Opozita refuzon të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë - NACIONALE

Opozita refuzon të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përfaqësuesit e opozitës kanë mohuar çfarëdo mundësie që të bëhen pjesë e ndonjë delegacioni shtetëror, apo Ekipi të Unitetit të Kosovës për bisedime me Serbinë. Ata janë shprehur të gatshëm që kontributin e tyre në këtë proces ta japin vetëm në Kuvend të Kosovës. Sipas tyre, krijimi i trupave të tilla negociuese janë kundër Kushtetues.

Subjektet opozitare janë pro arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, por janë shprehur kundër mundësisë që të bëhen pjesë e ekipit negociator të Kosovës në këto bisedime.

Zyrtarët e këtyre partive kanë deklaruar se kontributin e tyre do ta japin në Kuvendin e Kosovës.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar për gazetën Nacionale se është kundër krijimit të ndonjë trupe unifikuese për dialog, duke thënë se Gjykata Kushtetuese ka treguar se Kryeministri e ka përgjegjësinë që ta udhëheqë këtë proces.

“Ju e dini që kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje. Në atë vendim Gjykata Kushtetuese ka treguar se mekanizmat e tillë janë kundër Kushtetutës dhe se kryeministri e ka përgjegjësinë. Ne jemi të gatshëm ta japim kontributin tonë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Çitaku.

Ajo ka treguar se partia më e madhe opozitare kontributin e saj për këtë proces do ta japë në Kuvend.

“Ne jemi të gatshëm që jo vetëm të mos bëjmë pengesa, por që të japim kontributin tonë në Kuvendin e Kosovës për përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi. Mirëpo, përgjegjësia i takon kryeministrit. Fatkeqësisht, ai ka pasë mungesë konsistence në raport me dialogun. E dini se dikur ka thënë që ai është prioritet i shtatë, pastaj i katërt, e tash po del që është prioritet i parë. Në dialog gjëja më e rëndësishme është konsistenca dhe transparenca”, është shprehur ajo.

Edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, mendon se Qeveria e Kosovës nuk e ka asnjë arsye që ta zvarrisë procesin e dialogut me Serbinë.

“Nuk ka parti anti-dialog në Kosovë. Nuk e di pse duhet të mos hyjë guximshëm në këtë kohë dhe me zgjedhë problemin me Serbinë”, është shprehur Haziri për gazetën Nacionale.

Ndërsa nënkryetari i AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se kjo parti do të mbështesë Qeverinë në çdo proces me interes nacional.

“Ne jo vetëm në këtë legjislaturë por edhe në periudhat më të hershme, pavarësisht pozicionit, në temat madhore dhe në përballje me Serbinë e kemi ofruar mbështetjen tonë të parezervë ndaj ekzekutivit. I mbetet Qeverisë që të punojë në unifikimin e gjithë spektrit politik sa i përket kësaj teme. AAK mbështet dialogun i cili përfundon me njohje reciproke, me marrëveshje obligative ligjore, në kufijtë ekzistues, organizimin aktual të brendshëm kushtetues, karakterin unitar të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Lekaj për gazetën Nacionale.

Ditë më parë, edhe kryeministri Albin Kurti ka kërkuar bashkimin e spektrit politik.

Në përvjetorin e 23-të të masakrës së Studimës së Vushtrrisë, ku ishte prezent edhe kryetari PDK-së, Memli Krasniqi, Kurti kishte thënë se të gjithë duhet të bëhen bashkë.

“Në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë, prandaj këtu jam edhe unë, është edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, janë edhe deputetët e asamblistët e të gjitha partive politike dhe së bashku duke përkujtuar martirët e dëshmorët, të shtrëngojmë fort dhimbjen që ndiejmë e të zotohemi dhe angazhohemi që të bëjmë më të mirën për të ardhmen e vendit tonë, të fëmijëve tanë, të gjeneratave që do të vijnë”, kishte thënë Kurti.

Lajme të ngjashme