Intervistë | Arifi: Qeveria Kurti po e anashkalon Luginën e Preshevës
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për qasjen që po ndjek ndaj Luginës së Preshevës.
Ai ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka dhënë ende asnjë shpjegim për vonesat në transferin e mjeteve që i ka ndarë për Luginën.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka thënë se Qeveria Kurti po anashkalon qëllimshëm Luginën e Preshevës.
Sipas tij, kjo qeveri nuk ka koncept të qartë ndaj Luginës
Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për kërkesat e shqiptarëve të asaj pjese në raport me dialogun Kosovë-Serbi.
Nacionale: Z. Arifi, keni thënë se Qeveria e Kosovës parat e ndara për Luginë të Preshevës ende nuk i ka transferuar. Pse mëndni se po ndodh kjo?
Arifi: Dy milionë eurot e parapara nga Qeveria e Kosovës për Luginën e Preshevës, ende nuk janë transferuar. Së pari, mendoj që kjo është rezultat i neglizhencës në punët qeveritare. Së dyti, Qeveria e Kosovës këtë vit ka vepruar subjektivisht ndaj komunës së Preshevës (rasti Liburn Aliu - Ardita Sinani; instrumentalizimi i qeverisë për procese demokratike në Preshevë), në këtë kontekst me qasje subjektive kemi vonesa në marrjen e mjeteve. Po ashtu, mendoj që nuk kanë koncept të qartë ndaj Luginës, pasi edhe me qeverisjen e kaluar lokale edhe me qeverisjen tonë ende nuk kanë negociuar në drejtim të formës se si do të realizohen mjetet. Së fundi, Qeveria e Kosovës, me theks të veçantë, ndër vite ka një paqartësi strategjike kombëtare ndaj Luginës së Preshevës. Këto probleme të akumuluara ndikojnë implementimin e projekteve me rëndësi jetike për komunën e Preshevës.
Nacionale: A keni kërkuar ndonjë sqarim nga Qeverisë e Kosovës se pse po ndodh kjo vonës e transferimit të mjeteve të zotuara?
Arifi: Nuk kemi marrë ndonjë shpjegim. Ne iu kemi drejtuar Qeverisë së Kosovës që nga fillimi i mandatit të ri dhe nuk kemi marrë përgjigje qoftë zyrtare apo jozyrtare.
Nacionale: Keni ndonjë ide se pse po ndodhin këto vonesa?
Arifi: Vonesa në transferin e mjeteve konsiston në vonesë të realizimeve të projekteve madhore për komunën e Preshevës. Sa më shumë që mjetet vonohen, gjasat për realizimin e projekteve të Parkut Qendror, Renovimit të Shkollës në fshatin Rahovicë, Ujësjellësi në fshatin Norçë, janë më të vogla. Ndryshe, këto njihen si projektet me kërkesat më të shumta për realizim tash e sa vite, për të cilët i kemi dedikuar mjetet e Qeverisë së Kosovës.
Nacionale: Cili është vlerësimi i juaj për qasjen e Qeverisë Kurti ndaj Luginës së Preshevës?
Arifi: Sipas këndvështrimit tim, jo vetëm ndaj kësaj qeverie, por edhe ndaj atyre që kanë kaluar, është thënë se kjo qeveri do të jetë ndryshe nga ato në të kaluarën. Mendoj që nuk kanë strategji kombëtare për Luginën. Tema e Luginës së Preshevës përmendet vetëm në mënyrë tangentare dhe nuk përmban politika substanciale, përkundrazi anashkalohet e neglizhohet dhe merret parasysh vetëm kur vije puna tek fotot, atëherë jemi së bashku. Kur vije puna e të pasurit një strategjie të përbashkët për të balansuar politikat serbe në Veri të Kosovës kemi 0 angazhim dhe 0 rezultat deri më tani.
Nacionale: Qeveritë e Kosovës vazhdimisht kanë thënë se do të kenë parasysh çështjen e Luginës në bisedimet me Serbinë, por deri me tani nuk kanë bërë ndonjë veprim konkret. Çka duhet të bëjë tani kjo qeveri që të mbrohen interesat e shqiptarëve të Luginës?
Arifi: Është e qartë se çfarë duhet të bëjë Qeveria e Kosovës. Fillimisht, duhet të hartojë politika kombëtare, të themelohet dhe funksionalizohet Fondi Kombëtar i Solidaritetit, që në mënyrë konkrete të fillohet të investohet në Luginë të Preshevës; të bëhet temë kryesore Lugina e Preshevës ashtu si janë temë kryesore serbët e veriut të Kosovës në dialog; të avancojë politikat rajonale dhe të lobojë për të drejtat tona në nivel ndërkombëtar; të ketë koordinim dhe sinkronizim më të thellë me Luginën e Preshevës për t'i dhënë Luginës pozitën e merituar, si rezultat i kontributit për Republikën e Kosovës ndër vite e dekada nga Preshevarët.

