Pëlqyeshmëria e liderëve te elektorati i partive të tyre: Kurti, Hamza e Gjini me mbi 80% të votave, Abdixhiku vetëm 62% - NACIONALE

Pëlqyeshmëria e liderëve te elektorati i partive të tyre: Kurti, Hamza e Gjini me mbi 80% të votave, Abdixhiku vetëm 62%

1 orë më parë

nga Muhamet Koci

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit kanë nxjerr në mënyrë të saktë edhe popullaritetin e liderëve partiakë në mesin e elektoratit të partive të tyre.

Pas certifikimit i rezultateve të këtyre zgjedhje nga KQZ, vërehet se pëlqyershmëria e kandidatëve për kryeministër brenda elektoratit partiak ka ndryshuar nga zgjedhjet paraprake.

Kryetarët e partive, të cilët kanë qenë edhe kandidatë për kryeministra nga subjektet e tyre politike, janë pëlqyer në nivele të ndryshme nga qytetarët që kanë votuar partitë e tyre.

Në këtë aspekt më se miri qëndrojnë kryetarët e LVV-së, PDK-së dhe AAK-së.

Kurse, Lumir Abdixhiku i LDK-së ka marrë vetëm 62 për qind të votës së elektoratit partiak.

Lideri i LVV-së, Albin Kurti, ka marrë përqindjen më të madhe të votës partiake.

Nga 382,869 vota sa ka marrë Lëvizje Vetëvendosje në zgjedhjet e 7 qershorit, Albin Kurti është votuar nga 324,329 mbështetës të partisë së tij.

Shprehur në përqindje i bije se Kurti ka marrë 84.7% të votave që ka marrë partia.

I dyti në këtë aspekt renditet kryetari i AAK-së, Ardian Gjini. Nga 54,729 vota sa ka marrë AAK, Gjini është votuar nga 44 mijë e 781 votues të AAK-së.

Llogaritur në përqindje i bije që ai ka marre 81.8% te votave të partisë.

Mbi 80 për qind të votave të partisë i ka marrë edhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i cili ka qenë edhe kandidat për kryeministër i kësaj partie.

Nga 157,892 vota sa ka marrë PDK-ja në këto zgjedhje, Hamza është votuar 126,943 herë.

Kjo i bije se Hamza ka marrë 80.4% të votës së partisë.

Më se keqi në këtë drejtim qëndron kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka qenë kandidat për kryeministër i kësaj partie në zgjedhjet e 7 qershorit.

Pëlqyeshmëria e tij nga elektorati i LDK-së duket se ka rënë dukshëm nga zgjedhjet paraprake.

Prej 135,567 votave sa ka marrë LDK-ja, Lumir Abdixhiku, i cili ka qenë i dyti në listën e LDK-së, ka marrë 83,894 vota.

Shprehur në përqindje, i bije që Abdixhikun e kanë votuar vetëm 61.9% të njerëzve që e kanë votuar LDK-në.

As Vjosa Osmani, ish-presidentja, që ishte bartëse e listës së LDK-së nuk qëndron mirë në këtë aspekt.

Nga 135,567 vota sa ka marrë LDK-ja në këto zgjedhje, Vjosa Osmani është votuar 92,236 herë.

Kjo i bije se Osmani ka marrë vetëm 68.0% të votave të elektorit të LDK-së.

Pëlqyshëmria në zgjedhjet e dhjetorit

Trend interesant i popullaritetit të liderëve brenda elektoratit partiak ishte treguar edhe në zgjedhjet paraprake, të cilat ishin mbajtur më 28 dhjetor.

Në ato zgjedhje, në vend të parë ishte rendit ish-lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Nga 52 mijë vota sa kishte marrë AAK-ja, Haradinaj ishte votuar 44 mijë herë. Shprehur në përqindje, i bije se Haradinaj kishte marrë 84.62 për qind të votave.

I dyti aso kohe renditej kryetari i PDK-së, Bedri Hamza. Nga 192 mijë vota sa kishte PDK-ja, Hamza ishte votuar nga 162 mbështetës.

Kjo i bije se i pari i PDK-së kishte marrë 84.38 për qind të votave partiake.

Në vendin e tretë renditej lideri i VV-së, Albin Kurti.

Në ato zgjedhje, Kurti kishte marrë 404 mijë vota nga 487 mijë sa kishte VV-ja.

Kurse, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, renditej në vendin e katër në këtë aspekt.

Nga 126 mijë vota sa kishte marrë LDK-ja, Abdixhiku ishte votuar nga 88 mijë qytetarë. Shprehur në përqindje, i bije se Abdixhiku kishte marrë vetëm 69.84 për qind të votave partiake.

Pëlqyeshmëria në zgjedhjet e shkurtit

Në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025 kjo rendite ishte pak më ndryshe.

Në ato zgjedhje, kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, qëndronte në vendin e parë.

Ndonëse Hamza aso kohe nuk ishte kryetar i partisë, ai kishte arritur të ishte kandidati për kryeministër më i pëlqyer brenda elektoratit të subjekteve të tyre politike.

Nga196 mijë 474 vota sa kishte marrë PDK-ja, Bedri Hamza ishte votuar nga 173 mijë 526 qytetarë. Shprehur në përqindje i binte se ai kishte marrë 88.3 % e votave të elektoratit të PDK-së që kishte votuar më 9 shkurt.

Në vendin e dytë ishte renditur kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Nga 171 mijë e 357 vota sa kishte marrë LDK-ja, Abdixhiku kishte marrë 146 mijë e 401 vota të njerëzve që e kanë votuar këtë parti.

Shprehur në përqindje, i binte se Abdixhiku kishte marrë 85.5 për qind të votave të elektoratit të LDK-së.

Në vendin e tretë qëndronte lideri i VV-së, Albin Kurti.

Nga 396 mijë e 787 votave sa kishte marrë LVV-ja në ato zgjedhje, kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti, kishte marrë 337 mijë e 791 vota.

Shprehur në përqindje, i binte se Kurti ka marrë 85.1 për qind të elektoratit të LVV-së.

Pas Kurtit renditej kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj.

Nga 66 mijë e 256 vota sa kishte marrë koalicioni AAK-Nisma më 9 shkurt, lideri i AAK-së ishte votuar nga 44 mijë e 996 qytetarë. Llogaritur në përqindje, i binte se Haradinja kishte marrë vetëm 67.9 për qind të elektoratit.

Lajme të ngjashme