“U mbars mali, polli një mi”: Takimet shterpe Abdixhiku – Kurti nervozojnë disa deputetë të LDK-së
Takimet pa rezultate të kryetarit të LDK-së, ALumri Abdixhiku, me liderin e VV-së, Albin Kurti, kanë nxitur reagime në LDK-së.
Disa deputetë të kësaj partie kanë bërë me dije se pavarësisht premtimeve takimet e tilla nuk po sjellin asgjë konkrete.
Pas përfundimit të takimit të djeshëm, ata janë shprehur pesimist për rezultatet e bisedimeve të tilla.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka komentuar kriteret e Kurtit për presidentin e tij.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se një president i tillë nuk do t`i përshtate liderit të VV-së.
"Albin Kurti duke kërkuar një president me vlera, kontribute dhe merita!!!! Qysh po i bie kjo tash, derisa vendi po mbahet pa institucione funksionale dhe në mospërputhje me Kushtetutën. Një president i tillë, në fakt, nuk do ta lejonte një Albin të tillë,“ ka shkruar Zemaj.
Edhe më i ashpër ka qenë deputeti tjerët i LDK-së, Arben Gashi.
Duke kritikuar këto takime, ai ka vlerësuar se premtimet dhe pritjet e mëdha kanë përfunduar pa rezultate konkrete.
“Populli thotë: ‘U mbars mali, polli ni mi.’ Shumë zhurmë, shumë premtime, shumë pritje e në fund, asgja. Kjo asht ajo që ndodh kur propaganda e zëvendëson punën, e pushteti madhështinë e premtimeve.”, ka shkruar Gashi në profilin e tij në Facebook.
Kurse, deputeti Avdullah Hoti ka bërë me dije se i gjithë procesi i themelimit të institucioneve që duhet të dalin nga zgjedhjet parlamentare është në terren jokushtetues.
“1. Kuvendi nuk është themeluar brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh nga certifikimi i zgjedhjeve. Kurdo që konstituohet, ai mund të kontestohet.
2. Funksionimi i Qeverisë në detyrë është jokushtetues pasi Kryeministri në detyrë dhe disa ministra janë betuar si deputetë, dhe sipas ligjit nuk kanë të drejtë të ushtrojnë funksione në qeveri. Vendimet e kësaj qeverie janë qartësisht të kontestueshme. Për këtë ka një aktgjykim të Gjykatës Supreme. 3. Nga betimi si deputete, ish Kryetarja e Kuvendit nuk mund të ushtrojë detyrën e Presidentes. Ajo nuk është më Kryetare e Kuvendit, pasi ajo legjislaturë është mbyllur me dhënien e betimit të 120 deputetëve të ri”, ka shkruar ai, duke treguar se kush është fjtori kryesor për këtë gjendje.
“Shkaktari është Kurti dhe të gjithë ata që e pasojnë. Vetëm dikush që është kundër vetë ekzistencës së shtetit të Kosovës e katandis rendin kushtetues në këtë gjendje kaosi dhe jokushtetutshmërie”, ka vlerësuar Hoti.