Intervistë | Tahiri: Projektligji për paga i Qeverisë është kundërkushtetues - NACIONALE

Intervistë | Tahiri: Projektligji për paga i Qeverisë është kundërkushtetues

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar se Projektligji për paga i propozuar nga Qeveria e Kosovës nuk i përfshinë komentet e Gjykatës Kushtetuese.

Ai ka thënë se ekzekutivi këtë veprim e ka bërë në mënyrë të qëllimshme.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Tahiri ka vlerësuar se qeveria po dëshiron rrëzimin e këtij projektligji nga Kushtetuesja në mënyrë që pastaj çështja të zvarritet.

Deputeti i AAK-së ka bërë me dije se projektligji është jo serioz dhe nuk e përcakton vlerën e koeficientit.

Ai ka thënë se për këtë projektligj Qeveria nuk është konsultuar me askënd.

Sipas tij, edhe BE-ja është në terr informativ për këtë dokument, të cilin ekzekutivi e ka publikuar para disa dite.

Nacionale: Z. Tahiri, ju që një kohë të gjatë jeni duke e kërkua nga Qeveria projektligjin për paga. Tashmë është bërë publik një draft i këtij projektligji. Cili është vlerësimi i juaj për këtë dokument?

Tahiri: Projektligji i pagave i propozuar nga Qeveria ka problemeve serioze dhe nuk reflekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që në esencë na bije të një konkluzion të caktuar. Konkluzioni është që qëllimisht qeveria po e sjell një ligj që nuk i ka përfshirë komentet e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që kur të ankohemi për këtë ligj ai të bije sërish dhe kjo çështje të zvarritet përsëri.

Nacionale: Po mendoni se qeveria aktuale nuk ka vullnet politik për t’i rritur pagat në sektorin publik?

Tahiri: Ky ligj e ka emrin ligj i pagave, që nënkupton se ky duhet ta rregullon rrogën e secilit zyrtarë të administratës shtetërore. Kur e lexoni këtë ligj, ju nuk e gjeni askund vlerën e koeficientit. Aty gjeni një renditje të koeficienteve dhe parimin se si ndahen këta, 1 me 18, mirëpo nuk e gjen vlerën. Secili zyrtar publik sot që e lexon këtë ligj dhe e kërkon pozitën e tij në tabelë nuk mund ta di se sa e ka pagën. Kjo nënkupton se ky nuk është ligj i pagave, por është ligj i rangimit të koeficienteve.

Sepse ligji i pagave, sidomos ligji i parë duhet ta vendos një vlerë për koeficientin. Ne në projektligjin e kaluar për paga e kemi vendosë 1 dhe e kemi pasur 239 euro, ndërsa rroga më e madhe ka qenë ajo me koeficient 10, që ka qenë rroga e presidentit me 2390 euro. Ndërsa, paga më e vogël ka qenë 1.35 që ka qenë e punëtorit teknik në shkollë. Pra, me atë dokument e ka ditë secili se ku është.

Nacionale: Sipas këtij projektligji, kush duhet ta përcaktojë koeficientin?

Tahiri: Këtu është problemi. Sepse ky ligj i lënë hapësirë secilës parti politike, kësaj radhe LV-së, nesër një partie tjetër, që të përcaktojë koeficientin. Sepse në nenin 9 të këtij projektligji thuhet se vlera monetare e koeficientit përcaktohet me ligjin vjetor të buxhetit. Aty ka logjikë me thanë ashtu siç thuhet në ligjin tonë ku e kemi specifikuar se për çdo vit 4 për qind rritet rroga. Me thanë se në bazë të inflacionit përmes ligjit të buxhetit e rrisim pagën është në rregull. Kjo mund të keqpërdoret.

Një kryeministër mund të thotë nesër se do t’i rritë pagat 30 për qind dhe pastaj mund të jep dorëheqje, duke thënë pastaj se ka marrë vendim për rritje të pagave. Pra, në këtë mënyrë i lënë në vullnet të politikës rritjen dhe jo të ligjit. Për mua ky është ligj i rangimit të koeficienteve 1 deri 18.

Kur e lexon ligjin me thellë e sheh që koeficient 1 nuk ka, ndërsa koeficienti 2 ke i regrutit. Por, askush nuk e di sa është vlerat e koeficientit, sepse këtë e ka lënë në vullnetin e politikës.

Shpresojë dhe besoj që gjatë konsultimeve do të merren parasysh vërejtjet dhe kritikat. Sepse unë jam i bindur që kushdo që merr vesh pak në këtë çështje e kupton se ky ligj është problem.

Nacionale: A ka qenë transparent procesi i hartimit të këtij projektligji?

Tahiri: Këta kanë lyp kohë për hartimin e këtij projektligji, por procesi i hartimit të këtij projektligji nuk kanë qenë transparent. A keni dëgjuar ndonjëherë se ka ndodhur ndonjë konsultim i ministrive me sindikatat apo ndonjë grup të interesi? Nuk ka pasur konsultime. Sot e dimë vetëm se projektligji ka shkuar në konsultim paraprak dhe asgjë tjetër.

Të gjithë aktorët që dikur kanë qenë të përfshirë në hartimin e projektligjin nuk dinë gjë për këtë dokument.

