Intervistë | Zogaj: Ligji për Paga dhe Ligji për Zyrtarë Publikë, në kundërshtim me Kushtetutën - NACIONALE

Intervistë | Zogaj: Ligji për Paga dhe Ligji për Zyrtarë Publikë, në kundërshtim me Kushtetutën

2 muaj më parë

nga Besian Beha

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, ka folur për reformat në sistemin e drejtësisë, Vetingun, Ligjin për Paga e atë për Zyrtarë Publikë.

Në lidhje me Ligjin për Paga dhe atë për Zyrtarët Publikë, Zogaj ka thënë se janë në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, nëse këto ligje miratohen, ka rrezik për shkatërrimin e sistemit gjyqësor.

Duke folur për pagat e gjyqtarëve, Zogaj theksoi se pagat nuk mund të ulen.

“KGJK ka qëndrim të qartë dhe të prerë: dhe fillon me kryefjalën që nuk mund të ulen pagat e gjyqtarëve. Këtë nuk e themi ne, por këto janë garancione edhe në legjislacionin tonë, standardet që kemi pranuar, edhe në të gjitha opinionet e Këshillit të Gjyqtarëve të Strasburgut. Është punuar shumë vite me ndërtu këtë status që ka gjyqësori këtë nivel të pagës dhe kushteve, dhe duhet ende të punohet sepse jemi shumë prapa”, ka thënë Zogaj për gazetën Nacionale.

Sipas tij, nëse ulen pagat e gjyqtarëve rreh 40% sa po synohet me Ligjin aktual, atëherë ka rrezik që gjyqtarët të largohen nga sistemi. Madje, ka rrezik edhe për korrupsion.

“Pavarësia e gjyqësorit duhet të shikohet në këtë këndvështrim. Të gjithë e kanë qëndrim që paga e gjyqtarëve duhet të jetë e dinjitetshme që të mos ketë asnjë lloj luhatje të pozicionit të integritetit, për shkak të pagës. Nëse do të kemi zbritje prej 40%, do të kemi më pak konkurencë për pozitat e reja në gjyqësor, dhe do të dëmtohet cilësia, sepse kemi pasur konkurence të jashtëzakonshme. Do të kemi largime nga gjyqësori. Njerëzit kanë përgjegjësi e obligime. Nëse ka ulje drastike, detyrohen me u largu, dhe nuk përjashtohet mundësia e korrupsionit”, deklaroi më tutje Albert Zogaj për Nacionalen.

“Është e njohur, aboslutisht. Vetëm nëse Gjykata Kushtetuese e ndryshon standardin e kjo nuk mund të ndodhë, kjo nuk e kalon filtrin e Gjykatës Kushtetuese sepse është krejtësisht ndesh me vendimin e Gjykatës Kushteutese. Të gjitha institucionet janë të gatshme me kundërshtu këtë ligj në Kushtetuese, këtë do ta bëjmë edhe ne”, deklaroi kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Vërejtjet Zogaj ka pasur edhe për Ligjin e Zyrtarëve Publikë. Edhe për këtë, ka thënë se është në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

“Është një ligj që nëse miratohet interferon shumë në pavarësinë e gjyqësorit, është në kundërshtim të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne kemi dhënë komentet dhe argumentet tona, dhe shpresojmë të reflektojnë mbi këtë argument, pasi që rrugën që duhet ta ndjekin institucionet për ështjen e Zyrtarëve të Lartë Publik e ka përcaktuar vendimi i Gjykatës Kushteutese”, u shpreh Zogaj.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e përcakton idenë që sistmei gjyqësor duhet të ketë vetrregullim të brendshëm, por ky duhet të bëhet me ligj, e ligji në përputhje me Gjykatën Kushtetuese. E standardet me pavarësinë e gjyqësorit”, tha më tutje ai.

Në këtë intervistë, kryesuesi i KGJK-,së Albert Zogaj, ka deklaruar se janë të papranueshme tentim-ndërhyrjet e pushtetit në institucionet e drejtësisë. Ai tha se Vetingu nuk mund të bëhet me ndryshime kushtetuese.

Gazeta Nacionale nesër sjell gjithashtu edhe deklaratat e Zogajt të detajizuara për Vetingun, reformat e tjera, dhe rastin e dhunimit të 11-vjeares.

Lajme të ngjashme