Doli për konsultim publik, vërshohet nga kritikat Projektligji për Paga - NACIONALE

Doli për konsultim publik, vërshohet nga kritikat Projektligji për Paga

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Të enjten e 15 shtatorit ka dalë në konsultim Projektligji për Pagat në sektorin publik.

Ky projektligj ka për synim rregullimin e sistemit për të gjithë punëtorët që marrin pagë nga shteti.

Kryeministri Kurti në një konferencë të përbashkët për media me ministrin Sveçla tha se 34 mijë zyrtarë nuk e gjenin veten në ligjin e shfuqizuar të pagave.

”Përreth 40 për qind të pozitave nuk dihej se ku janë klasifikuar. Më shumë se 34 mijë zyrtarë nuk e gjenin vetën në ligjin e shfuqizuar të pagave, kishte përafërsisht disa lloje të shtesave dhe kompensimeve, mungesë mbi kriteret kur janë marrë shtesat, zyrtarë që merrnin pagë të ndryshme për punë të njëjtë”, shtoi ai.

Sipas shefit të ekzekutivit kosovar, duke u thirrur në raportet e progresit prej vitit 2008 deri më 2020, administrata publike ka qenë e ndikuar nga ndërhyrjet politike në procesin e emërimeve.

Të shumtë qenë reagimet, gjegjësisht kritikat kundër këtij ligji.

Opinionisti Avdi Smajljaj thotë se tentimi për t’ua rritur pagat me synimin që të ulet korrupsioni është teori e paqëndrueshme.

“Pagat për president, kryeministër, ministra, deputet, gjykatës e prokuror do të duhej të ishin jo më të larta se në vendet e rajonit.Nëse synohet që përmes pagave të larta të të lartpërmendurve mund të ulet korrupsioni, kjo është vërtetuar si e paqëndrueshme në rastin e reformës në drejtësi te ne, ku rritja e pagave për gjyaktësit e prokurorët fare nuk ka ndikuar në uljen e korrupsionit e rritjen e efektshmërisë së gjykatësve e prokurorëve”, shkroi Smajljaj.

I së njëjtës linjë ishte edhe anëtari i Këshilli Grevist, Ali Sefaj.

Sefaj, duke shfrytëzuar rrjetin social “Facebook” tha sa me ligjin e ri këshilltarëve politikë u dyfishohen pagat, kurse shërbyesve civilë vitrat.

“Sipas draft Ligjit të Pagave këshilltarëve politikë u dyfishohen pagat, ( nga 560 - 1100 dhe nga 600 - 1200 ), ndërsa shërbyesve civilë iu jepen vitra.Dyfishohen pagat e oborrit qeveritar dhe diskriminohen shërbyesit civilë, performuesit e artit dhe mësimdhënësit.Rrnoftë Kosova Republikë!”.

Pak ditë më parë ndërkaq, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në një intervistë dhënë gazetarit të Nacionales, Muhamet Koci, kritikoi këtë projektligj, duke thënë se me qëllim nuk janë përfshirë komentet e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që kur të ankohemi, të zvarritet edhe më shumë.

“Projektligji i pagave i propozuar nga Qeveria ka problemeve serioze dhe nuk reflekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që në esencë na bije të një konkluzion të caktuar. Konkluzioni është që qëllimisht qeveria po e sjell një ligj që nuk i ka përfshirë komentet e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë që kur të ankohemi për këtë ligj ai të bije sërish dhe kjo çështje të zvarritet përsëri”, tha Tahiri.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymberi, në një deklarim të javëve më parë për gazetarin e Nacionales, Shkëlqim Beqirin, ka thënë se do të kundërshtojnë Projektligjin e ri për Zyrtarët Publikë, pasi sipas tij, projektligji është i dëmshëm dhe degradues për administratën shtetërore.

“Është treguar si shumë i dëmshëm dhe ka një regres sa u përket të drejtave të shërbyesve civilë për faktin se përveç të drejtave të pushimit vjetor, të drejtës së avancimit dhe gradimit, shkon edhe ma larg deri te mandatimi e pozita udhëheqëse të nivelit të mesëm dhe të ulët. Me këtë nënkuptohet se një administratë e mirëndërtuar, fillon të degradohet prej momentit kur ka me fillu me u mandatu pozitat, sepse ka kalu një kohë e gjatë për me u përgatitë këto kuadro. Një degardim institucional dhe shkatërrim i administratës”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, deputeti tjetër opozitar, Bekim Haxhiu në Kanal10 tha se Ligji i Pagave është karrem për të mos shkuar në greva.

Tutje, “Kamishi” rikujtoi premtimin e Kurtit me 14 shkurt se nuk do t’ua rritë pagat.

“Ligji i Pagave është mashtrim. Kjo mënyrë e dëgjimit publik, dhe kjo mënyrë e draftimit është mashtrim i Qeverisë, pas këtyre pakënaqësive dhe grevës. Nuk ka asgjë prej këtij Ligji të Pagave nga kjo qeveri, për dy arsye. Një, nuk është i buxhetuar fare as në vitin 2023-24, sipas projektbuxhetit të vitit 2020, ku janë planifikimet për pagat…Vet kryeministri e ka thënë, që nuk do t’ua rritë pagat, e ka thënë me 14 shkurt”, ka thënë Haxhiu.

Kujtojmë se që nga data 15 shtator, për tri javë rresht, të gjithë e kanë mundësinë që të adresojnë tek autoritetet shtetëtore komentet ose sygjerimet e tyre lidhur me këtë projektligj.

Këtë e konfirmoi edhe ministri Sveçla.

“Siç deklarova në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Kurti, nga sot janë vendosur në platformë për diskutim publik Projekt Ligji për Pagat në Sektorin Publik dhe Projekt Ligji për Zyrtarët Publik. Për 3 javë nga sot, të gjithë do të keni mundësinë të adresoni çdo koment apo sugjerim lidhur me këto dy projekt-ligje apo pjesë të caktuara të tyre. Si Ministri e mirëpresim kontributin e të gjitha palëve të interesit, në mënyrë që këto dy projekt-ligje të ofrojnë më të mirën e mundshme”.

Lajme të ngjashme