues”, pika 1.

Me ligjin aktual, të gjithë udhëheqësit me pozita të mesme dhe të ulëta, kanë pasur mandat të përhershëm.
Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymberi, në një deklarim për Nacionale ka thënë se do të kundërshtojnë Projektligjin e ri për Zyrtarët Publikë, pasi sipas tij, projektligji është i dëmshëm dhe degradues për administratën shtetërore.
“Është treguar si shumë i dëmshëm dhe ka një regres sa u përket të drejtave të shërbyesve civilë për faktin se përveç të drejtave të pushimit vjetor, të drejtës së avancimit dhe gradimit, shkon edhe ma larg deri te mandatimi e pozita udhëheqëse të nivelit të mesëm dhe të ulët. Me këtë nënkuptohet se një administratë e mirëndërtuar, fillon të degradohet prej momentit kur ka me fillu me u mandatu pozitat, sepse ka kalu një kohë e gjatë për me u përgatitë këto kuadro. Një degardim institucional dhe shkatërrim i administratës”, ka thënë ai.

Më tej, kryetar i SSHCK-së ka thënë se do të kërkojnë edhe nga kryetari i Kuvendit dhe nga Qeveria që të mos e procedojnë këtë Projektligj.
“Është një gabim i madh, kushdo që e ka bë këtë, sepse po bëhen një regres i madh, përveç që e kemi ftuar qeverinë. Ne kemi veprimet do t’ia dërgojmë edhe kryetarit të Kuvendit që mos me procedu këtë ligj ose këtë nen”, shtoi ai.
Edhe Ali Sefaj nga Shoqata Sindikale e Shërbyesve Civilë, për Nacionale ka vënë në pah rrezikun që potencialisht mund të ketë ky Projektligj.
Ai thotë se me këto ndryshime mund të rrezikohen të arriturat e shërbimit civil dhe të fshihet memoria institucionale.
“Ky draftligj në vend që të rregullonte çështjet e ngritura, avanconte statusin e shërbimit civil, krijonte mundësi për avancim në karrierë dhe mundësonte reformën në administratën shtetërore, krijon mundësi për veprime revanshuese, që mund të rrezikojnë të arriturat e shërbimit civil dhe të fshijë memorien institucionale. Na duhet reformë dhe progres, jo ligj që sjell regres”, ka thënë ai.
E një veprim i tillë, mund të shihet si synim për politizimin e administratës shtetërore, pasi emërimet mund të ndikohen politikisht, e tek ne në Kosovë, edhe me të afërm e familjarë.
Ky Projektligj deri më tani është kritikuar vetëm nga partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës [AAK], teksa nga Partia Demokratike e Kosovës [PDK] dhe Lidhja Demokratike e Kosovës [LDK], pavarësisht insistimit të gazetës, nuk kanë treguar qëndrimin e tyre.
E kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në një intervistë për gazetën Nacionale, ka kritikuar ashpër Projektligjin e Ri për Zyrtarët Publikë.
Tahiri ka thënë se Projektligji është skandaloz dhe i hap rrugë ndërhyrjeve politike në administratën publike.
“Projektligji i ri për Zyrtarët Publikë është skandaloz. Jam i tmerruar me provizionet që parapërcaktojnë dhe lejojnë hapësirë për ndërhyrje politike në administratë publike. Krejt çka është ndërtuar që gati dy dekada në administratë, ky i hedh poshtë. Projektligj mund të konsiderohet një sulm i drejtpërdrejtë ndaj administratës shtetërore dhe shërbimit civil, pa përjashtim. Është kundër gjithçkaje që është arritur me BE-në dhe SIGMA-n me reforma në dekadën e fundit”, ka thënë ai.

Më tej, ai ka folur edhe për nenin 46 që parasheh emërimet me mandat, për të cilin ka thënë se është kundërkushtetues dhe shantazhues ndaj administratës.
“Në administratën shtetërore ka njerëz me integritet të jashtëzakonshëm dhe nuk mund ta kapësh. Njoh njerëz që kanë thënë se e kanë votuar x partinë, por kanë pasur integritet profesional, ku i ka kryer punët që i ka pasur përgjegjësi. Në këtë projektligj do t’i bëjnë shantazh administratës. Mendoj se ky projektligj është antikushtetues. Respektivisht Neni 46, Neni 66 dhe Neni 98 te dispozitat kalimtare janë qartazi nene kundërkushtetuese, që në esencë janë fshisë kundër menaxhmentit drejtues të administratës shtetërore”, është shprehur ai.
Sipas Projektligjit, rekrutimi për pozita të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues do të bëhet një vit pas hyrjes në fuqi.
Kujtojmë se, Qeveria e Kosovës ka propozuar një Projektligj për Inspektimin Administrativ, me anë të së cilit po tenton të krijojë një ‘inspektoriat’ për të mbikëqyrur punën e të gjithë zyrtarëve publikë në të gjithë administratën shtetërore.