Bashkimi Evropian është në terr informativ për këtë ligj. Më 7 nëntor 2021 ka një opinion të SIGMA-s, e cila ka qenë kontraktore e BE-së që ka punuar këto ligje. Deri me tani asnjë opinion i SIGMA-së nuk është marrë parasysh. Besoj se BE-ja do ta kundërshtoj këtë në momentin që do të dalë në konsultim publik. Nëse nuk e bën një gjë të tillë, atëherë ne duhet ta kundërshtojmë BE-në për njëanshmëri. Sepse ne kemi punuar bashkë me BE dhe shpesh na kanë kundërshtuar.

Nacionale: Kush mendoni se e ka hartuar këtë projektligj?

Tahiri: Nuk e di. E di që vetëm që ekspertët nuk e kanë bërë. Pra, asnjë njeri që merr vesh në qeveri për këtë temë nuk e ka bërë. Sepse unë e di se ka njerëz në qeveri dhe nëpër ministri që janë profesionist dhe marrin vesh në këtë punë. Këta njerëz nuk janë përfshirë në hartimin e këtij projektligji, sepse i kam pyetur. Konsiderohet se ky projektligj është hartuar nga një grup i ngushtë. Informatat që kam unë tregojnë se Ministria e Punëve të Brendshme moti e ka dërgua këtë projektligj në Ministri të Financave. Tash nuk e di se ky version a është i Ministrisë së Financave apo i MPB-së. Mirëpo ajo që është e saktë është se ky ligj nuk e adreson temën dhe që e lënë në terr secilin zyrtar publik për nivelin e rrogës.

Nacionale: Nëse miratohet si i tillë, si opozitë a do t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetueses?

Tahiri: Ne si opozitë duhet të insistojmë që me e hartu këtë projektligj. Ky nuk është ligj ku ne si opozitë duhet të fokusohemi për ta rrëzuar, ne do të bëjmë përpjekje për ta bërë sa më të mirë. Duhet të insistojmë të përcaktohet vlera e koeficientit me këtë projektligj.

Nëse është 1 me 18, atëherë duhet me e saktesu vlerën. Nëse është 1 me 18, nuk guxon me kanë koeficienti 1 ner 180 euro. Ne nuk duhet të lejojmë që të miratohet ky projektligj kështu.

Ne tani nuk mund të themi se kujt iu ka ngritur e kujt iu ka ulur paga. Sepse askush nuk e di. Ndërsa në ligjin që e kishim hartuar ne, të gjithë e kanë ditur se sa e kanë pagën. Normal se edhe me atë ligj ka pasur njerëz të kënaqur dhe të pakënaqur. 67 mijë njerëz kanë qenë të kënaqur me atë ligj, ndërsa të pakënaqur kanë qenë ata që i kanë pasur rrogën ka 5 mije euro dhe ata e kanë rrëzuar ligjin.

Nacionale: E keni kritikuar edhe projektligjin e ri për Zyrtarët Publik. Pse?

Tahiri: Projektligji i ri për Zyrtarët Publik është skandaloz. Jam i tmerruar me provizionet që parapërcaktojnë dhe lejojnë hapësirë për ndërhyrje politike në administratë publike.

Krejt çka është ndërtuar që gati dy dekada në administratë ky i hedh poshtë. Projektligj mund të konsiderohet një sulm i drejtpërdrejtë ndaj administratës shtetërore dhe shërbimit civil, pa përjashtim. Është kundër gjithçkaje që është arritur me BE-në dhe SIGMA-në me reforma në dekadën e fundit.

Ky projektligj e shtyjnë një zyrtar publik të zgjedh: a dëshiron të nënshtrohet apo të largohet nga punë. Sepse me këtë ligj politika çdoherë i ka në dorë zyrtarët përmes kontratës që mund të ua shkëput. Ky projektligj e vendos administratën publike në një presion klasik. Këtu është duke u atakuar niveli i mes i administratës që janë drejtorët.

Nacionale: Pse mendoni se e ka bërë këtë projektligj Qeveria. Po dëshiron ta kap administratën?

Tahiri: Në administratën shtetërore ka njerëz me integritet të jashtëzakonshëm dhe nuk mund ta kapësh. Njohe njerëz që kanë thënë se e kanë votuar x partinë, por kanë pasur integritet profesional, ku i ka kryer punët që i ka pasur përgjegjësi. Në këtë projektligj do t’i bëjnë shantazh administratës. Mendoj se ky projektligj është antikushtetues. Respektivisht Neni 46, Neni 66 dhe Neni 98 te dispozitat kalimtare janë qartazi nene kundërkushtetuese, që në esencë janë fshisë kundër menaxhmentit drejtues të administratës shtetërore.

Nacionale: Po thoni se ky projektligj nuk duhet të miratohet. Si do ta ndalni?

Tahiri: Si të dalë ky projektligj në konsultime publike do ta filloj një proces të konsultimi me opozitën për të parë se si të veprojmë. Sepse nuk duhet të lejojmë kalimin e këtij projektligji. Ne do ta përdorim secilën metodë demokratike për ta kundërshtuar këtë projektligj. Nëse është nevoja do t’i kapim edhe mikrofonin kryetarit të Kuvendit për ta penguar këtë projektligj. Ky projektligj duhet të ndalet sepse prek funksionim vital të shtetit. Vetëm nëse je kundërshtar i madh i këtij vendi mund ta hartosh dhe miratosh një projektligj të tillë.





Lajme të ngjashme